Takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i kanë paraprirë takimet e ndara që ata kanë realizuar me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, dhe me emisarin për dialogun, Miroslav Lajçak.
Kurti tha se është optimist për arritjen e një marrëveshjeje.
“Liqeni i Ohrit është liqe tektonik, mirëpo është vend i qetë dhe i bukur siç po e shihni të gjithë këtu. Unë jam optimist, jam i vëmendshëm dhe do të bëjmë më të mirën për Republikën e Kosovës, kushtetutshmërinë, sovranitetin, integritetin territorial, interesin publik dhe të popullit për të gjithë qytetarët pa dallim sepse unë jam kryeministër i të gjithëve”, tha Kurti.
Kryeministri Kurti tha se nuk do që të dialogojë për dialogun, por për marrëveshjen.
“Do të kemi bisedime për planin e zbatimit, pasi nuk ka tekst të përfunduar. Derisa nuk ka tekst të përfunduar nuk mund të përfundim të bisedimeve. Derisa nuk ka përfundim të bisedimeve, nuk mund të ketë marrëveshje...unë jam këtu për dialog parimor, të hapur, serioz që duhet të rezultojë me marrëveshje. Marrëveshja nënkupton tekst përfundimtar dhe të dakorduar. Nuk kam ardhur për bisedime për dialogun, por për bisedime për marrëveshje”, tha Kurti.
Përpos takimit me kryeministrin Kurti, Borrell dhe Lajçak zhvilluan takim të ndarë edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.