Zyra Kombëtare e Auditimit i ka dërguar në Prokurori të Shtetit 51 raste të dyshimta për hetim të mëtejshëm. Sipas këtij institucioni, rastet më të shpeshta janë në nivelin lokal që lidhen kryesisht me parregullsi në prokurim, subvencionime dhe punësime
51 raste të dyshimta që i ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit janë dërguar në Prokurori të Shtetit për analizë dhe hetime të mëtejme.
Në një konferencë për media, auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, tha se rastet e dërguara për hetim janë kryesisht nga fusha e prokurimit, subvencionimeve dhe punësimeve.
“Rastet e identifikuara janë kryesisht nga fusha e prokurimit, si procesi i prokurimit, lidhja e kontratave, shpenzimet në kategorinë e investimeve kapitale dhe mallrave, ku janë identifikuar 36 raste. Tetë (8) raste janë identifikuar në kategorinë e subvencioneve dhe transfereve, si dhe 7 raste në fushën e punësimit”, tha Spanca.
Sipas saj, rastet më të dyshimta gjatë auditimit për sezonin 2022-23 janë evidentuar në nivelin lokal.
“Sa u përket rasteve të cilat i kemi dërguar në prokurori janë për thuajse për të gjitha organizatat buxhetore si në nivelin qendror ashtu edhe atë lokal, po ashtu edhe tek ndërmarrjet publike, por ajo që mund të konfirmoj për sot se pjesa më e madhe e gjetjeve dhe rasteve që i kemi dërguar në Prokurori për hetime të mëtejme i takojnë nivelit lokal”, tha Spanca.
E një memorandum bashkëpunimi që është lidhur me Prokurorinë e Shtetit në mars të këtij viti, që të njoftojë për fazën hetimore të rasteve, sipas Spancës, ende nuk i ka dhënë frytet.
“Ne kemi lidhur një marrëveshje bashkëpunimi me Prokurorin e Shtetit dhe në bazë të asaj marrëveshjeje parashihet që ne të kemi të dhëna dhe informacione se në cilën fazë gjenden rastet të cilat i kemi dërguar, megjithatë tash nuk është që kemi vendosur një shkëmbim të informacioneve në nivel, mund të konfirmoj që në vazhdimësi organet përkatëse e kontaktojnë Zyrën Kombëtare të Auditimit… Nuk kemi ndonjë informatë për epilogun e rasteve që i kemi dërguar, deri tash kemi dërguar 300 raste”, tha Spanca.
Në sezonin auditues, janë vërejtur parregullsi në raportet vjetore financiare të institucioneve publike. Shpenzimet në vlerë mbi 10 milionë euro janë klasifikuar në kategori joadekuate. Po ashtu është evidentuar se janë realizuar pagesa në vlerë mbi 700 mijë euro për pjesëtarët e komunitetit serb, të cilët nuk zhvillojnë aktivitete në kuadër të ministrive përkatëse.
E zbatimi i rekomandimeve të dhëna në vitin paraprak, sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, nuk është në nivelin e kënaqshëm.