SHBA-ja e Britania e Madhe nuk janë duke u pajtuar me zgjidhjen që Qeveria e Kosovës ka ofruar për të nisur së zbatuari Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës. Zyrtarë të këtyre vendeve insistojnë se ajo duhet shtyrë deri në gjetjen e një zgjidhjeje për qytetarët që ende përdorin dinarin dhe se çështja duhet shtruar në dialogun Kosovë-Serbi. Nisja e zbatimit të Rregullores së BQK-së nuk është mirëpritur nga qytetarët serbë, derisa janë shprehur konfuzë për periudhën tranzitore e informuese të paralajmëruar nga Qeveria e Kosovës
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i druhen shpërthimit të tensioneve të reja në veri të Kosovës shkaku i hyrjes në fuqi të Rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalim të valutave të huaja.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, pas takimit të enjten me kryeministrin Albin Kurti, përsëriti qëndrimin kundër kësaj rregulloreje në këtë kohë.
“Unë mendoj se do të ketë tensione nga njerëzit, sepse ata do të ndihen se iu është ndërprerë një përfitim në të cilin ata mbështeten. Askush nuk e dëshiron këtë. Ne jemi të shqetësuar për individët dhe jetën e tyre”, ka thënë ambasadori Hovenier.
Ai tha se kjo çështje duhet trajtuar në dialogun Kosovë-Serbi dhe se shpreson në sukses gjatë periudhës tranzitore të paralajmëruar nga zyrtarët qeveritarë.
Sipas tij, vendimi për rregulloren është i nxituar dhe jo i menduar mirë, shkaku i mosevitimit të ndikimit që ai mund të ketë në jetën e qytetarëve.
“Po flas për Shtetet e Bashkuara dhe shqetësimin që kemi për mënyrën në të cilën ne besojmë se kjo është e nxituar dhe jo, siç thashë të hënën, e menduar plotësisht, se ka ende punë për të bërë për të siguruar që të mos ketë asnjë ndikim në jetën e përditshme të individëve, të cilët ne duam që të gjithë të jenë në gjendje të jetojnë në kushte dinjiteti dhe sigurie”, ka thënë ai.
Ambasadori amerikan është shprehur se nuk e di se do të mund të shmanget zhgënjimi i qytetarëve për vendimin, teksa ka marrë shembull një pensionist që paguhet nga Serbia.
“Le të marrim vetëm një shembull të një personi të moshuar që po merr një përfitim social pikërisht tani që janë mësuar me një proces. Unë besoj se ai proces ka qenë për të shkuar në një zyrë të Postës Serbe për të marrë një pagesë në para. Nuk i di specifikat. Si e merr ai person tani atë përfitim social? Çfarë procedurash janë vendosur që ai person të marrë atë përfitim social? Dhe derisa ai person, ai i moshuar, që mund të jetë i hutuar nga e gjithë kjo, mund ta kuptojë që të tjerët kanë ndërmarrë veprime për të siguruar që përfitimet sociale janë ende në dispozicion për ta”, ka shtuar ai.
Edhe Britania e Madhe përsëriti kërkesën për mosfuqizim të Rregullores, me arsyetimin se nevojitet periudhë e gjatë tranzicioni për njoftim të qartë e efektiv të qytetarëve.
Në një përgjigje për KOHËN nga Ambasada e Britanisë në Kosovë kanë përsëritur qëndrimin e ndarë në fundjavë së bashku me ambasadorët e tjerë të QUINT-it.
“Ne jemi të shqetësuar për ndikimin e Rregullores në veçanti në shkolla dhe spitale, për të cilat asnjë proces alternativ nuk duket i zbatueshëm për momentin. Rregullorja gjithashtu do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës dërrmuese të serbëve të Kosovës që marrin pagesa/ndihma financiare nga Serbia”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Britanisë të enjten.
Por, Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas kryeministrit Albin Kurti, nuk mund të jetë çështje negocimi nga politikanët.
“Banka Qendrore e Kosovës është institucion i pavarur. S’munden politikanët t’i mbivendosen institucionit të pavarur sepse asisoj e humbim karakterin e republikës demokratike. Duhet të përpiqemi që gjithçka të shkojë mirë qetë, në paqe, e siguri. Por kushtetutshmëria, ligjshmëria dhe vendimmarrja e institucioneve të pavarura s’mund të negociohet nga politikanët”, ka thënë Kurti gjatë qëndrimit në Podujevë.
