Nxënësit nga Kosova janë renditur të 74-tët në mesin e bashkëmoshatarëve të tyre nga 80 shtete pjesëmarrëse në testin PISA. Në raport është theksuar se 85 për qind e 15-vjeçarëve nga Kosova nuk kanë mundur të zgjidhin një detyrë të thjeshtë matematikore, e 83 për qind e tyre nuk kanë arritur ta kuptojnë një tekst me gjatësi mesatare. Krahasuar me rezultatet paraprake të testimit më 2018, Kosova ka shënuar regres, në veçanti në fushën e leximit dhe të të kuptuarit
85 për qind e nxënësve në Kosovë nuk mund të zgjidhin një detyrë të thjeshtë matematikore, është thënë në raportin e rezultateve të testimit ndërkombëtar “PISA”, i cili organizohet çdo tre vjet nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, OECD.
Sipas rezultateve të publikuara të martën, 15-vjeçarët nga Kosova janë ranguar ndër vendet e fundit nga mesi i 80 shteteve pjesëmarrëse në tri testet e programit ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve, PISA.
Ata kanë zënë vendin e 74-të në matematikë, që është fushë kyç e testimit, dhe të 76-tin në lexim. Në që të dy fushat, ata kanë pësuar rënie në performancë me 11 pikë pak krahasuar me testin e vitit 2018. E në fushën e shkencës, nxënësit nga Kosova janë renditur të 77-tit, me rënie prej tetë pikësh.
Në raport është theksuar se, në testimin për matematikë që është bërë në maj të vitit të shkuar, 15-vjeçarët nga Kosova kanë ngecur në detyra, si krahasimi i distancës së përgjithshme në dy rrugë alternative apo konvertimi i parave në valuta të ndryshme monetare.
Rezultate të dobëta, sipas raportit, janë treguar në fushën e leximit dhe të shkencës. Krahasuar me testimin paraprak të 2018-s, Kosova ka shënuar regres veçanërisht në fushën e leximit dhe të të kuptuarit, pasi që theksohet se 83 për qind e nxënësve nuk mund të kuptojnë një tekst me gjatësi mesatare.
Pas publikimit të raportit, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se një prej shkaktarëve që kanë ndikuar që nxënësit të kenë rezultate të dobëta është pandemia COVID-19.
“Pandemia u ka shkaktuar sfida kryesore mësimdhënësve tanë dhe shkollave në vështirësi në implementimin e teknologjisë. Ka qenë problematik mësimi në distancë, për shkak të rrethanave të cilat kanë ekzistuar dhe kësaj i shtojmë faktorët e tjerë, siç kanë qenë ndërrimet e shumta që kanë ndikuar në politikëbërje, pra, ndryshime të shumta të qeverisjeve”, ka thënë ajo.
Por njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, nuk e sheh pandeminë si faktor ndikues në rezultatet e dobëta të testit PISA.
“Problemi është i degëzuar nga institucionet qeveritare deri të mësimdhënësit në klasë. Jo me faj të nxënësve dhe jo me faj të mësimdhënësve, por ekskluzivisht për shkak të dështimit të një sistemi për të garantuar mësimdhënie në kompetenca e një mësimdhënie larg memorizimit”, ka thënë Qehaja.
E në organizatën për arsim “Etea” kanë numëruar metodologjinë e mësimdhënies si një faktor që ka ndikuar në këto rezultate.
“Ndër shkaqet kryesore që e kategorizojnë sistemin arsimor të Kosovës në këtë nivel është mësimdhënia memorizuese dhe të mësuarit mekanik që prodhon në masë fenomenin e analfabetizmit funksional. Kjo e dhënë u faktua që nga viti 2015, kur Kosova u përfshi për herë të parë në testin PISA. Por, që atëherë institucionet relevante i neglizhuan rezultatet në fjalë duke mos analizuar objektivisht situatën”, është thënë në reagimin e organizatës.
Pas publikimit të rezultateve të testit “PISA 2022” kanë reaguar edhe nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), duke i kualifikuar ato si “katastrofë arsimore”.
