LAJMET E MBRËMJES

Osmani përmend propozimet për marrëveshjen finale, fajëson Serbinë për pengesat

Rëndësia e arritjes së një marrëveshjeje finale me Serbinë ishte temë diskutimi në takimet mes liderëve të Kosovës dhe Këshilltarit të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, gjatë vizitës së tij në Prishtinë. Presidentja Vjosa Osmani theksoi se Kosova do të jetë palë konstruktive, duke bërë edhe propozime që kontribuojnë në arritjen e marrëveshjes

Propozime që kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje finale me Serbinë, por pa specifikuar se cilat janë ato, premtoi presidentja Vjosa Osmani, pas takimit me këshilltarin e Lartë të Departamentit Amerikan, Derek Chollet.

Krahas Osmanit, zyrtari amerikan që shoqërohej nga emisari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar e ambasadorin, Jeffrey Hovenier, të mërkurën është pritur edhe nga kryeministri Albin Kurti.

Por në asnjërin prej takimeve nuk pati deklarime për media.

Bazuar në komunikatën nga Presidenca, Osmani e ritheksoi përkushtimin e Kosovës për finalizimin e dialogut me një marrëveshje përfundimtare.

“Presidentja Osmani tha se marrëveshja përfundimtare, e cila duhet ta ketë në qendër njohjen e ndërsjellë, ka për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe arritjen e paqes së qëndrueshme e afatgjate në rajon. Kosova është e gatshme të vazhdojë, me përkushtim të plotë, që të jetë palë konstruktive, e koordinuar me SHBA-në, duke bërë propozime që kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje të tillë”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Në takimin me kryeministrin Kurti, u diskutua mbi nevojën e angazhimit aktiv e konstruktiv në dialog si dhe për intensifikimin e përpjekjeve drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë, me njohjen reciproke në qendër.

Ndërkaq Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se Chollet pritet që të bisedojë për integrimin euroatlantik, përfshirë arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve me Serbinë, bazuar në njohje reciproke.

Pas Prishtinës, Chollet do të udhëtojë në Beograd, ku pritet të mbajë takim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.