Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se veprimet ushtarake dhe politike të Serbisë përbëjnë kërcënim për Kosovën. Por, ka theksuar se shteti po përgatitet për t’u mbrojtur. E zyrtarë të Departamentit Amerikan të shtetit lavdëruan FSK-në, për të cilën thanë se ka trajnuar edhe ushtrinë e Ukrainës
Kosova do ta trajtojë si rrezik real për shtetin rritjen e kapaciteteve ushtarake të Serbisë përgjatë kufirit e edhe blerjen e armatimit që ky shtet e ka bërë nga Rusia e Kina, ka thënë të shtunën ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Në një intervistë për Kosovapress, ai ka theksuar se përbën kërcënim edhe qasja hegjemoniste dhe agresive e fqinjit verior në raport me Kosovën.
“Vlerësojmë që përderisa Serbia vazhdon militarizimin, blerjet e sistemeve dhe armatimit nga Rusia dhe Kina dhe përderisa rrit kapacitetet ushtarake dhe sidomos ato në kufi me vendin tonë, ky rrezik është real”, ka thënë Maqedonci. “Vendi ynë do ta trajtojë me të vërtetë si një rrezik real”.
Maqedonci ka folur edhe për kapacitetet ushtarake të shtetit dhe ka theksuar se anëtarësimi në NATO mbetet peng i katër vendeve anëtare që nuk ia kanë njohur pavarësinë Kosovës.
“Forca e Sigurisë së Kosovës zhvillohet, trajnohet dhe përgatitet siç përgatiten të gjitha vendet e NATO-s, ushtarakët tanë përgatiten me doktrinën e NATO-s dhe shumica e pjesëtarëve tanë janë të trajnuar në shkollat e tyre. Sa i përket aspektit të përgatitjes së mbrojtjes, vendi ynë qëndron afër anëtarësimit në NATO, mirëpo normalisht problemi është politik”, ka thënë ai. “Është vendim politik i secilit shtet brenda tij për çështjen e pranimit apo të mospranimit të një vendi në NATO, dhe i kemi katër vende mosnjohëse që paraqesin në vazhdimësi problem”.
E Forca e Sigurisë e Kosovës (FSK) ka marrë vlerësime nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për arritjet e treguara në fazën e dytë të tranzicionit.
Alton Buland, drejtor kryesor për Politikat Evropiane dhe të NATO-s në zyrën e Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, ka vlerësuar arritjet e FSK-së në fazën e dytë të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit, në konsultimet dypalëshe të mbrojtjes SHBA-Kosovë (BDC) që patën më 22 dhe 23 shkurt në Prishtinë. I pranishëm ishte edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Qëllimi i BDC-së, sipas njoftimit të Departamentit të Mbrojtjes, ishte të diskutoheshin prioritetet e bashkëpunimit dypalësh [SHBA-Kosovë] të sigurisë dhe mbështetja për zbatimin e planit 10-vjeçar të tranzicionit të FSK-së për transformimin e FSK-së në një forcë mbrojtëse territoriale profesionale, multietnike, ndërvepruese nga NATO, që i nënshtrohet kontrollit civil për të gjithë popullin e Kosovës.
“Udhëheqësit ndanë informacione rreth projekteve që synojnë të ndihmojnë në përmirësimin e aftësive dhe ndërveprimit të FSK-së, angazhimet e ardhshme ushtarake, Programin e Partneritetit Shtetëror me Gardën Kombëtare të Ioëa-s dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Buland ka falënderuar FSK-në për kontributin në ofrimin e trajnimeve për ushtarët ukrainas.
“Buland përshëndeti Kosovën për arritjet që FSK-ja ka bërë në fazën e dytë të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit dhe falënderoi ministrin Maqedonci për kontributin e FSK-së në Ukrainë, duke përfshirë ofrimin e trajnimeve dhe ekspertizës në deminim. Udhëheqësit riafirmuan rëndësinë e respektimit të standardeve më të larta të vlerave demokratike, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut në të gjitha aspektet për marrëdhëniet dypalëshe të mbrojtjes”, vijon tutje njoftimi.
FSK-ja aktualisht është në fazën e dytë të tranzicionit, e cila parasheh që deri në vitin 2025 të arrihet modernizimi i pajisjeve individuale dhe kolektive, si dhe rritja e kapaciteteve operacionale.