Trojet shqiptare, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre, janë bërë bashkë të enjten në Tiranë. Në kuadër të Samitit të Diasporës, liderë dhe përfaqësues të vendeve të rajonit e më gjerë kanë vlerësuar rolin e shqiptarëve kudo në botë. Nga zhvillimi i punimeve të këtij samiti, prej homologut të tij nga Shqipëria nuk ka kaluar pa u përmendur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk ka lënë pa i dërguar një porosi homologut të tij nga Kosova, Albin Kurti, i cili nuk ka marrë pjesë në tubimin e organizuar prej tij të përfaqësuesve të trojeve shqiptare të enjten në Tiranë.
Si nikoqir i Samitit të Diasporës, Rama i ka kërkuar Kurtit që ta dëgjojë presidenten, Vjosa Osmani.
“Mendoj se që tani është Dita e Alfabetit, dita e gjuhës që na bashkon të gjithëve dhe që është thesari dhe bekimi ynë më i madh të jetë një ditë feste kombëtare edhe në Shqipëri dhe patjetër unë besoj që edhe presidentja e Kosovës do t’ia japë këtë sugjerim kryeministrit të vet. Unë e dëgjoj presidentin për veten time”, ka thënë Rama, gjatë fjalës së tij para të pranishmëve.
Kohëve të fundit, kryeministrat Rama dhe Kurti kanë shpërfaqur shumë mospajtime, veçmas për çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën. Madje, në vizitën e fundit në Prishtinë, Kurti nuk e ka pritur Ramën në takim.
Kryeministri Rama ka thënë se Samiti i Diasporës është udhëkryq i të gjithëve, pa marrë parasysh dallimet që mund të kenë. Sipas tij, shqiptarët kanë arsye për të mos qenë të kënaqur me punën që është bërë në trevat shqiptare, pasi që ka edhe shumë punë për t’u bërë.
Në edicionin e tretë të samitit, i cili ka mbledhur me dhjetëra udhëheqës nga të gjitha vendet e rajonit dhe më gjerë, është çmuar kontributi i diasporës kudo në botë. Është thënë gjithashtu se shkaku i tyre është përmirësuar pozicioni i shqiptarëve në rajon dhe se zëri i tyre po dëgjohet edhe më gjerë.
E presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka adresuar një kërkesë për diasporën shqiptare.
“Ju ftoj të kontribuoni aktivisht me ide, sugjerime, projekte dhe sipërmarrje për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, ekonominë e turizmin, të cilat ju mendoni se ne duhet të punojmë më shumë bashkërisht”, ka thënë ai.
Begaj ka shtuar se Shqipëria nuk e ka luksin që ta neglizhojë diasporën e saj.
“Nuk duhet ta shohim atë si pjesë të shkëputur, por si zgjatim të natyrshëm të kulturës dhe identitetit tonë. Kushtet kanë ndryshuar rrënjësisht, por kemi akoma shumë për të bërë”, ka theksuar ai.
Rolin e diasporës në botë e ka vlerësuar lart edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo ka thënë se me kontributin e dhënë, diaspora ka lënë gjurmë nëpër botë dhe se ka shërbyer si një urë lidhëse mes shteteve.
“Imazhi më i mirë i Kosovës është përkatësisht mërgata jonë, njerëz punëtorë e atdhetarë”, ka thënë Osmani, tek e përçoi një mesazh edhe për shqiptarët në Serbi.
“Mos të harrojmë se vëllezërit dhe motrat tona në Medvegjë, Preshevë dhe Bujanoc ende po përballen me diskriminim sistematik që rezulton edhe me spastrim etnik nëpërmjet mjeteve administrative. Si gjithnjë ju themi edhe sot, ju nuk jeni vetëm”, ka thënë ajo.
E kryetari i Preshevës, Shqipërim Arifi, ka kërkuar unifikimin e të gjithëve për Luginën.
“Ne nuk e kemi një front të hapur me Serbinë, ne e kemi një front të padukshëm i cili në mënyrë të përditshme përdoret nga Serbia për t’u pasivizuar, diskriminuar, nënçmuar dhe për të dhënë mesazhin se shqiptarët në Luginë të Preshevës janë qytetarë të klasës së dytë, së tretë dhe katër”, ka thënë ai.
Sipas Arifit, pa shqiptarët përreth Kosovës dhe Shqipërisë nuk janë të sigurt as ata brenda këtyre dy shteteve.
“Në qoftë se shqiptarët, në Tiranë dhe në Prishtinë, nuk e kuptojnë se pa investuar, pa kultivuar skajet e trojeve tona të cilët janë Mali i Zi, Lugina e Preshevës, e Maqedonia e Veriut, atëherë në të njëjtin moment është i rrezikuar edhe Tirana, por edhe Prishtina”, ka thënë Arifi.
Bashkim të shqiptarëve në arritjen e aspiratave drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) ka kërkuar kryetari i partisë shqiptare në pushtet në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti.
“Evropa nuk mund të jetë e qetë edhe pa Shqipërinë, Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi. Nuk mund të ketë paqe, stabilitet e siguri, pa Ballkanin Perëndimor. Fundi i fundit, djepi i Evropës është Mesdheu, prandaj ne vendin e kemi aty. Por, me përkushtim duhet punuar dhe asgjë e parealizueshme nuk mund të jetë”, ka thënë ai.
Ahmeti ka theksuar se shqiptarët tani kanë “një luftë më të re dhe më të fortë”.
“Të bëjmë të begatë atdheun tonë, të organizohemi shumë më fortë sesa jemi të organizuar dhe këtë mundësi mërgata e ka”, ka thënë ai.
E roli i shqiptarëve në Mal të Zi është theksuar nga kryetari i Partisë Alternativa Shqiptare, Nik Gjeloshaj.
“Sot shqiptarët janë një faktorë pa të cilin asnjë qeveri e ardhshme nuk do të mund të ketë legjitimitet, sepse ne jemi e vetmja shtyllë konstante dhe e sigurt e vlerave evropiane dhe euroatlantike në Mal të Zi”, ka thënë ai.