Rritje të rrezikut për inskenim të sulmeve nga grupet kriminale të Serbisë kanë vërejtur institucionet e Kosovës, ka thënë kryeministri Albin Kurti. Sipas tij, qëllimi i këtyre sulmeve është fajësimi i Policisë së Kosovës. Kurti ka thënë se ka potencial për rigrumbullim të grupit terrorist e hakmarrjeje nga ta
Kryeministri Albin Kurti ka alarmuar për mundësinë e rigrumbullimit të grupit terrorist e hakmarrjes nga ai në javët e muajit në vijim.
Grupi paramilitar serb prej më shumë se 90 pjesëtarësh, më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit sulmoi Policinë e Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Institucionet e Kosovës arritën që të identifikonin një pjesë të tyre, në mesin e së cilëve edhe udhëheqësin Milan Radoiçiq, deri vonë nënkryetar i Listës Serbe dhe i kërkuar nga organet e drejtësisë në vend.
Në adresimin para nisjes së mbledhjes së Qeverisë, të enjten, shefi i ekzekutivit ka përmendur mundësinë e sulmeve nga strukturat kriminale me qëllim të fajësimit të Policisë.
“Lirimi i Milan Radoiçiqit, më pak se 24 orë pas arrestimit, është dëshmi dhe sinjal i potencialit për rigrupim dhe hakmarrje, sepse më 24 shtator, Beogradi zyrtar e militar dështoi. Institucionet tona të sigurisë dhe të inteligjencës së fundmi kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimeve të sulmeve të dhunshme nga grupe të strukturave kriminale të Serbisë në Kosovë”, ka thënë Kurti.
Pak ditë nga sulmi në Banjskë, organizimin e tij e ka pranuar Radoiçiqi. Megjithëkëtë, ai ka mohuar se për veprimet e ndërmarra në veri është koordinuar me nivelin qendror në Serbi e as me partinë më të madhe të serbëve në Kosovë, Listën Serbe, në të cilën ishte nënkryetar. Përmes një letre të lexuar nga avokati i tij, Radoiciq mori përsipër gjithë sulmin.
Me gjithë zhvillimet e dëshmitë e prezantuara nga institucionet e Kosovës, krerët institucionalë të Serbisë nuk kanë pranuar përfshirjen e tyre në sulmin e 24 shtatorit, derisa kanë mbajtur zi për tre pjesëtarët e grupit terrorist që u vranë në sulm.
Sipas Kurtit, Serbia me veprimet e saj në përkrahje të grupit terrorist ka inkurajuar edhe më tej ata.
“Provuan ta ndryshojnë realitetin në terren përmes veprimeve të organizuara dhe të koordinuara paramilitare. Nuk ia arritën. Keqpërdorën Manastirin e Banjskës me synimin që t’u japin ngjyrim fetar ngjarjeve të 24 shtatorit. Sërish nuk ia arritën. Tani, formacione kriminale të sponsorizuara nga fqinji ynë verior, në skenarët e tyre destabilizues ka shumë të ngjarë që dallimet etnike synojnë t’i keqpërdorin për qëllime politike”, ka thënë ai.
Ai nguli këmbë se grupet kriminale nuk do të ia dalin të depërshkallëzojnë situatën.
“Ata që po duan të na rrënojnë nuk do t’ia dalin. Sepse jemi të përgatitur. Sepse jemi bashkë, me motiv të lartë dhe qëllime fisnike, për paqe dhe siguri, për të drejta dhe demokraci”.
Thirrja e Kurtit për qytetarët serbë
Kurti iu ka bërë thirrje qytetarëve, në veçanti atyre serbë, që të përmbahen nga “cytjet e aktet e dhunës të inskenuara dhe dashakëqija”.
“Ju ftoj që të mbështeteni në Policinë e Kosovës. T’i besoni profesionalizmit të saj. Të raportoni sjelljet e dyshimta të individëve në komunitetet tuaja”, ka thënë ai.
Pas adresimit të kryeministrit Kurti, i menjëhershëm ishte reagimi i Qeverisë së Serbisë.
Shefi i Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq, ka pretenduar se Kurti është duke u shërbyer teorive të konspiracionit e kërcënimeve të sajuara për të forcuar, siç ka thënë ai, represionin kundër serbëve.
Pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit e vlerësimit se situata në veri është e tensionuar, NATO ka dërguar në Kosovë trupa shtesë. Aleanca transatlantike ka vënë në gjendje gatishmërie edhe një batalion tjetër me armatim të rëndë në rast të nevojës për të intervenuar.
Institucionet e sigurisë në Kosovë janë duke vazhduar me hetimin e asaj që ka ndodhur në fund të shtatorit. Gjatë operacioneve Policia e Kosovës, në Banjskë të Zveçanit, ka gjetur arsenal armësh, vlera e së cilës llogaritet të jetë 5 milionë euro. Në kuadër të hetimeve janë bastisur edhe pronat e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq.
