Takime intensive në përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje që do t’i shmangte tensionet në veri kanë zhvilluar emisari i BE-së për dialogun, Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Në ditën e dytë të vizitës në Kosovë, emisarit amerikan i është bashkuar edhe Lajçaku. Takimet i kanë nisur me presidenten Vjosa Osmani, derisa kanë dhënë një deklaratë të shkurtër për media, pasi janë takuar me kryeministrin Kurti. Dy emisarët thanë se janë siguruar nga të dyja palët që nuk do të ketë dhunë më 1 shtator.
“Ne jemi këtu për t'u siguruar që asgjë e keqe nuk do të ndodhë...Nuk do të flas për detaje dhe shpresoj ta kuptoni….Unë jam optimist. Kjo është arsyeja pse unë jam këtu. Nëse nuk do të besoja se ka një zgjidhje, as që do të vija. Siç thashë, ky ishte një takim i rëndësishëm në thelb edhe i dobishëm, por do të shohim pas këtij takimi, pas kësaj, do të ishte shumë herët për të dhënë ndonjë përfundim në këtë moment, por ishte një takim shumë i mirë”, tha Lajçak.
“Unë jam këtu për të dhënë mbështetjen për të gjetur një rrugë përpara rreth të gjitha çështjeve të vështira. Detajet se si shkojnë përpara janë në të vërtetë për dialogun, por unë doja të sigurohesha që njerëzit të kuptojnë se vizita ime këtu ishte me të vërtetë për të treguar mbështetjen e plotë për dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Të dyja palët na kanë siguruar se nuk duan përshkallëzim, nuk duan dhunë më 1 shtator. Pra, tani jemi këtu për t'u siguruar që të gjitha ato dëshira të mira, dhe i gjithë ai optimizëm të përkthehen në një propozim konkret”, shtoi Escobar.
E presidentja Osmani, nëpërmjet një postimi në “Facebook”, ka thënë ta ketë shprehur angazhimin e Kosovës për mbrojtjen e sovranitetit, rendit kushtetues dhe integritetit territorial.
“Në takimin me të dërguarit e posaçëm, Lajçak dhe Escobar, shpreha përkushtimin e Kosovës për ta vazhduar bashkëpunimin dhe koordinimin me partnerët tanë, duke potencuar se angazhimi i vendit tonë në dialog është i bazuar në mbrojtjen e sovranitetit, rendit kushtetues dhe integritetit territorial të Kosovës, të cilat janë të paprekshme. Kosova asnjëherë nuk ka kontribuuar në tensione dhe është angazhuar vazhdimisht për paqe dhe stabilitet si dhe për zgjidhje evropiane. Vendi ynë është i ndërtuar mbi parimin e një shoqërie multietnike ku të gjithë kanë të drejta të barabarta, pa dallim etnie”, u shpreh Osmani.
Escobari e Lajçaku takimet i kanë vijuar edhe me përfaqësues të partive opozitare dhe komunitetit serb në Kosovë.
Një ditë më herët, Escobar ka pasur një darkë me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, atë të PDK-së, Memli Krasniqi dhe kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj. Ky i fundit ka shkruar në “Facebook” se me emisarët perëndimorë kanë diskutuar për gjetjen e një zgjidhjeje rreth zbatimit të sundimit të ligjit në veri të Kosovës.
“Gjatë darkës në rezidencën e Ambasadorit amerikan, Jeffrey M. Hovenier, me të dërguarin e posaçëm për dialogun z. Gabriel Escobar, ndihmës-asistent i sekretarit të Shtetit, zhvilluam një diskutim të frytshëm për gjetjen e zgjidhjeve rreth zbatimit të sundimit të ligjit në veri të Kosovës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleatë dhe mik i besueshëm dhe së bashku do ta ruajmë paqen dhe sigurinë”, shkroi Haradinaj.
Pas vizitës në Kosovë, Escobari e Lajçaku do të shkojnë edhe në Serbi.