Zyra e Prokurorit të Specializuar e ngarkon Shalën me tortura mizore të kryera në Fabrikën e Metaleve në Kukës mes majit e qershorit të 1999-s. Ndërkaq, ish-komandanti i UÇK-së është deklaruar i pafajshëm për akuzat e krimeve të luftës që i vihen në barrë, teksa i ka quajtur shpifje pohimet e ZPS-së
Me deklarimet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe nga mbrojtësit e viktimave, të martën është zhvilluar shpalosja e fjalëve hyrëse në rastin e gjykimit të ish-komandantit të UÇK-së, Pjetër Shala, para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Shala, i njohur me nofkën e luftës si “Komandant Ujku”, akuzohet për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të civilëve në Fabrikën e Metaleve në Kukës, në mes të 17 majit dhe 5 qershorit të 1999-s.
E për këto akuza që i vihen në barrë, ai të martën është deklaruar i pafajshëm.
“E kuptoj (akuzën), por nuk pranoj asgjë, sepse këto janë të gjitha shpifje dhe trillime”, ka thënë Shala.
Prokurorja Gaia Pergolo e akuzoi Shalën për përfshirje në torturat që pjesëtarët e UÇK-së iu bënë viktimave, që të gjithë civilë.
Ndërkaq ndihmësprokurorja, Eva Wyler, shtoi se ata, krahas torturave, edhe i kanë rrahur të ndaluarit.
“Dëshmitarit 04733 iu kërkua të pranonte se kishte vrarë 100 shqiptarë, se kishte përdhunuar gra. Iu kërkua gjithashtu që të këndonte një këngë serbe. Më pas, ata filluan ta rrihnin me grushte, me një shkop bejsbolli, me shkop prej gome, me shufra të tjera dhe me pjesën e pasme të një revolveri. Ata ia prenë kyçet e duarve, ia dogjën me cigare, i hodhën kripë në plagë dhe, po ashtu, ia thyen dhëmbët”, ka deklaruar ndihmësprokurorja Eva Wyler.
Edhe
Pjetër Shala dënohet me 18 vjet burgim nga Gjykata Speciale
Para se punimet e gjykimit të kalonin në seancë të mbyllur, mbrojtësi i viktimave, Simon Laës, theksoi se në Kosovë dëshmitarët e viktimat shpesh po tentohet që të paraqiten padrejtësisht si bashkëpunëtorë të Serbisë.
“Në Kosovë disa përpiqen t’i portretizojnë viktimat e krimeve që kanë kryer anëtarët e UÇK-së si tradhtarë apo kolaboracionistë. Unë dua ta them këtë në emër të tyre: këto viktima ishin mbështetës të UÇK-së e jo armiq të saj. Fakti që e akuzojmë këtë anëtar të UÇK-së, Pjetër Shalën, në asnjë mënyrë nuk është formë për ta dënuar UÇK-në, në vetvete. Viktimat në këtë çështje gjyqësore kanë vuajtur për shkak të sjelljes së Pjetër Shalës dhe të tjerëve. Nuk është e drejtë që të vuajnë përsëri, duke i quajtur jobesnikë ndaj Kosovës”, ka thënë Laws.
Paraqitjen e fjalës hyrëse në këtë rast do ta vazhdojë të mërkurën mbrojtja dhe do të jepet edhe një deklaratë e shkurtër e Pjetër Shalës, pa betim.