LAJMET E MBRËMJES

Tenderi në Polici, Prokuroria e konsideron jorelevant dëshmitarin e mbrojtjes

Në rastin penal ku i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, në një tender mbi 700 mijë euro, është ish-rreshteri i Policisë, Jeton Menxhiqi, ka dëshmuar Viktor Mehana, pronar i kompanisë “Artious Group”. Në këtë rast Prokuroria e ngarkon ish-policin se ka dashur që jashtëligjshëm t’ia jep tenderin kësaj kompanie

Me kundërshti mes mbrojtjes dhe Prokurorisë lidhur me vlefshmërinë e dëshmisë së dëshmitarit Viktor Mehana, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të martën, është zhvilluar seanca gjyqësore në rastin penal ku i akuzuar për veprën “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, është ish-rreshteri i Policisë, Jeton Menxhiqi.

Mehana ka qenë pronar i kompanisë “Artious Group”, që në vitin 2017 pati ofertuar në tenderin e hapur nga Policia e Kosovës për furnizim me rroba elegante.

Por Prokuroria e ka cilësuar dëshminë e tij si jorelevante.

“Viktor Mehana, tani në cilësinë e dëshmitarit, dëshmia e tij nuk është objektive. Përkundrazi, ndikon në mossqarimin e saktë të gjendjes faktike të përshkruar në dispozitivin e aktakuzës... andaj dëshmia e mëtutjeshme e dëshmitarit Mehana është jorelevante dhe është subjektive”, ka thënë prokurori Bekim Kodraliu.

Sipas Prokurorisë, ish-rreshteri policor Menxhiqi gjatë pauzës ka shkuar në Zyrën e Prokurimit dhe ka ndërruar mostrat duke i vendosur rrobat e sjella nga jashtë në paketën e operatorit ekonomik “Artious Group” me qëllim që ky operator të fitonte tenderin sipas ofertës së bërë që ishte 506 mijë e 212 euro e 20 centë.

E, dëshminë e Mehanës e konsideroi të rëndësishme mbrojtja e të akuzuarit Menxhiqi, që e ka propozuar për dëshmitar.

“I tërë dispozitivi i aktakuzës mbështetet kinse në ndërrimin e mostrave nga i akuzuari Jeton Menxhiqi. Meqenëse mostrat kanë pasur të bëjnë kryekëput me tenderin e firmës ‘Artious Group’, pronar i së cilës është dëshmitari prezent, Viktor Mehana”, ka thënë avokatja Shpresa Hasaj- Hyseni.

Dëshmitari ka thënë se ka ofertuar disa herë në tenderë të hapur nga Ministria e Punëve të Brendshme, e shumë herë edhe nuk i ka fituar.

Mehana gjatë fazave të para të hetimit ishte i dyshuar për këtë rast, por në mungesë të provave, hetimet ndaj tij kanë pushuar.

Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit Mehana, shqyrtimi gjyqësor vazhdoi me dhënien e mbrojtjes nga i akuzuari Menxhiqi.
Ai ka thënë se ky tender ishte hera e parë që ai ka qenë pjesë e komisionit tenderues. E për pyetjet e prokurorit dhe trupit gjykues, Menxhiqi zgjodhi të mbrohej në heshtje.

Çështja është në rigjykim, pasi Gjykata e Apelit gjeti shkelje procedurale në këtë rast.