Ministria e Financave ka lansuar platformën për punësimin e të rinjve, me të cilën synon të mbështesë bizneset duke paguar deri në 6 muaj rrogat minimale për të rinjtë që punësojnë. Kryeministri Kurti ka thënë se kjo do të jetë mundësi për të rinjtë për të përfituar përvojë. Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka theksuar se bizneset do të përfitojnë mbështetje në gjetjen e fuqisë punëtore
Qeveria synon t’i punësojë rreth 10 mijë të rinj në sektorin privat këtë vit përmes ndërmjetësimit në punësim.
Nëpërmjet platformës “Super puna”, e lansuar të hënën, ekzekutivi ka bërë të ditur se do të subvencionojë pagën minimale prej 264 eurosh për gjashtë muajt e parë të secilit të punësuar.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se platforma është angazhim i kamotshëm i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve dhe njëkohësisht, sipas tij, edhe konkretizim i përkushtimit të Qeverisë për rritjen e punësimit të të rinjve.
“Ky është konkretizim i përkushtimit të Qeverisë në rritjen e punësimit të të rinjve dhe në mbështetjen e punëdhënësve tanë, si dhe shënon përmbushjen edhe të një tjetër premtimi për qytetarët e Republikës. Duke u ofruar të rinjve mundësinë për të fituar përvojë të vlefshme pune dhe për të zhvilluar aftësitë e tyre, ne po ndërtojmë një fuqi punëtore të aftë, e cila do ta rrisë ekonominë e vendi”, ka thënë Kurti.
Ai është zotuar se Qeveria do të vazhdojë mbështetjen e sektorit privat në angazhimin e fuqisë së re punëtore.
“Rinia është aset i së tashmes e potencial i së ardhmes”, tha ai.
Kurti ka folur edhe për masat e mëhershme të punësimit në kuadër të pakos së rimëkëmbjes ekonomike, duke thënë se janë punësuar 5 mijë gra.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se shuma prej 264 eurosh është vetëm mbështetje nga Qeveria dhe se bizneset janë shprehur të interesuara të ofrojnë paga më të larta se kjo shumë, që paraqet pagën minimale sipas Ligjit të Pagave.
“Synimi ynë do të jetë që përmes kësaj platforme të automatizuar të mundësohet që qysh në vitin e parë të kemi mbështetjen e deri në 10 mijë vendeve të reja të punës për të rinjtë tanë të moshave 18-25 vjeç”, ka thënë Murati.
Sipas tij, bizneset do të përfitojnë mbështetje në gjetjen e fuqisë punëtore, si dhe nuk do të kenë kosto për periudhën gjashtëmujore gjatë së cilës mund ta trajtojnë stafin e ri.
“Në fund të periudhës gjashtëmujore biznesi e ka një person të trajnuar që e njeh punën”, ka shtuar ai.
Murati vlerëson se kjo masë punësimi do të ketë edhe mbikëqyrje në mënyrë që të mos ketë keqpërdorime.
Sipas Agjencisë së Statistikave, shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmosha 15-24 me 38 për qind.
Platforma “Super puna” që do të shërbejë si pikëtakim mes punëdhënësve dhe punëkërkuesve është zhvilluar në bashkëpunim me Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.
Jean Christophe Favre nga kjo agjenci zvicerane u shpreh se platforma mundëson rritjen e numrit të të rinjve në punësim.
“Për shërbimet e punësimit, ndërmjetësimi digjital është veçanërisht i rëndësishëm, ai mundëson përmirësimin e efikasitetit të përputhjes së vendeve të punës, duke theksuar lidhjen midis tregut të punës dhe sektorit privat”, ka thënë ai.
Sipas tij, rreth një vit më parë ministri i Financave ka kërkuar nga ambasadori zviceran mbështetje për këtë sistem të punësimit dhe se tani janë të kënaqur që kanë mundur të përgjigjen pozitivisht.
Shkalla e papunësisë në Kosovë është 20.7 për qind. Por shqetësuese vlerësohet shkalla e lartë e atyre që nuk janë të punësuar dhe që nuk kërkojnë punë. Numri i tyre gjatë vitit 2021 ishte rreth 750 mijë persona.