LAJMET E MBRËMJES

Osmani në përvjetorin e masakrave në Poklek e Çikatovë: Ekzekutorët po shpërblehen

24 vjet më parë, në dy fshatra të Drenasit, Poklek e Çikatovë të Vjetër, ushtria serbe masakroi 77 civilë shqiptarë brenda ditës, përfshirë edhe një foshnjë 6-muajshe. Liderët institucionalë e partiakë të hënën bënë homazhe në këto fshatra dhe kërkuan dënim për ekzekutorët, duke ftuar edhe prokurorinë të jetë më aktive

Një foshnjë 6-muajshe e një burrë 75 vjeç ishin në mesin e viktimave civile në Poklek e Çikatovë të Vjetër të Drenasit, kur 24 vjet më parë forcat serbe masakruan 77 shqiptarë.

Liderët institucionalë, të hënën, kur u shënua përvjetori i këtyre masakrave, kërkuan drejtësi për viktimat e dënim për ekzekutorët dhe urdhërdhënësit e tyre.

Presidentja Vjosa Osmani tha se masakra e Poklekut është dëshmi se si ende nuk ka drejtësi për viktimat.

“Personat që e kanë urdhëruar masakrën në Poklek dihen me emër dhe mbiemër, për ta janë mbledhur prova, por, për fat të keq, regjimi i sotëm në Serbi nuk po vendos drejtësi dhe ata që kanë urdhëruar këto masakra në fakt po shpërblehen me pozicione edhe më të larta në Policinë e Serbisë”, tha Osmani.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca u shpreh se kjo ditë është e dhimbjes, por edhe e krenarisë sepse, sipas tij, falë gjakut të derdhur populli i Kosovës është i lirë.

“Ne kurrë nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi për popullin e Kosovës dhe kundër gjenocidit të Serbisë mbi popullatën kryesisht të pambrojtur dhe të pafajshme të shtetit tonë”, tha Konjufca.

E kryeministri Albin Kurti tha se 54 civilë në fshatin Poklek u vranë vetëm pse ishin shqiptarë dhe dëshironin liri. Ai tha se plani i Serbisë ishte shfarosja e popullit shqiptar.

“Këto krime të kryera gjatë luftës, që janë edhe gjenocid, edhe krime kundër njerëzimit, edhe krime lufte, do të duhej të kenë drejtësi për viktimat, por edhe dënim shtetëror e ndërkombëtar për ata që ekzekutuan dhe ata që i urdhëruan ato”, tha Kurti.

Pas homazheve udhëheqësit e shtetit vizituan shtëpinë e familjes Muçolli në Poklek, ku u vranë shumë civilë nga forcat serbe, e më pas vazhduan për në fshatin Çikatovë e Vjetër. Nga aty ata përsëritën kërkesën për drejtësi për viktimat e luftës, duke ia bërë edhe një thirrje prokurorisë.

“Si tre krerë të institucioneve shtetërore që jemi, bëjmë thirrje dhe një herë që prokuroria e shtetit, sistemi i drejtësisë në vendin tonë të jetë shumë më aktiv, sepse është koha e fundit të sjellim drejtësi për viktimat e dënim për kriminelët”, tha Kurti.

Homazhe në këto fshatra të hënën bënë edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, dhe deputetë të kësaj partie.

Masakrat në Poklek dhe në Çikatovë të Vjetër, të kryera brenda një ditë, janë ndër më të mëdhatë gjatë luftës së fundit në Kosovë.