Kosova është duke bërë përgatitje për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian, tha kryeministri Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, që të dielën u mbajt online. Gjatë kësaj mbledhjeje, Kurti foli edhe për vizitën e tij të gjatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku takimet e tij i quajti të frytshme. Preku edhe shumë tema të tjera
Aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e konsideroi si një ndër arritjet e qeverisjes së tij.
Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, të mbajtur të dielën online, lideri i partisë në pushtet tregoi se janë duke u bërë përgatitjet për anëtarësim në Programin për Partneritet për Paqe që është në kuadër të NATO-së, si dhe në Bashkimin Evropian.
“Imazhi i Kosovës ka një përmbajtje të re dhe më tërheqëse sikurse në drejtim politik, ashtu edhe ekonomik. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është vlerë e shtuar për Këshillin dhe mundësi për Kosovën që të përparojë edhe më shumë në fushën e të drejtave të njeriut, të demokracisë dhe sundimit të ligjit”, deklaroi Kurti.
Shefi i ekzekutivit, takimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i quajti të frytshme, megjithëse u kritikua për qëndrimin e gjatë në këtë vend – 18 ditë - dhe për “takime të nivelit të ulët”.
Kurti e vlerësoi ndryshe vizitën e tij në SHBA.
Tha se është takuar me 7 senatorë, 12 kongresistë, shtatë zyrtarë të lartë të qeverisjes amerikane, dy guvernatorë të shteteve, si dhe me dhjetëra pronarë të bizneseve.
“Këto takime ishin përmbajtjesore, miqësore e të frytshme. Në Kosovë do të shtohen edhe investimet, edhe siguria”, ka thënë Kurti.
Vitin e parë qeverisës kryeministri e konsideroi sfidues, për shkak të pandemisë, si dhe për shkak të ndikimit të agresionit të Rusisë në Ukrainë. Vlerësoi se janë arritur suksese që i kanë tejkaluar pritjet e tyre.
Kurti para anëtarëve të Vetëvendosjes përmendi mbështetjen për punëtorët e sektorit publik dhe atij privat me shumën prej 100 eurosh, duke thënë se nuk u janë prekur kontributet.
Qeveria po refuzon nismën e opozitës për tërheqje tjetër të mjeteve të kursimeve nga Trusti.
“Të rinjve nën moshën 35-vjeçare po ua rrisim pagën minimale për 103 për qind, kurse atyre mbi 35 vjeç për 55 për qind. Nga kjo rritje do të përfitojnë rreth 100 mijë punëtorë, dhe kjo pagë nuk do të tatimohet, ashtu siç kishim premtuar”, ka thënë ai, i cili shtoi se mbi 1 mijë punëtorë janë rikthyer në punë pas humbjes së vendeve të punës gjatë pandemisë.
Ai ka thënë se Qeveria është e angazhuar që çdo punëtor të punojë pa iu shkelur të drejtat që i takojnë me Ligjin e Punës. Gjithashtu theksoi se është duke u punuar në zbutjen e papunësisë.
Para anëtarëve të VV-së, ai tha se është shënuar rritje dyshifrore ekonomike, progres në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe, sipas tij, është forcuar aleanca me shtetet mike.
Në këtë mbledhje, ai njoftoi se gjatë vitit 2022 do të mbahen zgjedhjet e brendshme të partisë që drejton.
“Është e rëndësishme përfshirja e sa më shumë anëtarëve. Strukturat tona duhet të kenë përgjegjës të përgjegjshëm, të sinqertë dhe me vullnetin për të bërë ndryshime përparimtare në nivel lokal e qendror. Ne duhet të reflektojmë shoqërinë tonë siç është e përbërë, si organizatë ku respektohen të drejtat”.
I pari i VV-së ka thënë se në zgjedhjet e brendshme, që kjo parti i mbajti më 15 mars, janë zgjedhur e miratuar të gjitha komisionet e qendrave që e mbikëqyrin procesin e brendshëm zgjedhor.
“Deri tani janë zgjedhur drejtuesit e delegatët e dy organizatave të Lëvizjes, ajo e Gruas për Vetëvendosje dhe e Rinisë për Vetëvendosje. Duhet theksuar që zgjedhjet në nivelin e parë për organizim të mbarojmë më 15 korrik. Duhet punë e madhe e angazhim i jashtëzakonshëm. Duhet fuqizuar dy organet me rëndësi të madhe”, ka thënë ai.