Banorët e fshatit Dren të Leposaviqit kanë protestuar edhe të enjten kundër shpronësimit të tokave, që Qeveria i ka shpallur me interes publik. Punimet në zgjerimin e rrugës janë ndalur e Lista Serbe u ka shkruar ambasadave e misioneve të huaja në Kosovë. Qeveria nuk i ka komentuar ndaljen e punimeve dhe protestën
Vendimi i Qeverisë për shpronësimin e disa tokave të shpallura me interes publik në zonat kadastrale në Dren dhe Leshak i ka nxjerrë sërish në rrugë banorët serbë të Leposaviqit.
Ata, të enjten, për herë të dytë kundërshtuan zgjerimin e rrugës, duke e quajtur vendimin e ekzekutivit të paligjshëm.
Siç raportoi “Kosovo Online”, punimet në rrugë janë ndërprerë, por banorët nuk janë mjaftuar me kaq.
“Nuk mjafton që makineritë janë fikur dhe puna është ndalur. Ne duam që makineritë dhe pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë të tërhiqen. Vendimi të anulohet dhe të na lënë ta jetojmë jetën tonë të qetë, siç kemi jetuar deri tani”, ka thënë një banor serb.
Për shpronësimet në Leposaviq, Lista Serbe u ka dërguar të enjten letër ambasadorëve të QUINT-it, me pretendimin se përmes shpronësimit, që ajo e ka quajtur të paligjshëm, pronarëve serbë po u sekuestrohen pronat.
Letra u është nisur edhe shefave të misioneve të BE-së, UNMIK-ut, OSBE-së, si dhe komandantit të KFOR-it.
“Letra tregon qartë shkeljen e të gjitha rregullave ligjore që rregullojnë çështjen e shpronësimit dhe se kjo procedurë është e papranueshme për pronarët e patundshmërive dhe popullin serb që jeton në veri të Kosovës”, thuhet në letrën e Listës Serbe.
Zëdhënësi i zyrës së Bashkimit Evropian për Kosovën, Nikola Gaon, ka kërkuar të respektohen plotësisht të drejtat e pronarëve.
Për “Kosova Press”, ai ka deklaruar se, sipas ligjit të Kosovës, procesi i shpronësimit kërkon periudhë për konsultim publik dhe mundësi për qytetarët ta kundërshtojnë atë përpara se çdo vendim për shpronësim të bëhet final.
Qeveria në mbledhjen e mbajtur më 16 janar ka miratuar vendimin “për shpalljen me interes të veçantë publik të pronave të paluajtshme, të cilat janë të nevojshme për realizimin e ‘Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik’, Zonat Kadastrale: Dren dhe Leshak, Komuna Leposaviq”.
Qeveria nuk i ka komentuar ndaljen e punimeve dhe protestën.