Qeveria-BE-së për shtensionimin në veri: Situata të vlerësohet drejt
Pas zhvillimeve në veri liderët institucionalë në Kosovë kanë kërkuar sanksionimin e Serbisë nga Bashkimi Evropian. Por, kërkesa e tyre deri më tani nuk është marrë parasysh me arsyetimin nga blloku evropian se duhet të priten rezultatet e hetimeve në mënyrë që të ketë një pasqyrë të qartë të asaj që ka ndodhur. Pos mossanksionimit të Serbisë, në BE nuk kanë treguar se kur do të hiqen masat ndaj Kosovës. Zyrtarë evropianë kanë deklaruar se pala kosovare nuk ka zbatuar në tërësi kërkesat e parashtruara, duke aluduar kështu në kryetarët që vazhdojnë të punojnë nga objektet komunale e prezencën e Policisë së Kosovës në dhe përreth tyre.
Qeveria e Kosovës të enjten ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të bëjë një vlerësim më të drejtë të situatës në terren dhe të kuptojë që zhvillimet e 24 shtatorit kanë ndryshuar gjithçka.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në një konferencë pas mbledhjes së Qeverisë, ka thënë se Kosova ka përmbushur obligimet e saj.
“Masat për Kosovën kanë qenë të padrejta atëherë mbesin të padrejta edhe sot edhe duhet të shihet situata drejt dhe të veprohet në bazë të situatës faktike në terren. Kosova ka bërë çfarëdo që ka qenë në dorën e saj për mbështetjen e këtij procesi mirëpo Beogradi çfarë ka bërë? Ka dërguar një grup të terroristëve që të aneksojnë veriun e Kosovës”, ka thënë Krasniqi.
Duke folur për dakordimin e Bratislavës, në mesin e së cilave parashihet mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri pas verës, Krasniqi ka thënë se u takon qytetarëve që të iniciojnë shkarkimin e kryetarëve.
“Ne gjithmonë kemi thënë si qeveri që ne jemi për zgjedhje të parakohshme mirëpo deri të zgjedhje duhet të shkohet në një proces demokratik”, ka thënë Krasniqi.
Në konferencë me Krasniqin ishte edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Duke folur për energjinë elektrike që qytetarët e komunave në veri të vendit, të banuara kryesisht me serbë, nuk e paguajnë tash e 24 vjet, ka paralajmëruar mbulimin e konsumit nga Qeveria e Kosovës.
Qeveria ngul këmbë se nuk do të paguajë rrymën për serbët në veri
Sipas Rizvanollit, kanë pasur kërkesa të vazhdueshme nga KOSST për mbulimin e shpenzimeve, porse nuk e kanë bërë një gjë të tillë.
“Ne kemi bërë të qartë për të gjitha palët që një mënyrë e tillë e funksionimit nuk mund të vazhdojë”.
Ministrja e Ekonomisë ka thënë se i kanë kryer detyrat që kanë pasur në drejtim të zbatimit të marrëveshjes për energjinë.
“Nga pala tjetër kemi pasur sabotim dhe zhagitje, me kërkesën e ndërmjetësuesve ne kemi vazhduar të diskutojmë shqetësimet, të qartësojmë e të tjera, mirëpo pa bërë kompromise shtesë apo ndryshim të kësaj marrëveshjeje”, ka thënë ajo. “Dje operatori i distribucionit, KEDS ka dërguar kërkesën e fundit për nënshkrim Elektroseverit dhe presim që të ndodhë kjo, të ndodhë shpejt, shumë shpejt, brenda ditësh. Nëse jo, atëherë sigurisht do t`i shohim të gjitha opsionet e tjera cilat janë për ta adresuar këtë çështje”.
Paraprakisht Krasniqi e Rizvanolli sikurse edhe anëtarët e tjerë të kabinetit qeveritar kanë votuar një varg vendimesh. Në mesin e tyre Qeveria ka miratuar dhënien e huas prej 15 milionë eurosh për Telekomin e Kosovës. 290 mijë euro Qeveria i ka ndarë edhe për subvencionimin e ndërtimit të shtëpive për komunitetet joshumicë. Dritën e gjelbër ekzekutivi ia ka dhënë edhe themelimit të tri ndërmarrjeve publike lokale: "Dardana Sh. A. Kamenicë", "Eko-Llapi Sh. A. Podujevë" dhe "Eko- Theranda Sh. A.".
Sipas ministres Rizvanolli, me themelimin e këtyre ndërmarrjeve banorët e Kamenicës, Podujevës e Suharekës do të kenë shërbime më cilësore e më të lira.
“Në këtë mënyrë këto komuna do të mund të ofrojnë shërbime më cilësore për qytetarët, mirëpo edhe me çmime më të lira”, ka thënë ajo.
Miratimin nga Qeveria e kanë marrë edhe Strategjia për Qeverisje Elektronike 2023-2027, ajo për Siguri Kibernetike 2023-2027 dhe Plani i Veprimit.