LAJMET E MBRËMJES

Kuvendi do të hetojë rezervat e shtetit

Një Komision hetimor për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, si dhe keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me to është formuar nga deputetët në seancën e së enjtes të Kuvendit. Nisma e ligjvënësve opozitarë është përkrahur edhe nga deputetë të pushtet, ani se prej tyre është konsideruar si një hap i ngutshëm dhe ndërhyrje në punën e prokurorisë. Krahas kësaj, Kuvendi nuk i ka dhënë miratimin rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë, por ka kaluar në shqyrtim të dytë disa projektligje

Keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore do të jenë subjekt hetimi i një Komisioni parlamentar, të cilin deputetët e Kuvendit janë pajtuar që ta themelojnë në seancën plenare të së enjtes.

Formimi i këtij komisioni, që ishte iniciativë e deputetëve nga radhët e partive opozitare, ka marrë mbështetjen edhe të ligjvënësve nga subjektet në pushtet, me gjithë kundërshtimet e shprehura në debatin i cili zgjati për më shumë se katër orë.

Në këtë debat, Arben Gashi, deputet nga Lidhja Demokratike (LDK), e ka shprehur rëndësinë e Komisionit.

“Duke pasur parasysh indicet përtej dyshimit të bazuar për abuzime të mundshme të ndërlidhura me procesin e furnizimit me rezervat shtetërore e konsiderojmë të nevojshme që të bëhet hetim i thelluar parlamentar. Me qëllim të ushtrimit të mandatit tonë kushtetues parlamentar e theksojmë nevojën e madhe të zhvillimit të këtij hetimi, veçanërisht kur është parasysh fakti që rezerva shtetërore është e nivelit të prioritetit të sigurisë nacionale”, ka thënë Gashi.

Por veprimi është kualifikuar si hap i ngutshëm dhe si ndërhyrje në punën e prokurorisë nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Mimoza Kusari-Lila, shef e Grupit Parlamentar të LVV-së, ka se thënë me anë të kërkesës së opozitës për hetim parlamentar po synohet të bëhet punë paralele me atë të organeve të rendit.

“Pyetja për deputetët nënshkrues është shumë e thjeshtë: Nuk po i besoni Prokurorisë? Apo po e konsideroni veten hetues më të aftë sesa Prokuroria dhe Policia e vendit? Zakonisht deri tash fryma e hetimit parlamentar ka qenë që në Kuvend do të duhej të hetohej një çështje për të tërhequr vëmendjen e prokurorisë, ndërkaq aktualisht prokuroria e ka këtë rast”, ka theksuar ajo.

Kusari-Lila ka ngritur edhe çështjen e shpenzimeve që do të derdhen për mbarëvajtjen e Komisionit hetimor. Ajo ka vlerësuar se për këtë destinim mund të nevojiten deri në 20 mijë euro.

“Aty përfshihen mëditjet e deputetëve, angazhimi i ekspertëve, koha nëse ka nevojë edhe për fluturimin që duhet të intervistohen nga vende të tjera. Pra, kjo vlerë është gati dyfish më e madhe sesa krejt vlera e grurit që po e kontestoni”, ka thënë ajo.

Ky qëndrim i Kusari-Lilës gjeneroi reagime nga deputetët e opozitës. Gashi i LDK-së ka insistuar se Komisioni hetimor duhet të formohet, teksa ka theksuar që nëse këtë nuk e bën legjislatura aktuale, atëherë do ta bëjë ajo pasuese. Ai ndërkaq e ka hedhur poshtë pretendimin se me anë të këtij Komisioni nuk po synohet ndërhyrja në punën e prokurorisë.

“Prokuroria e ka punën e vet dhe komisioni nuk lyp dokumente prej prokurorisë. Prokuroria vazhdon punën e vet, ndërkaq komisioni ka tri fusha kryesore të hetimit. Hetimin administrativ, hetimin ligjor dhe kushtetues dhe keqpërdorimet e mundshme. Prokuroria merret vetëm me këtë të fundit, por nuk e përjashton që komisioni me u marrë dhe gjetjet e veta t’i dërgojë në prokurori”, ka thënë ai.

E Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike (PDK), e ka hedhur poshtë pretendimin e Kusari-Lilës se deputetët po synojnë të bëhen hetues.

“Kjo është një e pavërtetë që po e thotë zonja Kusari, por po kërkojmë të kryejmë mandatin tonë si deputetë në bazë Kushtetutës së Kosovës. Kushtetuta i jep Parlamentit mundësinë të ketë hetim parlamentar, andaj ne po kërkojmë të shfrytëzojmë një të drejtë që na takon”, ka thënë Tahiri.

