Nga e hëna do të nisë zbatimi i dy vendime që Qeveria i ka marrë në fund të qershorit. Shtetasve të Serbisë nuk do t’u njihen dokumentet e identifikimit dhe kur të hyjnë në kufi do të pajisen me leje të përkohshme qarkullimi. Po nga kjo ditë, do të fillojë të rrjedhë afati prej dy muajsh për ndërrimin e targave ilegale në ato RKS. Në prag të zbatimit të vendimeve, zyrtarë serbë kanë ashpërsuar diskursin ndaj Kosovës, ndërsa nga droja për tensione, kryeministri Kurti ka thirrur për të dielën një mbledhje të Këshillit të Sigurisë.
Vetëm edhe të dielën, shtetasit e Serbisë do të mund të hyjnë në Kosovë me dokumente identifikimi të këtij vendi.
Nga java e ardhshme, ato nuk do të njihen dhe do të pajisen me një dokument për hyrje-dalje, i ngjashëm me atë që shtetasit e Kosovës pajisen me të hyrë në Serbi.
Prapa kamere, disa prej serbëve që të shtunën kaluan pikën kufitare në Jarinjë, nuk u shprehën të kënaqur me vendimin.
Por, kishte edhe të atillë që e mirëpritën atë, ndonëse u ankuan se nuk janë mirë të informuar për reciprociteti e vendosur.
“Nëse ata mendojnë se do të lehtësohet, atëherë sigurisht. Vërtet nuk e di. Do të thotë unë kaloj këndej një herë në vit, kështu që…” ka thënë një qytetar.
“Le të zgjidhet dhe të mos e kemi këtë problem. Nuk më intereson çka është e si është vetëm le të zgjidhet. Nuk më pengon mua... Jam i lindur prej këtu, nga Jarinja. Këtu jam lindur”, ka deklaruar një tjetër.
Në prag të hyrjes në fuqi të vendimit të Qeverisë, përmes të cilit do të vendoset reciprocitet në përdorimin e dokumenteve identifikuese, të shumta kanë qenë reagimet në Serbi.
Ministri i jashtëm, Nikola Selakoviq, ka thënë se shqiptarët po “përgatisin ferr” në Kosovë.
Kurse, shefi i delegacionit serb në dialogun me Kosovën, Petar Petkoviq, ka thënë se vendimet për letërnjoftim e targa janë në kundërshtim me marrëveshjet e arritura në Bruksel.
“Kurti nuk është i interesuar për marrëveshjen, as për dokumentet hyrëse-dalëse, ai është i interesuar për heqjen e letërnjoftimeve serbe të serbëve që banojnë në Kosovë dhe Metohi, sepse dëshiron të ndrydhë ekzistencën e shtetit të Serbisë në territorin e Kosovës”, ka thënë ai.
Përveç vendimit për reciprocitet në dokumentet identifikuese, të hënën në fuqi do të hyjë edhe vendimi i Qeverisë për afat dymujor, gjatë të cilit qytetarëve serbë duhet t’u ndërrojnë targat ilegale të veturave në ato RKS.
Përfaqësues të institucioneve të Kosovës i druhen cenimit të sigurisë, me të nisur zbatimi i vendimeve. Prandaj, për të dielën është caktuar takimi i Këshillit të Sigurisë.
“E dimë që ka njerëz jashtë ligjit, ka kriminelë të llojeve dhe ngjyrave të ndryshme të cilët nuk ju pëlqen ligjshmëria dhe kushtetutshmëria dhe të cilët dëshirojnë që ta sfidojnë shtetin e Kosovës andaj kjo mbledhje është për të diskutuar se a janë marrë të gjitha masat që gjithçka të shkojë ashtu siç është menduar pra ashtu siç është planifikuar gjithnjë sipas shtetit të së drejtës që është edhe sundim i ligjit edhe kushtetutshmëria”, ka deklaruar kryeministri Albin Kurti të shtunën.
Masa e reciprocitetit për dokumentet identifikuese dhe vendimi lidhur me ndërrimin e targave, janë miratuar nga kabineti qeveritar në fund të qershorit.