Pak orë para se të niste protesta e mbështetur nga veteranët e UÇK-së, ministri Xhelal Sveçla hodhi akuza ndaj organizimit të saj. Sveçla ka thënë se presidenti serb Vuçiq, pasi ka humbur betejën me kryeministrin Kurti është fokusuar në luftën hibride kundër Kosovës, përfshirë nxitjen e trazirave. Deklaratat e Sveçlës janë vlerësuar si skandaloze dhe të turpshme nga opozita dhe nga Asociacioni i Gazetarëve. Është kërkuar edhe shkarkimi i tij
Pak orë para se të fillonte protesta, së cilës i janë bashkuar veteranët e UÇK-së, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e ka cilësuar atë si nxitje të trazirave që burimin e ka në luftën hibride që Serbia po e përdor kundër Kosovës.
Sveçla ka thënë se meqë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po e humb betejën në terren me kryeministrin Albin Kurti, tani ai është fokusuar nxitje të trazirave brenda Kosovës.
Ai i është referuar publikimit të një incizimi, ku dëgjohet biseda e shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, me përfaqësues të Listës Serbe, dhe insistimit të publikuesve të saj që kjo të shërbejë si arsye për protestë.
“Si rezultat i keqinterpretimeve të qëllimta e patëm një skenë dhune të provokuar në Parlamentin e Kosovës, dhe si të mos mjaftonin ato skena, që portretizuan Kosovën si vend jostabil në të gjitha mediat ndërkombëtare, sot ka edhe një protestë të thirrur para Qeverisë. Është edhe më e çuditshme që këtë protestë e kanë thirrur Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, kur të gjithë i dinë deklaratat e tyre publike se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë. Mbetet të shihet sot nëse qytetarët e Republikës së Kosovës do të ruajnë dinjitetin personal dhe pozicionin e shtetit, apo do të bien në këtë grackë të luftës hibride të Serbisë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
deklaratës së Sveçlës kanë reaguar partitë opozitare. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, duke e cilësuar skandaloz qëndrimin e ministrit ka thënë se Qeveria po nxit dhunë dhe përshkallëzim në protestë.
“Vetëm një Qeveri e dështuar, e papërgjegjshme dhe pa fijen e ndërgjegjes, përmes veprimeve të saj, kërkon dhunë në mesin e popullit të saj. Pikërisht, për ta eskaluar këtë protestë që veteranët tanë të përballen me policinë, vëllezërit dhe motrat e veta, një ministër pa karakter si Xhelal Sveçla del me fyerje dhe nxitje të tilla”, ka thënë Krasniqi.
E shkarkim të ministrit të Brendshëm ka kërkuar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
“Të injorosh komunikimin e shefes së partisë me një terrorist e të ndërtosh gjuhë nxitëse e përplasëse me plot imagjinatë, është maskaradë. Sot, mbi të gjitha na duhen politikanë që distancohen nga një mendësi primitive e tillë. E mendësia e tillë meriton veçse shkarkim”, ka thënë Abdixhiku.
Thirrje kryeministrit Kurti që të ndalojë ndarjen dhe përçarjen e popullit, të shtunën i ka drejtuar kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Ato që dikur i ke shfrytëzuar si të drejta për vete, (protestat e demonstratat) mos provo t'ua ndalosh të tjerëve. Nuk ta kanë fajin veteranët, as shoqëria civile, as mediat, as gazetarët e as opozita! Fajin e ke vetë që nuk po qeveris me vendin, por po mundohesh ta sundosh atë”, ka thënë ai.
Reagim ndaj deklaratës së Sveçlës pati edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. AGK-ja ka dënuar gjuhën ndaj dy pronarëve të mediave, të cilët i ka përmendur ministri.
“Gjuha e tillë rrezikon sigurinë e gazetarëve të përmendur dhe është pjesë e tentimit të vazhdueshëm të pushtetit për të frikësuar mediat”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Organizimi i protestës është arsyetuar me pakënaqësinë ndaj mospërfshirjes së veteranëve në Ligjin për pagën minimale dhe komunikimit që shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka pasur me përfaqësues të Listës Serbe.