Kusari-Lilës i ka replikuar edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri. Ai ka thënë hetimet parlamentare nuk përbëjnë ndërhyrje në punën e organeve të rendit. “Ne dëshirojmë ta shohim këtë skandal, mega-skandal të një mashtrimi të madh në perspektivën politike, pasi ju keni ardhur në pushtet duke thënë: ‘Lufta kundër korrupsionit dhe ndaljen e gjakderdhjes’, e po ashtu duke folur për rezervat shtetërore që s’jeni ndalë duke folur që ne i kemi harxhuar. Tash ne po dëshirojmë me pa sesi e keni trajtuar ju”, ka thënë ai.

Për dallim nga kolegët e tjerë në LVV, deputeti i subjektit në pushtet, Gazmend Gjyshinca, ka thënë se e mbështet formimin e Komisionit, pasi që një hetim i këtillë “mund t’U shërbejë interesit publik dhe informimit sa më të drejtë”.

Në seancën parlamentare, në të cilën është diskutuar mbi hetimin e keqpërdorimeve të mundshme me rezerva shtetërore, nuk ka qenë e pranishme ministrja e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari. Krahas saj, në pjesën më të madhe të diskutimeve nuk ka qenë i pranishëm as edhe një ministër i kabinetit qeveritar.

Pas debatit, në mbështetje të formimit të Komisionit parlamentar për hetimin e rezervave shtetërore kanë votuar 69 deputetë. Kundër ka votuar Arbër Rexhaj, deputet i LVV-së, ndërsa kanë abstenuar gjashtë deputetë të tjerë.

E në pjesën e parë të seancës së Kuvendit, deputetët kanë zhvilluar punimet që ishin vazhdimësi e seancave të mëhershme. Në rend dite ka qenë votimi i rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë, nga debati i zhvilluar në prill të këtij viti. Miratimi i kësaj rezolute ka dështuar, pasi që, përveç deputetëve të LVV-së, kundër saj kanë votuar edhe ata të PDK-së.

Në mungesë të përkrahjes nga partitë opozitare ka dështuar të kalojë edhe marrëveshja ndërkombëtare për riparimin e hekurudhës Fushë-Kosovë-Mitrovicë, me gjithë thirrjen adresuar atyre nga deputetët e pushtetit.

Armend Muja, deputet i LVV-së, e ka kualifikuar realizimin e këtij projekti si të rëndësisë jetike për Kosovën.

“Nuk ka ndonjë projekt që do ta rekomandoja më tepër, edhe në emër të grupit parlamentar, dhe që është jetik për komunat që i përshkon, por edhe për Kosovën. Andaj, është e rëndësishme për të gjitha grupet parlamentare, pa marrë parasysh pezmet individuale ose të momentit, që ky projekt të jetësohet në afatin më të shkurtër”, ka thënë Muja.

Por në PDK, mospërkrahjen për këtë marrëveshje e kanë arsyetuar me masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës.

“Votimi i një marrëveshjeje të tillë vërtet do të jetë paradoksale, sepse nuk do të arrijë të realizohet, si e votuam, si nuk e votuam”, ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Tahiri.

Ndryshe nga PDK-ja, përkrahje këtij projekti i dhanë deputetët e LDK-së.

Avdullah Hoti, deputet i këtij subjekti opozitar, pati një kundërpërgjigje edhe për Mujën e LVV-së.

“Ky projekt ka 7 a 8 vjet që ka nisur të realizohet. Më vjen mirë që po shkon drejt finalizimit. E dëgjova kryetarin e Komisionit për Buxhet që bëri thirrje që ne ta votojmë, që ta lëmë anash pezmin. Ne e kemi pezmin në mënyrën se si jeni duke e menaxhuar vendin, si i keni sjellë sanksionet, por nuk kemi pezëm me projektet e rëndësisë kombëtare. Kjo linjë hekurudhore e bën Kosovën pjesë të networkut rajonal dhe më gjerë të hekurudhave”, ka thënë ai.

Pa votat e deputetëve opozitarë është miratuar në shqyrtim të dytë Projektligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore. Deputetët e LDK-së i kanë dhënë përkrahje edhe Projektligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta.

Kuvendi ka formuar njashtu edhe një Komision ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) nga radhët e komunitetit serb, në të cilin votim ka refuzuar që të marrë pjesë Grupi Parlamentar i PDK-së.

Në plan për të enjten deputetët e Kuvendit kanë pasur edhe mbajtjen e një seance të re, por për të cilën, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se “nuk ka disponim për t’u mbajtur”.