Me moton “Për identitet dhe dinjitet”, me qindra qytetarë dhe udhëheqës të partive politike në Luginë të Preshevës, nëpërmjet protestës kanë kërkuar trajtim të barabartë nga Serbia. Protestuesit kanë shprehur kërkesa për njohjen e teksteve shkollore në gjuhën shqipe si dhe njohjen e diplomave të lëshuara nga Kosova
Ani se qëndrimet politike në përditshmëri i kanë të kundërta, qëllimin për një protestë paqësore udhëheqësit e spektrit politik shqiptar të Luginës së Preshevës të hënën e kanë pasur të përbashkët. Duke e bartur në duar flamurin kombëtar shqiptar dhe atë amerikan, si dhe pankarte me mbishkrime: “Stop pasivizmit selektiv”, “Të shtypur po, të nënshtruar jo” dhe “kthema adresën”, ata bashkë me qindra qytetarë të komunave me shqiptarë në Serbi, të veshur me fanella në të cilat shkruante “Për identitet dhe dinjitet”, destinacion e kanë pasur qendrën e qytetit Bujanocit, ku i kanë shprehur pakënaqësitë kundër shtypjes dhe diskriminimit që po u ushtrohet nga autoritetet serbe.
Shaip Kamberi, deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, e ka akuzuar Qeverinë në Beograd për mohimin e të drejtave të pakicës shqiptare, tek ka theksuar se ajo “nuk e dëshiron integrimin e tyre në organet shtetërore në mënyrë të drejtë dhe të barabartë”.
“Qeveria në Beograd për qytetarët në Luginë të Preshevës po shkel rëndë vlerat më elementare të BE-së, paqen, demokracinë, të drejtat e njeriut, drejtësinë, barazinë, sundimin e së drejtës”, ka thënë ai para të pranishmëve në protestë.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, shqiptarët e përbëjnë pakicën e katërt më të madhe në Serbi.
“Beogradi vazhdon me avazin e vjetër, t’i trajtojë shqiptarët si armiq, si popull të rendit të dytë, i cili nuk meriton pjesëmarrje institucionale. Ka vazhduar me diskriminim duke mos i njohur diplomat, dhe me mosintegrimin dhe me pasivizimin (e adresave)”, ka thënë Kamberi.
E Nevzad Lutfiu, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, ka theksuar se nga mesi i 24 komuniteteve që jetojnë në Serbi, asnjëri nuk përballet me sfidat që i ka komunitetit shqiptar.
“Është rasti i vetëm në Evropë dhe shumë i rrallë në botë, kur shteti e diskriminon një komunitet vetëm për shkak të përkatësisë etnike, e çudia është se ky shtet është kandidat për t’u bërë pjesë e Evropës, bashkësisë ku të qenët ndryshe është vlerë”, ka thënë Lutfiu.
Protestuesit kanë shprehur edhe kërkesa të tjera. Mësimdhënësi, Llukman Misini, ka kërkuar që për nxënësit shqiptarë të njihen tekstet shkollore në gjuhën shqipe.
“Po na ndalohet historia si lëndë, e libri i historisë si tekst të cilin përshkruhet e gjithë e kaluara”, ka theksuar ai.
Pritje për trajtim të barabartë të shqiptarëve dhe për ndalim të diskriminimit të tyre nga Serbia kanë shprehur shumë qytetarët që kanë qenë pjesë e protestës të së hënës.
“Shpresojmë që pas kësaj proteste të ndërmerret diçka pozitive”, ka thënë qytetari Lulzim Maliqi.
Fetah Aliu, i cili të hënën ka qenë në protestë, ka thënë se shkaku i diskriminimit është detyruar që të dalë në mërgim.
“Unë që 40 vjet e kam lëshuar këtë vend dhe jetoj në Belgjikë, po për këtë arsye”, ka theksuar ai.
Një prej problemeve me të cilat përballet shqiptarët e Luginës së Preshevës është edhe mosnjohja e diplomave universitare të fituara në Kosovë, pavarësisht se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për këtë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE). Ato kanë arritur disa herë marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të diplomave universitare, ndërsa më 2020 ato e ritheksuan përkushtimin e tyre për njohjen e diplomave dhe certifikatave profesionale, por deri tani nuk janë bërë hapa për zbatimin e tyre.
Enis Fejzullahu, student nga Bujanoci që studion në Kosovë, ka përmendur vështirësitë me të cilat të rinjtë e Luginës së Preshevës përballen për shkak të mosnjohjes së diplomave të tyre.
“Studentin e Luginës së Preshevës gjatë gjithë kohës së studimeve dhe pas diplomimit, e ndjek barra e mosnjohjes së diplomës, brenga se çfarë pas përfundimit të studimeve dhe frika që nuk do të mundë të ushtrojë profesionin e tij në vendin e tij. Studenti shqiptar i Luginës së Preshevës nuk është student i zakonshëm. Për mua dhe për ne, student i Luginës që studion në Kosovë është një hero. Diplomat mund edhe mos të na i njohin, por vullnetin dhe dashurinë për këtë vend, ata kurrë nuk mund të na shuajnë. Dijen nuk mund të na e marrin. E ardhmja jonë është këtu”, ka thënë ai.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë të hënën se shqiptarët në Luginë të Preshevës janë duke u përballur me diskriminim sistematik, teksa ka shtuar se kërkesat e tyre të paraqitura në protestë “janë plotësisht legjitime dhe të drejta”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet bashkëkombasit tanë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë si dhe mbetet e angazhuar për të ngritur këto çështje në nivelet më të larta ndërkombëtare dhe të kërkojë përkrahje për t'i dhënë fund diskriminimit të padrejtë”, ka shkruar ai në Facebook.
Protestuesit të hënën kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë me protesta deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Disa javë më parë, Komisioni Evropian dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë shprehën shqetësimin për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës nga autoritetet e Serbisë.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme gjermane, kjo tendencë e Serbisë bie ndesh me obligimet që ka ky vend për respektimin e të drejtave të pakicave. Sipas autoriteteve shqiptare në Luginë, deri më tash janë pasivizuar rreth gjashtëmijë adresa në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.