LAJMET E MBRËMJES

Në Leposaviq shfrytëzohen fëmijët e kafshët për protestë

Protesta e serbëve në Leposaviq të enjten ishte e qetë. Protestuesit kënduan këngë nacionaliste e dhanë mesazhe se si Kosova është pjesë e Serbisë. Protestuesit, kryetarin e Komunës, Lulzim Hetemi, e krahasuan me kafshë, e ngritën pretendime që atë nuk po e lejon “dikush nga Prishtina” të dalë nga zyra.

Rreth orës 7:00, qindra protestues ishin mbledhur në sheshin para Komunës në Leposaviq.

Protesta nisi e qetë. Protestuesit vinin të organizuar, e një pjesë e madhe e tyre ishin gra.

Atyre iu sigurua edhe ushqim.

Më vonë disa prej organizatorëve sollën pajisjet e zërimit për një mini-koncert. Ata që i interpretuan këngët e poezitë ishin të gjithë fëmijë e adoleshentë. Megjithatë, në tekstet e tyre flitej për të ashtuquajturën 'Kosovë dhe Metohi' dhe për atë se si Kosova është zemra e Serbisë.

Protesta vazhdoi e qetë.

Disa orë më pas organizatorët sollën një dhi. Asaj ia kishin vendosur një duvak velloje, e në anët e barkut ishin shkruar emri e mbiemri i kryetarit të kësaj komune, Lulzim Hetemi.

Një nga protestuesit mori një palë çizme llastiku, që përdoren kryesisht nga bujqit, dhe tentoi t’ia mbathë kësaj kafshe. Kjo gjë i argëtoi pjesëmarrësit e protestës.

Të enjten nuk kishte djegie e vandalizim të veturave të mediave, por sërish ata nuk ishin të mirëpritur.

I vetmi person që fliste me KFOR-in ishte ish-kryetari i kësaj komune , Zoran Tadiq.

Ai tha që rezistenca do të vazhdojë.

“Kërkesa jonë është që zotëri Hetemi të largohet nga objekti bashkë me bashkëpunëtorë, ta lëshojnë ndërtesën forcat e policisë. Atëherë jeta do të zhvillohej normalisht. Tash jeta është paralizuar”, tha Tadiqi.

Pak pas kësaj deklarate, pa u bërë ora 16:00, ai bashkë me përfaqësues të Listës Serbe, të cilëve u printe Slakvo Simiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, u futën në oborr të Komunës për të biseduar me ushtarët e KFOR-it. Pas disa minutash, për media u deklarua ish-kryetari Tadiq. Ai pretendoi se dikush nuk po e lejon kryetarin Hetemi të dalë nga zyra.

“I lirë është të largohet nga objekti. Nuk e pranojmë faktin që ai të mund të na përfaqësojë neve; kjo sepse në zgjedhjet më 23 prill asnjë serb, boshnjak, goran e rom nuk mori pjesë”, u shpreh ai.

Hetemi nuk ka dalë nga objekti i Komunës Leposaviqit që nga e hëna. Ai ishte futur në ndërtesë me ndihmën e njësive speciale të Policisë së Kosovës dhe prej atëherë nuk ka lëvizur nga aty.

Veturat e Njësisë Speciale, me të cilat është bartur dhe përcjellë Hetemi në zyrë, janë të vetmet që shihen në afërsi të objektit të Komunës, sepse e gjithë mbarëvajtja e pjesës tjetër të protestës bëhet nga KFOR-i.