LAJMET E MBRËMJES

KGJK-ja “demanton” të dhënat e Kurtit për dhunime, por nuk sqarohet për cilësinë e punës

Rreth 24 orë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media u bazua në statistika që flasin për atë se si gjyqtarët në Kosovë i trajtojnë dhe japin vendime për rastet që kanë të bëjnë me dhunën seksuale, Këshilli Gjyqësor ka kontestuar ato të dhëna.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, tha që nuk e di se ku i ka marrë Qeveria këto të dhëna por, sipas tij, nuk qëndrojnë.

“Ajo që është prezantu në publik është krejtësisht e pavërtetë, në mënyrë të thjeshtë e provuar e kundërta. Sistemi gjyqësor ka 431 gjyqtarë sot, në funksion 382, 49 prej tyre janë në Akademinë e Drejtësisë. Nga të gjitha gjykatat që punojnë në çështjet penale, ne sot kemi 123 gjyqtarë aktivë në gjykatat themelore”, tha Zogaj.

“Statistikat” e prezantuara nga Kurti të dielën i ka kundërshtuar edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës. E, Qeveria e Kosovës nuk ka kthyer ende përgjigje se ku janë bazuar kur kryeministri Kurti ka folur për këto statistika.

Por Zogaj nuk ka qenë në gjendje që të argumentojë për kualitetin e aktgjykimeve dhe pse gjyqtarët parashohin më shumë rrethana lehtësuese sesa rënduese për dhunuesit.

“A mjaftojnë 11 gjyqtarë në vendin tonë t’i gjykojnë 40% të këtyre çështjeve. Dhe kjo është përgjegjësi ekskluzive dhe ndërhyrje e drejtpërdrejtë e Qeverisë në sistemin gjyqësor. Në buxhetin e vitit 2022 vetëm nëntë pozita janë liruar për gjyqtarë dhe ato për Gjykatën Komerciale. Deri në momentin kur nuk kemi kapacitete të mjaftueshme me gjyqtarë, bashkëpunëtorë dhe staf tjetër profesional, nënkuptoni që do të kemi parashkrime në sistemin gjyqësor”, tha Zogaj.

Kryesuesi Zogaj nga kjo konferencë ka folur edhe për atë që ai po e cilëson ndërhyrje të Qeverisë në gjyqësor.

Ka përmendur tri projektligje që janë në proces të hartimit, e që përmes tyre ai po pretendon që politika do ta cenojë drejtësinë.

Ka përmendur iniciativën për ndryshimin e Ligjit për Sanksione Penale e që si ndryshim do të jetë që për lirim me kusht më nuk do të vendosin tre gjyqtarë, por dy gjyqtarë dhe një zyrtar i Ministrisë së Drejtësisë.

Kjo, sipas tij, është ndërhyrje politike. E ka përmendur edhe Projektligjin për ekspertë gjyqësorë. Por, ndërhyrja më serioze, sipas tij, që po tentohet të bëhet është tendenca e Qeverisë që të ketë qasje në dosjet penale të qytetarëve të Kosovës.

“Shikona nenin 7, ku MD kërkon qasje të plotë evidencën penale...qasja e plotë nënkupton që të kesh informata edhe për individë...Këtu po e them, asnjëherë nuk do të lejoj që asnjë institucion të ketë qasje në të dhënat penale të qytetarëve”, tha Zogaj.

Për këto tri çështje, përmes një përgjigjeje me shkrim është përgjigjur Genc Nimoni, shef i kabinetit së ministres së Drejtësisë. Për panelet për lirim me kusht ka thënë që kjo çështje është proceduar nga Kuvendi. E për qasje në evidencat penale e ka sqaruar ndryshe nga Zogaj.

“Sa i përket çështjes së ngritur nga z. Zogaj lidhur me nenin 7 të Projektligjit, na lejoni t’ju informojmë se neni 7 i Projektligjit shprehimisht e thotë se qasja e Ministrisë së Drejtësisë në Sistemin Qendror të Evidencës Penale – SQEP ndërlidhet vetëm me detyrat dhe përgjegjësitë nga fushëveprimi i Ministrisë së Drejtësisë dhe po ashtu MD nuk ka asnjë të drejtë të ndërhyjë në të”, tha Nimoni.

Albert Zogaj ka marrë detyrën e kryesuesit të KGJK-së në kohën e Qeverisë Kurti. Për të lëvdata publike kanë pasur disa zyrtarë shtetërorë, në mesin e tyre edhe ministrja Haxhiu.