Tri javë pas datës së planifikuar për nisjen e regjistrimit të popullsisë, më 1 nëntor, Qeveria mori vendim që ta shtyjë edhe një herë procesin, për prillin e ardhshëm. Në mbledhjen e Qeverisë, faji për zvarritjen e çështjes iu bart menaxhmentit të Agjencisë së Statistikave, që u ndryshua javën e shkuar. Krahas këtyre, në mbledhje u mor edhe vendimi që qytetarët së shpejti të mund të pajisen me letërnjoftime që nga lindja, teksa kryeministri Albin Kurti ua tërhoqi vërejtjen ministrave rreth përmbushjes së premtimeve të dhëna
Kryeministri, Albin Kurti, ua kujtoi ministrave të kabinetit se koha për të përmbushur premtimet e dhëna po pakohet.
Në mbledhjen e ekzekutivit, të mërkurën, një ditë para se të mbushen 32 muaj të qeverisjes së tij, Kurti ka folur mbi pritjet nga ekipi qeverisës.
“Janë data si këto që na shërbejnë si moment reflektimi mbi atë se çfarë kemi arritur si ekip. Por edhe na kujtojnë se koha për të përmbushur zotimet tona dhe për të respektuar pritjet e qytetarëve tanë brenda mandatit të parë sa vjen e pakohet”, ka thënë Kurti.
Mes të tjerash, ai numëroi si të arritura të Qeverisë mbylljen e 34 rrugëve ilegale, 26 prej të cilave në veriun e Kosovës, të banuar kryesisht me serbë. Përmendi konvertimin e 2 mijë e 100 targave ilegale të veturave në ato RKS gjatë këtij muaji, si dhe rritjen e interesimit të serbëve për t’u pajisur me pasaportë të Kosovës.
E krahas kësaj, në mbledhje kabineti qeveritar mori vendim për ta shtyrë sërish nisjen e procesit të regjistrimit të popullsisë, që ishte planifikuar për 1 nëntor. Sipas vendimit të ri, regjistrimi i popullsisë është caktuar për prillin e ardhshëm.
E fajin për dështimin në nisjen e procesit Kurti ia udhëheqjes së deritanishme të Agjencisë së Statistikave të Kosovë.
“Letra informuese, të cilën e kam pranuar nga ushtruesi i ri i detyrës së drejtorit, z. Avni Kastrati, dëshmon që procesi i regjistrimit nuk është menaxhuar mirë, por kësaj radhe është shtuar premtimi që gabimet nga e kaluara nuk do të përsëriten dhe se tashmë janë të qartë sa i përket mësimeve që kanë nxjerr”, ka deklaruar Kurti.
Në mesin e vendimeve të marra në mbledhjen e Qeverisë është miratimi i Projektligjit për letërnjoftim.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, njoftoi se që tani qytetarët do të mund të pajisen me letërnjoftime që nga lindja e deri në moshën 16-vjeçare.
“Kjo mund t’ju mundësojë qytetarëve të kësaj moshe që të lëvizin jashtë Kosovës vetëm me letërnjoftim në ato vende me të cilat ka marrëveshje Republika e Kosovës”, ka thënë Sveçla.
Të mërkurën, Ekzekutivi mori vendim edhe për shpronësimin e disa pronave, përfshirë edhe ato që preken nga ndërtimi i rrugës Prizren-Tetovë.