“Analfabetizmi funksional është rritur fatkeqësisht, numri i nxënësve që nuk kuptojnë të lexuarit, nga 78% sa ka qenë në vitin 2018 është rritur në 83% në vitin 2022. Në matematikë kriza është thelluar, nxënësit kosovarë që kanë performuar nën nivel janë rritur nga 76% sa ishin në vitin 2018, në 85% në vitin 2022. Ndërsa në shkencë nga 76% në vitin 2018, numri i performuesve të dobët është rritur në 79% në vitin 2022”, thuhet në reagim. “Shpresojmë që këto rezultate ta këndellin Kryeministrin e Republikës dhe Qeverinë e tij, ndonëse nuk beson se një gjë e tillë do të ndodhë pasur parasysh orientimin e Qeverisë, e cila nuk konsiston në reforma radikale, por vetëm në fasadë që në ditë si kjo shembet para syve tanë”.
Kryetari i Partisë Demokratike (PDK), Memli Krasniqi, në reagimin për rezultatet ka theksuar se “analfabetizmi qeveritar ka prekur dhe po i shkatërron shkollat”.
“Ne e kemi ditur, por tashmë edhe po dëshmohet, se qëllimi i kësaj Qeverie nuk ka qenë asnjëherë reforma arsimore e as përmirësimi i jetesës së qytetarëve tanë. Analfabetizimi qeveritar, fatkeqësisht, tashmë po shkatërron edhe shkollat tona!”, ka shkruar Krasniqi në Fecebook.
Në rezultatet e testit PISA të vitit 2022, më poshtë sesa Kosova janë renditur Filipinet, Guatemala, El Salvadori, Republika Dominikane, Paraguai dhe Kamboxhia. Testi i 2022-s ka qenë i përqendruar në matjen e njohurive në fushën e matematikës. Vetëm 15 për qind e nxënësve kanë arritur të kalojnë në nivelin e dytë nga gjashtë sa bëhen në bazë të matjeve të OECD-së për njohuritë e nxënësve.
“Pothuajse asnjë nxënës në Kosovë nuk ishte me performancë të mirë në matematikë, për të arritur në nivelin 5 ose 6 në testin e matematikës në PISA”, është thënë në raport.
Për të arritur në nivelin 5 apo 6, nxënësit duhej të tregonin aftës për të zgjidhur matematikisht situata komplekse, që të krahasojnë dhe të vlerësojnë strategjitë e duhura të zgjidhjes së problemeve për t'i trajtuar ato. Krahas kësaj, vetëm 7 për qind e nxënësve nga Kosova kanë arritur nivelin më të lartë në testimin për fushën e leximit.
“Këta nxënës kanë arritur të kuptojnë tekste të gjata, të merren me koncepte që janë abstrakte dhe kanë arritur të bëjnë dallimin mes faktit dhe opinionit”, është thënë në raport.
E, 21 për qind e nxënësve kanë arritur të kalojë nga niveli më i ultë në të dytin.
“Këta nxënës kanë arritur nivelin e dytë. Ata e dinë shpjegimin e saktë për dukuritë e njohura shkencore dhe kanë arritur t'i përdorin këto njohuri për të identifikuar, nëse një definicion është i vlefshëm”, është theksuar në raport.
Sa i përket dallimit gjinor, në raport është theksuar se djemtë dhe vajzat kanë performuar në nivele të ngjashme në matematikë, porse vajzat kanë pasur performancë më të mirë në fushën e leximit, me 25 pikë më shumë. Është theksuar po ashtu se është rritur përqindja e nxënësve që nuk janë të kënaqur me sistemin arsimor të cilin e vijojnë. Teksa më 2018 kjo përqindje ishte 9, nga rezultatet e fundit është rritur në 12 për qind.
Testimit në vitin 2022 i janë nënshtruar rreth 7 mijë nxënës të lindur në vitin 2006, nga 237 shkolla të Kosovës. Përzgjedhja e tyre është bërë në mënyrë rastësore nga sistemi elektronik i PISA-s.
Në rezultatet e testit të parë të PISA-s, të mbajtur në vitin 2015, nxënësit nga Kosova janë radhitur në vendin e 68-të nga mesi i 72 vendeve pjesëmarrëse. Në të dytin, i cili është mbajtur më 2018, 15-vjeçarët kosovarë kanë zënë vendin e 77-të mes 79 shteteve të botës.
Rezultatin më të mirë në që të tri fushat e testimit të 2022-s e kanë shënuar 15-vjeçarët nga Singapori, Japonia, Taipei e Makao.