LAJMET E MBRËMJES

Pushteti kërkon proces të lirë zgjedhor në veri, opozita thotë se është i dëmshëm për Kosovën

Shqetësimet për tenderët njëburimor gjatë qeverisjes së Vetëvendosjes, kanë bërë bashkë partitë opozitare në Kuvend. Të enjten, me kërkesë të LDK-së e mbështetje të PDK-së e LDK-së, deputetët do të diskutojnë për krijimin e një komisioni hetimor eventual për arritjen e kontratave të shumta, që thanë se është bërë nga pushteti. Përfaqësuesit politikë në Kuvend, shpalosën qëndrimet e tyre edhe në lidhje me procesin zgjedhor që pritet të organizohet së shpejti në veri.

Zgjedhjet e lira e demokratike në katër komunat në veri janë brengë e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

Tek ka nisur procesi drejt shkarkimit të kryetarëve, shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, tha se është e rëndësishme që zgjedhjet të mos jetë të imponuara nga Beogradi.

“Në synojmë dhe shpresojmë që të jemi të suksesshëm në të mirë të demokracisë dhe shprehjes së vullnetit të lirë të të gjithë qytetarëve pa dallim që në veri të vendit, në katër komunat në veri të kemi proces zgjedhor i cili e tregon vullnetin e qytetarëve pa asnjë imponim nga askush, nga brenda apo nga jashtë”, theksoi ajo.

Ajo ka thënë se nuk mund të paragjykojë rezultatin e zgjedhjeve e për rrjedhojë edhe ndryshimin apo jo të situatës në katër komunat në veri.

Pas zgjedhjeve në veri, sipas Arben Gashit të LDK-së, nuk duhet të ketë kthim mbrapa.

“Jam i bindur se institucionet e Kosovës tashmë kanë një momentum tjetër dhe duhet ta përdorin në funksionim të zbatimit të ligjit për simbolet shtetërore, kushdo që i heqë apo përdhosë simbolet shtetërore të Kosovës atëherë do të jetë subjekt i përndjekjes penale dhe ligjore”, deklaroi ai.

E gjithë rrjedhën e procesit, nisur nga mbledhja e nënshkrimeve e të votimi për shkarkimin e kryetarëve, e konsiderojnë të dëmshëm përfaqësues të dy partive të tjera opozitare, PDK-së e AAK-së.

“Mënyra e shkarkimit të tyre pa një marrëveshje politike, përmes këtij referendumi, e thellon edhe më tutje ndarjen ndëretnike dhe do ta vështirësoj edhe më shumë qëndrimin e atyre qytetarëve që janë nëpër ato pjesë të Kosovë”, tha shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Ndërkohë shefi i deputetëve të AAK-së Besnik Tahiri, ka thënë se ky peticion ka krijuar një precedent tepër të keq për komunat. “Ky është një precedent që niset në Prishtinë, e ti bon e mbledh nënshkrimet ... por të shohim se si do të shkoj”, deklaroi ai.

Paraprakisht, përfaqësuesit e partive politike në Kuvend, caktuan të enjten si datë për mbajtjen e seancës në të cilën do të diskutohet për tenderët njëburimor.

Numri i lartë i kontratave të tilla, sipas opozitarëve është shqetësues dhe burim i korrupsionit.

Më shumë sesa për diskutimin mbi tenderët njëburimor, në pushtet u shprehën të shqetësuar për mosmiratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, e disa prej të cilat thanë se ka edhe afat skadimi.