Ai ka shtuar se çfarëdo ankese apo vërejtje në lidhje me çështjen e Rregullores së BQK-së “do të adresohet me seriozitetin më të lartë e shpejtësinë më të madhe”.
“Me sa di unë, gjithçka ka shkuar në rregull dhe pikërisht përgatitjet e suksesshme për zbatimin e Rregullores së BQK-së kanë alarmuar Beogradin zyrtar dhe ata u përpoqën të përhapin panik nëpërmjet një fushate që trumbetohej nga kreu i shtetit atje”, ka thënë ai.
Me gjithë kërkesën e faktorit ndërkombëtar për pezullimin e nisjes së zbatimit të Rregullores së BQK-së, ajo ka hyrë në fuqi të enjten.
Një ditë më parë, të mërkurën, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se për një periudhë të pacaktuar qytetarët e bizneset që përdorin dinarin nuk do të ndëshkohen dhe se zbatimi i Rregullores do të përcillet me një periudhë tranzicioni informuese.
Por, për këtë periudhë të painformuar janë shprehur qytetarët serbë që vazhdojnë ende të përdorin dinarin. Me gjithë paralajmërimet nga institucionet e Kosovës për një fushatë informuese për ta, ajo nuk ka nisur ende.
Qytetarët serbë janë shprehur konfuzë në lidhje me vendimin për ndalim të valutave të huaja për transaksione me kesh, e disa prej tyre kanë shkuar edhe më larg, duke thënë se me këtë synohet të detyrohen serbët të shpërngulen.
“Qytetarët nuk janë të informuar dhe të përgatitur me kohë dhe kjo do të shkaktojë katastrofë humanitare. Të rinjtë do të mësohen, por çka me ata që marrin pensione e ndihma humanitare, të cilëve posta ua ka sjellë deri te dera”, ka thënë Blagica Radovanoviq, qytetare.
“Si të përgatitemi kur nuk na lejojnë t’i marrim pensionet dhe pagat. Asgjë nuk na mbetet, vetëm të largohemi. Ky vendim është largim me dhunë. Ai na shtyn të largohemi nga këtu. Nuk do të shkoj vetëm unë, por e gjithë familja ime. Jemi gjashtë dhe katër nga ne marrim paga në dinarë”, ka thënë një tjetër qytetar Jovica Llaziq.
Pagesat në dinarë të enjten u bënë pa problem, derisa pati edhe qytetarë që thanë se vendimin për mospërdorimin e tij do ta zbatojnë nëse e bëjnë edhe të tjerët.
“Me dinarë kam paguar. Po kam dëgjuar për vendimin, por me dinarë tash për tash, si do të bëhet. Ku ta di, nëse të gjithë e respektojnë vendimin, normalisht do ta respektoj edhe unë”, ka thënë një qytetar.
E një tjetër ka shtuar se për këtë çështje është “përgatitur moti”.
“Me vetë faktin që jetoj këtu e di që ngadalë po përfundon gjithçka”, ka thënë Standa Similiq.
Institucionet e Kosovës të enjten nuk kanë sqaruar afatet e periudhës tranzitore që do të vlejë për informimin e qytetarëve që ende përdorin dinarin.
Njohësit e funksionimit financiar në veri të Kosovës kanë qëndrime të ndryshme në lidhje me të.
Kontabilisti Halit Voca ka thënë se institucionet do të duhej të kishin një plan të qartë se si do ta zëvendësojnë dinarin me euro.
“Ne duhet të bëjmë një fushatë informuese me modalitetet, me forma të qarta dhe të jem jashtëzakonisht pranë qytetarëve...me një fushatë të mirëfilltë, pa politizime, pa tensione me përkrahjen e ndërkombëtarëve do të arrihet dhe do të vendoset një rend i mirëfilltë në këtë aspekt”, ka thënë ai.
E ekonomisti Nysret Maxhera është shprehur se me hyrjen në fuqi të Rregullores së BQK-së ka marrë fund përdorimi i dinarit. Sipas tij, informimi i qytetarëve serbë për ndryshimet është lehtë i realizueshëm.
“Nëse Serbia jep dinarë atëherë le të konvertojnë, janë organet, janë institucionet, janë këmbimoret të cilat merren profesionalisht me të dhe unë nuk e shoh se ku është pengesa. Ku është që s`ka me mujt me realizu të drejtat e veta”, ka thënë Maxhera.
Euroja është valuta e vetme zyrtare në Kosovë që nga viti 2002, por qytetarët serbë kanë vazhduar ta pranojnë e të kryejnë pagesa me dinarë.