LAJMET E MBRËMJES

Konjufca kritikon ministrat

Mungesën e ministrave në sallë për t’i prezantuar projektligjet, për të cilat kanë përgjegjësi, e ka kritikuar kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. Në mungesë të tyre, nuk arritën të shqyrtoheshin disa projektligje, derisa marrëveshjet ndërkombëtare nuk u nxorën për votim as në këtë seancë. Pushteti e opozita u përplasën për mosdekretimin e Blerim Isufajt, kryeprokuror

Qëndrime të ndryshme kanë shpalosur pushteti e opozita në lidhje me mosdekretimin Blerim Isufajt kryeprokuror nga presidentja Vjosa Osmani.

Sipas LDK-së, vendimi i Osmanit është kundërkushtetues.

“Shprehi shqetësimet për veprimet dhe qasjen kundërkushtetuese të presidentes së vendit me rastin e mosemërimit të kryeprokurorit të vendit. Ajo dëshmoi se për 18 muaj ka abstenuar me ushtrimin e detyrimeve që i ka me Kushtetutën e Kosovës”, u shpreh deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj.

Vendimi i presidentes është mbrojtur nga partia në pushtet.

“Me këtë veprim presidentja natyrisht se nuk mund të dekretonte dhe legjitimonte një proces të diskredituar dhe po ashtu të një personi të diskredituar. Presidentja po e mbron ligjshmërinë, kushtetutshmërinë”, ka thënë deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi.

Qëndrimet për këtë çështje u shpalosën në seancën e rregullt të Kuvendit, e në të cilën ishin në rend dite për shqyrtim një varg projektligjesh. Disa prej tyre nuk u shqyrtuan në mungesë të ministrave përgjegjës për t’i prezantuar ato.

Për këtë, kritika për kabinetin qeveritar pati kryekuvendari Glauk Konjufca.

“As për ligjin e ardhshëm nuk po e shoh ministrin që është për me prezantu. Du me ua dhënë një vërejtje ministrave që nuk po vijnë, është me të vërtetë mungesë e përgjegjësisë…”, ka thënë ai.

Edhe në këtë seancë nuk u nxorën për votim marrëveshjet ndërkombëtare, në mungesë të përkrahjes nga dy grupet parlamentare opozitare.