LAJMET E MBRËMJES

Opozitarët me versione të ndryshme nëse e panë propozimin e BE-së në takimin e përbashkët me Lajçakun

I dërguari i Posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në ditën e dytë të vizitës në Kosovë ka takuar përfaqësuesit e partive opozitare. Ndonëse ishin së bashku në takim, opozitarët dhanë qëndrime kontradiktore, kur u deklaruan nëse e panë ose jo draft-statutin e Asociacionit. Kryetari i PDK-së dhe nënkryetari i LDK-së thanë se nuk e panë draft-statutin, ndryshe nga kryetari i AAK-së që theksoi se iu dha mundësia ta lexojnë në tërësi dokumentin e propozuar nga BE-ja.

Pas takimit që e zhvilluan me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, dikush nga opozitarët nuk e tha të vërtetën.

Ata ishin bashkë në takim. Por, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, thanë se nuk e parë draft-statutin për Asociacionin, ndryshe nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, që tha se iu dha mundësia ta lexojnë në tërësi dokumentin e propozuar nga BE-ja.

“Në termat e përgjithësuar shprehu qëndrimin e shteteve të BE-së dhe të tjerëve që drafti që është propozuar qeverisë është një draft që është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk shkon përtej vijave të kuqe por fatkeqësisht ne nuk patëm mundësinë që ta konsultojmë tekstin integral”, tha kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

“Po vazhdojmë të mbahemi në një formë apo tjetër në terr për shkak të zbardhjes së dokumentit mos bërjes transparent së paku në parime dhe në angazhime apo orientime..”, tha nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

“E kemi lexuar draftin në tërësi, drafti shpjegon të gjitha po quaj ashtu mundësitë që asociacioni u jep komunave me shumicë serbe, qytetarëve që jetojnë në këto komunat me shumicë serbe, kuptohet çdoherë i referohet kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, tha kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Pas takimit me opozitarët, nga objekti i Zyrës së BE-së në Prishtinë u largua emisari Lajçak. Ai nuk ndau hollësi për takimet, e në një postim në platformën sociale X, theksoi se diskutimet kishin të bënin me rrugën përpara në dialog.

“Sot pata një ditë shumë produktive në Kosovë me shkëmbime të mira për zhvillimet e fundit në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe rrugën përpara. Falënderoj të gjithë bashkëbiseduesit e mi për rolin dhe mbështetjen e tyre aktive”, tha emisari Lajçak.

Për draftstatutin e Asociacionit, kryeministri Albin Kurti ka folur në Pejë, gjatë një aktiviteti që ka realizuar. Tha se dokumenti është më i avancuar se të mëhershmit.

“Ky është draft krejtësisht tjetër, pakrahasimisht më i avancuar, por kjo nuk do të thotë që ne jemi të kënaqur, andaj edhe unë i kam dërguar vërejtjet dhe kritikat e mia”, tha Kurti.

Gjatë ditës, Lajçak takoi edhe ambasadorët e vendeve të BE-së në Kosovë, komandantin e KFOR-it dhe ambasadorin e SHBA-së.

Një ditë më parë është takuar edhe me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi. Të hënën mbrëma, Lajçak tha se është dakorduar me të për rrugën para në procesin e dialogut.