LAJMET E MBRËMJES

Inflacioni thellon varfërinë në Kosovë

Rritja e çmimeve në dy vjetët e fundit, sipas analizës së Pulsit Publik e publikuar të enjten nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, ka thelluar varfërinë në Kosovë. Sipas këtij raporti, shpenzimet për produktet ushqimore janë rritur për mbi 50 për qind në dy vjetët e fundit

Mbi 50 për qind janë rritur shpenzimet për produktet ushqimore në dy vjetët e fundit, sipas analizës së Pulsit Publik me titull “Shqyrtimi i dinamikës së varfërisë së amvisërive përballë inflacionit”, e publikuar të enjten nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim.

Rritja e çmimeve në këtë periudhë, sipas analizës së UNDP-së ka thelluar varfërinë në Kosovë.

“Kjo analizë tregon se në vitin 2021, 38.8 për qind kanë shpenzuar 200 euro për produkte ushqimore. Kjo është rritur në 47.8 për qind dhe 59 për qind e shpenzimeve në 2022-tën dhe respektivisht në 2023. Trendi i ngjashëm është edhe për shërbimet, transportin dhe sektorin e shëndetësisë”, ka thënë Nuno Queiros, përfaqësues rezident i Zyrës së UNDP-së në Kosovë.

Në raport thuhet se 91.4 për qind e të anketuarve janë shprehur të shqetësuar me rritjen e çmimeve.

E 44.1 për qind e tyre kanë thënë se blejnë më pak produkte dhe shpenzojnë më shumë para sesa para dy vjetëve.

Po ashtu 29 për qind e të anketuarve kanë thënë se gjatë këtyre dy vjetëve i kanë reduktuar shpenzimet për produktet që i kanë blerë më herët dhe se janë vonuar në pagesën e faturave.

Anna Toness nga USAD-i tha se kjo analizë do t’u ndihmojë institucioneve dhe partnerëve në Kosovë që të hartojnë politika të duhura për këtë çështje.

“E kuptoj që këto analiza që i shpalosim çdo vit përfaqësojnë një çështje të rëndësishme, pasi këto gjetje mund të na informojnë më së miri. Janë këto të dhëna që do të na ndihmojmë edhe ne, por edhe institucionet në përpilimin e programeve që ndihmojnë në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve”, ka deklaruar Toness.

Në raport është theksuar se inflacioni ka prekur edhe gjendjen emocionale të qytetarëve, duke shkaktuar stres dhe ndryshime thelbësore në rutinën e tyre.