LAJMET E MBRËMJES

Tre muaj pas miratimit të Ligjit në Kuvend, Kurti e emëron Atdhe Hetemin për drejtor të Institutit

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar për emërimin e Atdhe Hetemit në pozitën e drejtorit ekzekutiv të Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Në mbledhjen e Qeverisë, ai e theksoi rëndësinë e formimit të këtij instituti në funksion të adresimit të krimeve që Serbia i ka kryer në Kosovë. E pas mbledhjes, ministra të Qeverisë komentuan edhe mosdekretimin e Blerim Isufajt në pozitën e kryeprokurorit të shtetit, si dhe zgjedhjet në veri

Pas më se dy vjetësh e gjysmë në pushtet e mbi tre muaj që nga miratimi i Ligjit në Kuvend, Qeveria nisi jetësimin e Institutit për krime të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Në mbledhjen e ekzekutivit të mërkurën, kryeministri Albin Kurti njoftoi për emërimin e Atdhe Hetemit në krye të këtij instituti.

Ai tha se me anë të formimit të Institutit do të adresohen krimet që Serbia i ka kryer në Kosovë.

“Duke i dokumentuar krimet e dëmet e luftës, ne edhe e ndajmë dhembjen, edhe e bëjmë më gjerësisht të njohur historinë tragjike të shqiptarëve të Kosovës në raport me Serbinë kriminale. Kjo vlen për ta ruajtur historinë dhe për ta kujtuar të shkuarën”, ka thënë Kurti.

Projektligji për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës është miratuar në Qeveri në shtatorin e shkuar, e në Kuvend ka kaluar tek në korrik të këtij viti.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se së shpejti do të bëhet edhe rregullorja e brendshme e Institutit, nëpërmjet së cilës do të bëhet ndarja e departamenteve dhe përcaktimi i stafit.

“Gjithçka do të ishte më e lehtë më herët por ju e dini që në raport me të ka pasur mungesë të vullnetit politik. Po të kishte vullnet politik, për adresim serioz të krimeve që Serbia i ka bërë në Kosovë sigurisht që do të ndërmerren veprime sipas përgjegjësisë mirëpo adresimi i krimeve të luftës është prioritet i qeverisë”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu, në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, foli edhe rreth mosdekretimit të Blerim Isufajt për kryeprokuror të shtetit, dhe dërgimin e serishëm të emrit të tij në Presidencë nga Këshilli Prokurorial.

“Propozimi i njëjtë nga KPK nuk ka bazë kushtetuese dhe as ligjore. KPK-ja nuk e di se ku është bazuar kur e ka dërguar emrin e njëjtë te presidentja Osmani, sepse ky proces duhet të kthehet në pikën zero dhe do të kthehet në pikën zero”, ka shtuar ajo.

Në konferencë, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka përsëritur se deri më tash nuk është njoftuar për ndonjë nismë për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat veriore. Ai shprehu dyshime se dy prej tyre, nga radhët e PDK-së, mund t’u përgjigjen kërkesave të qytetarëve, duke i ushtruar detyrat nga zyrat alternative.

Në mbledhjen e Qeverisë, Bislim Bislimi është emëruar sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sportit, teksa janë marrë gjashtë vendime për shpronësim pronash, e Komunës së Dragashit i janë dhënë dy parcela në shfrytëzim për 15 vjet.