LAJMET E MBRËMJES

Stacioni policor i Mitrovicës së Veriut sulmohet me shok-bomba

Situatë e qetë e pa tensione ka mbretëruar gjatë ditës së shtunë në katër komunat e veriut, të banuara kryesisht me serbë. Por, gjatë natës u sulmua me shok-bomba stacioni i Policisë në Mitrovicë të Veriut. E, në Beograd u ankuan se këtë natë pati aksione të Policisë për të arrestuar një numër serbësh

Për dy ditë më radhë, stacionet policore në komunat veriore të banuara kryesisht me serbë janë bërë cak sulmi me shok-bomba.

Në stacionin e Policisë në Mitrovicë të Veriut janë gjuajtur dy të tilla, të shtunën. Megjithëkëtë, organet e sigurisë e vlerësuan të qetë situatën në përgjithësi.

“Dy shok-bomba janë gjuajtur mbrëmë në stacionin policor në Mitrovicë të Veriut. Situata për momentin është stabile, ndërsa në Leposaviq janë një numër i vogël i protestuesve”, i ka thënë KOHËS Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë në veri.

Me shok-bomba e gurë, stacioni në Mitrovicë të Veriut, por edhe ai në Zveçan është gjuajtur edhe një ditë më parë. Përveç dëmeve materiale, nuk është raportuar për zyrtarë të lënduar nga ndonjëri prej sulmeve.

Por, situatën e mbrëmshme në Mitrovicë të Veriut ndryshe e ka paraqitur drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Në një konferencë për media, të shtunën, Petkoviqi shprehu pretendimin se ka pasur “tentim për arrestime”.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për këtë natë, e cila ishte ferr për qytetarët, por që Kurti të provokojë gjatë gjithë kohës dhe të dëshirojë të shkaktojë konflikte dhe luftë. Policia e Kurtit ka tentuar të bëjë disa arrestime dje në Lagjen e Boshnjakëve, pastaj ka tentuar të arrestojë dy vëllezër, Goran dhe Vlad Vuçetiqin, në qendër të qytetit. E kanë ndjekur edhe Miroslav Zhivkoviqin, i cili është shok i Milun Milenkoviqit dhe aksioni ka zgjatur gjithë natën”, ka thënë Petkoviq.

Tensione nuk janë parë në veri, një ditë pasi në Leposaviq turma të maskuara të serbëve sulmuan me gurë e shok-bomba dhe shqelmuan gazetarë e kameramanë shqiptarë. Por, në këtë komunë, e edhe në Zveçan e Zubin-Potok, edhe të shtunën serbët i mbajtën të bllokuara objektet komunale.

Tensionet në veri kanë nisur që nga 26 maji, kur kryetarët e rinj shkuan në zyra për ta ushtruar detyrën.