LAJMET E MBRËMJES

Murati, Nagavci dhe Basha s’i marrin votat e mjaftueshme për kryetar të Kuvendit

Ka dështuar sërish konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Tre kandidatët që në seancën e së dielës i propozoi Lëvizja Vetëvendosje nuk arritën t’i merrnin votat e mjaftueshme për kryeparlamentar. Ndryshe nga herët e tjera, partia fituese e zgjedhjeve e propozoi Dimal Bashën që nuk ishte pjesë e kabinetit qeverisës, por as ky opsion nuk i bindi subjektet e tjera opozitare që ta mbështesin. Basha mori vetëm dy vota nga ish-partitë opozitare, të pamjaftueshme për plotësimin e kriterit minimal kushtetues prej 61 votave

Tre kandidatë për kryetar të Kuvendit i ka propozuar Vetëvendosja gjatë vazhdimit të seancës konstituive të dielën, por asnjëri/a nuk e mori mbështetjen e shumicës së nevojshme. Madje, LVV-së nuk i kreu punë as plotësimi i kërkesës së njërës nga partitë opozitare të legjislaturës së kaluar për të mos propozuar emra që janë pjesë e kabinetit qeveritar, duke e propozuar deputetin Dimal Basha. 
Por, para se të “testohet” Basha, në emër të partisë fituese, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e propozoi ashtu si të premten, ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Muratin. 

“Për arsyet për të cilat u cekën edhe në seancën e kaluar, e propozoj deputetin Hekuran Murati dhe ju inkurajoj ta votoni për kryetar të Kuvendit të Republikës”, tha Gërvalla.  

E pasi nuk i mori votat e mjaftueshme as për herë të dytë, Murati doli në foltore duke e propozuar deputeten dhe ministren në detyrë të Arsimit, Arbërie Nagavci. 

“Kam nderin që ta propozoj një kolege timen nga kabineti qeveritar, znj. Arbërie Nagavci, ministre e jashtëzakonshme sa u përket reformave në fushën e arsimit, e sidomos në edukimin e hershëm të fëmijëve. Ka zbatuar projekte - ka ndërtuar çerdhe më shumë sesa të gjitha qeveritë e tjera të pasluftës”, u shpreh Murati. 

Për Muratin dhe Nagavcin votuan për 55 deputetë, ndërsa 46 ishin kundër. Për Muratin abstenuan pesë e për Nagavcin katër deputetë.

Pasi nuk i mori votat e mjaftueshme, Nagavci e propozoi Dimal Bashën, që ishte në “harmoni” me kërkesën që e kanë shprehur më herët PDK-ja e AAK-ja për të mos propozuar emra që janë pjesë e kabinetit qeveritar. 

“Propozoj një deputet të tri legjislaturave, i përgjegjshëm ndaj qytetarëve dhe në adresim të interesave të tyre – deputetin Dimal Basha për kryetar të Kuvendit”, tha Nagavci.  

Votimi për Dimal Bashën u përcoll me më shumë zhurmë.

E gjatë votimit, PDK-ja kërkoi pauzë për konsultime. Kërkesa u dëgjua edhe nga mikrofoni i kryesuesit – teksa zëvendëskryesuesja i kërkoi pauzë, por ajo u refuzua. 

Edhe Basha nuk i mori votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur kryeparlamentar, 57 votuan për, 25 ishin kundër dhe 24 abstenuan. Për herë të parë një kandidatë mori votë të subjekteve ish-opozitë në legjislaturën e fundit. Për të votuan Arben Gashi i LDK-së dhe Bekë Berisha i AAK-së. 

Gashi e arsyetoi qëndrimin ndryshe nga subjekti i tij, duke thënë se ka kohë që Basha ia ka kërkuar votën, tek e quajti atë “djalë simpatik”. 

“Ma ka kërkuar votën dhe i kam premtuar se do ta votoj. Para disa muajve nuk e kam ditur se do të dalë në votim, por i kam thënë kurdo që të qesin, votën time e ke. Është një djalë simpatik dhe mendoj se duhet pak me mendua përtej, nuk është shumë polarizues, i ka disa deklarata të forta përtej të arsyeshmes, por në përgjithësi nuk ka një të kaluar që e pengon me bë një punë”, tha Gashi. 

E deputeti Bekë Berisha theksoi se Basha i shkon për shtati kërkesës opozitare që do t’i mbështeste deputetët që nuk janë pjesë e kabinetit qeverisës. 

“Nuk e ka pasur asnjë detyrë qeveritare, mos harroni që kemi thënë që edhe kanë qenë më pak njerëzorë dhe munden të krijojnë njëfarë lloj që dinë me vetë e me të thanë mirëdita”, tha Berisha pas seancës konstiuive. 

Ashtu si në dështimet e kaluara për konstituimin e Kuvendit, asnjëri nga kandidatët nuk i kishin mbi 57 vota për. 

Që kur ka nisur seanca konstituive më 15 prill, deputetët i kanë mbajtur 54 vazhdime deri më 26 korrik, por kanë dështuar ta përmbyllin atë me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. 

Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e shmangu votimin e hapur dhe kërkoi formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar. Kjo u kundërshtua nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe, që refuzuan të propozonin anëtarë për këtë komision.

Më pas, lënda është adresuar në Kushtetuese e cila ka nxjerrë dy vendime. Në bazë të aktgjykimit të dytë, që u publikua më 19 gusht, deputetët obligohen që ta përmbyllin konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditësh. Bazuar në të, votimi për kryeparlamentarin duhet të jetë i hapur, ndërsa i njëjti propozim për këtë post nuk mund të bëhet më shumë se tri herë. Sipas aktgjykimit, të gjithë deputetët prezentë duhet ta shprehin vullnetin e tyre me votë: për, kundër ose abstenim.

Kushtetuesja ka konstatuar se deputetët e zgjedhur nuk e kanë zbatuar aktgjykimin e 26 qershorit dhe rrjedhimisht të gjitha vazhdimet e seancës, të mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik, i ka shpallur të pavlefshme.