Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë ka shprehur keqardhje të thellë për retorikën e Serbisë ndaj Kosovës, e cila, sipas saj, mbështetet mbi raporte të diskredituara sikurse ai i Dick Martyt. Reagimi i Tiranës zyrtare u bë pas deklaratave të fundit, ku është përmendur edhe lufta për shkak të thirrjeve nga Serbia
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar të martën ndaj deklaratës së Ministrisë së Jashtme të Serbisë, e cila akuzoi institucionet e Kosovës “për persekutimin e serbëve” dhe shpërndarjen e “retorikës luftënxitëse”.
Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka shprehur keqardhjen për përpjekjen e Serbisë që të rikthejë “hijet e së shkuarës” tek ka theksuar se deklaratat janë të pabaza dhe të mbështetura në raporte të diskredituara, si ai i Dick Martyt.
“Është për të ardhur keq që deklarata e Ministrisë së Jashtme të Serbisë mbështetet ende mbi një Raport tashmë të diskredituar të Dik Martit, kur faktet e hetuara nga autoritetet vendase dhe ndërkombëtare kanë dëshmuar qartë se pretendimet e ngritura aty janë një fabrikim i pastër, pa asnjë provë faktike. Këto të pavërteta, të njohura ndërkombëtarisht si përpjekje për të njollosur imazhin e Shqipërisë dhe të Kosovës, nuk mund të përdoren më për t’iu shmangur përgjegjësisë së historisë. Historia nuk rishkruhet me retorikë, ajo mbahet mend me përgjegjësi. Në këtë kontekst, çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën dhe për të ndërruar rolet e viktimës me të agresorit është e papranueshme dhe bie ndesh me çdo frymë të paqes e pajtimit që rajoni ynë kërkon e meriton”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.
Tutje ajo ka theksuar se rajoni ka nevojë për pajtim dhe bashkëpunim në frymën e fqinjësisë së mirë.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë shpreh bindjen e thellë se rajoni ynë ka nevojë për pajtim, respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim të sinqertë në frymën e fqinjësisë së mirë, jo për rikthim te gjuha e akuzave e viktimizimit. Vetëm kështu mund të çlirohemi përfundimisht nga hijet e së shkuarës dhe të ndërtojmë së bashku një të ardhme në paqe, siguri dhe prosperitet një Ballkan të bashkuar në familjen tonë evropiane, ku përkasim nga rrënjët dhe aspiratat. Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet e gatshme për një bashkëpunim gjithëpërfshirës rajonal, në frymën e miqësisë së mirë, dinjitetit dhe përgjegjësisë ndaj qytetarëve tanë”, përfundon deklarata.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të shtunën e kaluar se “thirrjet e pamatura” të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për luftë janë jehonë e rrezikshme e kapitujve më të errët të historisë së kohëve të fundit.
Ajo i është referuar një deklarate të presidentit serb të bërë të premten, kur ka thënë se “të gjithë po përgatiten për luftë” dhe se Kosova po “përpiqet ta përdorë këtë kohë para luftës” për t’i bindur shumicën e shteteve evropiane dhe vendet e NATO-s t’ia mbajnë anën Prishtinës.
Vuçiqi i ka bërë këto komente si përgjigje ndaj pyetjes së një gazetari për thirrjen e presidentes Osmani që Evropa t’i parandalojë taktikat agresive dhe destabilizuese të Serbisë ndaj fqinjëve të saj.
“Pavarësisht viteve të angazhimit të palodhur amerikan dhe evropian për t’ia hapur rrugën paqes afatgjatë, Vuçiqi është duke i treguar botës se nuk e ka zgjedhur rrugën e pajtimit. Në vend të ndryshimit të faqes, Vuçiqi dhe regjimi i tij janë duke flirtuar edhe një herë me fantazitë e njëjta destruktive që kanë shkatërruar shumë jetë të pafajshme”, ka thënë Osmani përmes një postimi në “X”.
Përplasje mes Osmanit e Vuçiqit pati edhe në Samitin e Bërdo-Brionit të mbajtur në Durrës të hënën.
Tek ka folur për zhvillimet brenda takimit me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, presidentja Osmani ka deklaruar se presidenti i Serbisë ka tentuar ta prishë takimin duke u drejtuar me arrogancë e fyerje. Mes tjerash, presidenti serb është ankuar edhe për aleancën që Kosova, Shqipëria dhe Kroacia e kanë nënshkruar në fillim të këtij viti në fushën e mbrojtjes.
Mosmarrëveshjet me presidenten e Kosovës i ka konfirmuar edhe Vuçiqi, duke thënë se ato erdhën në diskutimin për integritetin territorial tek e ka cilësuar Osmanin të padenjë për të folur rreth këtyre temave.