LAJMET E MBRËMJES

“Handikosi” kërkon shkarkim të komisioneve vlerësuese për paraplegjikët e tetraplegjikët

Drejtori i Handikos, Afrim Maliqi, ne komision duke raportuar

Shkarkim të komisioneve vlerësuese të mjekëve në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe të komisionit vlerësues të Ministrisë së Financave, ka kërkuar shoqata “Handikos” para Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, të hënën.

Afrim Maliqi, drejtor i kësaj shoqate, ka thënë se Komisioni Mjekësor për Personat Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë, duke i bërë punët shkel e shko në vlerësim, po i shkel ligjet e aktet nënligjore që e rregullojnë këtë çështje.

“Është puna e komisionit që nuk e zbaton rregulloren të cilën e ka para vetes. Besoni, besoni se ka kanë pasur rregulloren. Aty grupohen, shumë qartë shkruan se në grupin e parë e në grupin e dytë kush hyn. Si vlerësohen? Ata nuk e respektojnë atë, shkojnë e i thonë personit çoji duart lart, i çon duart lart dhe dil! As s’i tregojnë si u vlerësua. Emrin, mbiemrin, me kë jeton, çfarë ke të përfunduar dhe përfundon”, tha Maliqi.

Në të dy komisionet, sipas Maliqit, nuk po bëhet punë profesionale.

“Është së pari komisioni konziliar që është në Neurologji në Prishtinë dhe në Spitalet tjera regjionale, prej pesë mjekëve dhe aty e marrin (vlerësimin v.j). Shkojnë e ekzaminohen. A e dini sa ekzaminohen? 1 minutë, gjysmë minuti dhe ia përshkruajnë aty në dokument, ja japin një formular: a ka me qenë në grupin e parë apo të dytin. Kur vjen në komisionin tjetër, i cili është edhe ai komplet prej mjekëve, i cili është prej Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, prapë ndodh që vetëm as gjysmë minute nuk i vlerësojnë”, tha Maliqi.

Kryetarja e Komisionit të Kuvendit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje, u zotua se do ta mbajë një takim të përbashkët ku do t’i ftojë edhe anëtarët e këtyre komisioneve.

Personave që hyjnë në grupin e parë në kuadër të Ligjit për Personat Paraplegjikë e Tetraplegjikë u takojnë 375 euro nga shteti për material për parandalim të plagëve dhe asistent personal. Kompensimi për personat e grupit të dytë është 150 euro, pasi për ta konsiderohet se nuk kanë nevojë për asistentë.

Në pesë vjetët e fundit, sipas “Handikosit”, nga listat e përfituesve, 600 personave u është marrë e drejta për asistentë.