LAJMET E MBRËMJES

“Kur bohet mirë?”, si thirrje për frenimin e ikjes së të rinjve nga Kosova

Mosstabiliteti ekonomik, arsimi jocilësor dhe mungesa e punësimit janë numëruar të premten si disa prej arsyeve për largimin e të rinjve nga Kosova, me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Rinisë. “Kur bohet mirë” ishte slogani që ka shpërfaqur zhgënjimin e rinisë kosovare dhe kërkesat e tyre për largim nga vendi

Me 20 valixhe të vendosura në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë dhe me sloganin “Kur bohet mirë?!”, organizata “Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut” ka shënuar të premten Ditën Ndërkombëtare të Rinisë.

Me helmeta, mantele të bardhë dhe disa shenja të tjera të vendosura sipër valixheve, është synuar pasqyrimi i ikjes së të rinjve dhe profesioneve të ndryshme nga Kosova.

Rina Kadiri, menaxhere e programeve në organizatën “Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut”, ka thënë se nëpërmjet simbolikës është shpërfaqur dukuria e migrimit. Ajo ka bërë të ditur se prapa secilës prej valixheve të ekspozuara në shesh fshihet një histori e largimit apo moslargimit.

“Shumë të rinj janë duke e lënë Kosovën. Kjo për arsye të ndryshme, kryesisht për shkak se shteti i Kosovës nuk ua ofron mundësitë që u duhen të rinjve, edhe mbi të gjitha, të drejtat e njeriut nuk respektohen për shkak se kemi shumë raste, që edhe vazhdimisht ne protestojmë kundër tyre”, ka thënë Kadiri.

Mërgimtarja Mendehije Dragusha, e cila ishte një prej qytetarëve që iu bashkuan aksionit të së premtes, ka thënë se fenomeni i largimit të rinisë nga Kosova përbën një dukuri të rëndë dhe të dhimbshëm.

“Ka shumë të rinj... për shembull njohim shumë juristë të Kosovës që kanë kryer shkollën dhe vijnë e punojnë në ndërtimtari. Janë në mjekësi që vijnë e pastrojnë të moshuar në shtëpi të tyre. Zemra më dhemb për rininë tonë, për atë se çka janë duke përjetuar”, është shprehur Dragusha, e cila jeton në Gjermani që nga viti 1998.

Ditjon Fetahu, i cili e përfaqëson Këshillin Rinor të Kosovës, ka theksuar se dëshira e rinisë për largim ngërthen një prej problemeve më të mëdha që ka Kosova.

“Arsyet për këto janë tregu i punës i luhatshëm dhe jostabil, mosmundësia e garantimit të punësimit kualitativ për të rinjtë, e njëkohësisht është edhe mirëqenia apo siguria sociale dhe ekonomike në tërësi. Qoftë mungesa e sigurimeve shëndetësore, qoftë mungesa e vlerësimit në tregun e punës, qoftë mungesa e formalizimit të sektorit të ekonomisë, të gjitha kanë krijuar bindjen që jashtë vendit mund të gjenden më mirë”, ka thënë Fetahu.

Ai ka shtuar se Kosova ka rreth 60 përqindëshin e popullsisë nën moshën 30-vjeçare dhe se kundruall një numri kaq të lartë të të rinjve, duhet trajtuar urgjentisht garantimi i punësimit dhe shkollimi cilësor.

Sociologu Jeton Brajshori ka fajësuar politikat qeverisëse dhe mosliberalizimin e vizave për stagnimin e rinisë kosovare.

“Fatkeqësisht edhe politika e bën të veten. Pra, mosliberalizimi i vizave u pamundëson të rinjve tanë që të dalin në Evropë, që të shohin kultura të ndryshme, të marrin gjëra të ndryshme nga Evropa. Pra, në këtë mënyrë të ketë interaksion me moshatarët e tyre në Evropë dhe në këtë mënyrë ne do ta shohim që rinia jonë do të ishte më e mirë dhe do të ishte më e qetë që t’i kryejë obligimet, si rini që është. Pra, që të kontribuojë në shtetin e vet dhe jo të mendojë që të largohet sa më shpejt nga vendi”, ka thënë sociologu.

Brajshori njëherësh edhe e ka arsyetuar dëshirën e madhe të të rinjve për t’u larguar drejt vendeve të tjera.

“Nuk kanë faj që po kërkojnë një jetë më të mirë, një shkollim më të mirë. E shohim që arsyet pse kërkojnë që të shkojnë jashtë, pra, që të kenë një jetë më të mirë, është ngase edhe pagat te ne, në çdo sektor, janë të vogla, të padinjitetshme. Dhe shumica e punëtorëve të rinj nuk lajmërohen nga punëdhënësi, në qoftë se ndodh një aksident. Prapë nuk jep përgjegjësi askush dhe në këtë mënyrë të rinjtë dëshirojnë të largohen nga vendi”, ka thënë Brajshori, teksa ka folur mbi sfidat me të cilat ballafaqohen të rinjtë në Kosovë. “Po ashtu, edhe në aspektin e arsimit, ne e shohim që shumë të rinj që kryejnë studime superiore dhe janë studentë të mirë e me nota të larta, por prapëseprapë, nëse nuk ka ndonjë lidhje politike, atëherë do të mbetet jashtë tregut të punës”.

Lidhur me numrin e qytetarëve që kanë aplikuar për viza pune gjatë këtij viti, KOHA ka adresuar pyetje në Ama saden gjermane në Kosovë, porse gjatë së premtes nuk ka marrë përgjigje.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë bërë të ditur se nuk kanë të dhëna mbi migrimin e të rinjve. Ndërkaq, nga Ministria e Arsimit të premten nuk kanë ofruar informata se cili është numri i të rinjve që kanë kërkuar njohje të diplomave për përdorim jashtë vendi.

Dita Ndërkombëtare e Rinisë është shënuar edhe në Parlamentin e Kosovës, nga Grupi i deputetëve të rinj.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë me këtë rast se duhet bërë lidhja e arsimit me ekonominë, teksa ka shtuar se nevojitet pjekuria politike dhe pasioni rinor.

“Të rinjtë duhet ta zgjerojnë rrafshin e veprimit. Na duhet prodhimi dhe industria e lartë. Na duhet jo vetëm muzikanti, por edhe bujku krijimtar. Qeveria duhet t’i shohë projektet e investimeve të mëdha. Andaj, ngrihuni si individë, për shkak se individët bëhen më të zotë atëherë kur punojnë bashkë”, ka thënë Kurti.

E Saranda Bogujevci, nënkryetare e Kuvendit, ka theksuar se të rinjtë duhet që të qëndrojnë dhe të kontribuojnë në Kosovë.