LAJMET E MBRËMJES

Qeveria akuzohet për ndërhyrje në sistem të drejtësisë e hartim ligjesh antikushtetuese

Kosova, sipas raportit të KDI-së, sivjet ka shënuar rritje në vlerësimin e integritetit të institucioneve krahasuar me vitin 2015. Në debatin e organizuar me këtë rast, përfaqësues të opozitës e kritikuan Qeverinë për ndërmarrjen e iniciativave ligjore kundërkushtetuese, si dhe për ndikim në sistemin e drejtësisë

Për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë, për punësime partiake si dhe për hartim të ligjeve në kundërshtim me Kushtetutën është akuzuar qeverisja e drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) të premten në një prej paneleve të diskutimit organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), me rastin e publikimit të raportit mbi vlerësimin e integritetit kombëtar.

Gjatë diskutimit, përfaqësues të Qeverisë dhe të partive në opozitë kanë debatuar mbi veprimet e ndërmarra në drejtim të luftimit të korrupsionit.

Tek e ka kritikuar Qeverinë për veprime që “kanë çuar në kapje të institucioneve”, deputetja e Partisë Demokratike (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka përmendur si shembull Ligjin për Këshillin Prokurorial, për të cilin ka thënë se Ekzekutivi nuk i ka marrë parasysh rekomandimet e Komisionit të Venecias.

“Asnjëherë më shumë se tash së fundi nuk ka pasur aktivitete antikushtetuese të Qeverisë dhe shumicës parlamentare që i kemi parë pothuajse në shumicën dërmuese të projektligjeve që kanë ardhur në Kuvend. Ka pasur një tendencë të hapur për kapje”, ka thënë ajo. “Përkundër thirrjes së shoqërisë civile, përkundër thirrjes së partive opozitare, Qeveria apo shumica parlamentare nuk ka pasur vullnet për të inkorporuar nga një proces dhe si për pasojë, do të kemi një projektligj që synon kapjen e një institucioni të rëndësishëm”.

Arben Gashi, shef i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike (LDK), ka përmendur qëndrimin e Ekzekutivit për kryeprokurorin e shtetit.

“Kemi rastin e kryeprokurorit të shtetit, ku kryeministri del në Kuvend dhe deklaron se nuk do të jetë filan fisteku se unë nuk e dua, nuk do as presidentja e as kryetari i Kuvendit. Kjo është ndërhyrje direkte mbi një institucion të pavarur kushtetues, pa marrë parasysh emrat”, ka thënë Gashi.

Ai e ka kritikuar Qeverinë edhe për tenderë njëburimore, tek ka paralajmëruar se do të kërkojë debat parlamentar si dhe hetim parlamentar për rastet.

Qëndrimet e shprehura nga përfaqësuesit e subjekteve opozitare i ka kundërshtuar shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.

“Sikurse një qeveri të kishte synimin, atë që e deklaruan, të kapjes dhe korruptimit të drejtësisë, nuk do të kishte shkuar me një reformë të tillë në raport me sistemin e drejtësisë”, ka thënë ajo.

Duke folur për efikasitetin e sistemit prokurorial, Kusari-Lila ka përmendur rastin e kryeshefit të Korporatës Energjetike (KEK), i cili vazhdon të jetë në arrest ndonëse nuk ka aktakuzë ndaj tij.

“Në prill bëhen një vit që z. Nagip Krasniqi është me arrest shtëpiak, i cili nuk e ka aktakuzën e finalizuar dhe kjo vjen në shprehje tek sistemi prokurorial. Të themi cili është kredibiliteti i një sistemi prokurorial që arreston dhe për një vit mban një njeri jashtë punës”, ka thënë ajo.

Ndaj kësaj kritike ka reaguar ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit, Besim Kelmendi.

“Ju jeni deputetë, ju i keni bërë ligjet, ju keni thënë që 2 vjet mund të zgjatë një hetim dhe plus një vit me leje të gjykatës mund të zgjasë hetimi. Nuk dua të flas për raste konkrete, por nëse jemi brenda afate ligjore për të ngritur aktakuzë, kisha dashtë që t`i respektojmë të gjitha këto afatet”, ka thënë ai, tek ka shtuar se prokurorët e shtetit gëzojnë vlerësim të lartë të besueshmërisë nga qytetarët. Ai ka folur edhe për shqyrtimin e lëndëve nga prokuroritë në Kosovë, teksa si vështirësi ka përmendur Prokuroritë Themelore të Prishtinës dhe të Mitrovicës.

“Nuk dua të them se jemi perfekt, kemi shumë punë për të bërë. Nëse flitni për efikasitet në pesë prokurori themelore, duke përfshirë Pejën, Gjakovën, Prizrenin, Ferizajn, Gjilanin, sot në Departamentin e Krimeve të Lëndëve keni aq pak lëndë që presin për të punuar sa prokurorët e kanë të vështirë edhe arritjen e normës. Lë për të dëshiruar puna në Mitrovicë, për arsyet që i dimë, dhe lë për të dëshiruar edhe puna në Prishtinë e cila këtë vit ka filluar të ndryshojë tërësisht dhe do të jemi një qasje komplet ndryshme edhe në prokurorinë themelore të Prishtinë”, ka thënë ai.

Kritika ndaj Qeverisë për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë janë shprehur edhe nga shoqëria civile.

Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu”, ka thënë se nuk ka pas asnjë Qeveri që ka sulmuar më shumë prokurorë e gjyqtarë se sa kjo aktuale.

“Kjo është skandaloze. Kur zv.kryeministri del dhe sulmon Gjykatën Kushtetuese, është skandaloze”, ka thënë Demhasaj.

E Gëzim Shala, hulumtues në IKD, ka theksuar se në lidhje me hetimet është pikërisht pushteti aktual ai që ka zgjatur kohën nga 2 vjet e gjysmë, sa ka qenë më parë, në 3 vjet.

Instituti Demokratik ka publikuar gjatë organizimit të se premtes raportin për integritetin në institucione. Bazuar në analiza, raporti ka treguar se Kosova ka shënuar ngritje në vlerësim. Për dallim nga viti 2015, kur u pati vlerësuar me 51 nga 100 pikët maksimale, sivjet është vlerësuar me 67 pikë.

Në prezantim, drejtori i organizatës “Transparency Internacional”, Daniel Eriksson, ka thënë se adresimi i korrupsionit të nivelit të lartë është çelës i integrimit në Bashkimin Evropian (BE).

“Procesi i integrimit në BE sjellë mundësi në avancimin e luftës kundër korrupsionit, por progresi varet nga vullneti politik. Adresimi i korrupsionit të nivelit të lartë është një nga çelësat e kërkuara në procesin e integrimit evropian. Është e qartë se shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të bëjnë më shumë”, ka thënë ai teksa ka shtuar se Kosova ka bërë hapa në drejtim të mirë porse tash duhet zbatim.

E Jarmo Felkis Helppikans, shef i seksionit për Sundim të Ligjit dhe të Drejta të Njeriut në zyrën e BE-së në Kosovë, ka theksuar rëndësinë e përkrahjes së integritetit të institucioneve nga pushteti.

“Mospërkrahja e institucioneve të drejtësisë do të ketë ndikim dhe kushton. Është investim i keq që të kritikosh institucionet. Investim i mirë është që t`i përkrahësh ata dhe t’u ofrosh burime të mjaftueshme”.