Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Ekspertët druajnë se mund të politizohet procesi i anëtarësimit në KiE

Përfaqësues të Qeverisë dhe opozitës kanë shprehur pritjen që anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës të mos diktohet nga dialogu me Serbinë. Por, njohës të integrimeve thanë se procesi mund të politizohet. Në majin e sivjetmë Kosova aplikoi për t’u bërë pjesë e këtij Këshilli

Në një konferencë të organizuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike është shprehur optimizmi se Kosova do të bëhet shpejt anëtare e Këshillit të Evropës.

Në majin e sivjetmë Kosova ka aplikuar për t’u bërë pjesë e këtij Këshilli.

Përfaqësues institucionalë thanë të martën se ky proces nuk duhet të diktohet nga progresi në dialogun me Serbinë.

“Është e drejtë e qytetarëve të Republikës së Kosovës të kenë qasje në instrumentet e Këshillit të Evropës, përndryshe e shndërrojmë në një levë të Vuçiqit në dialog dhe paramendojeni situatën kur viktimat e padrejtësive në Kosovë varen nga disponimi i Vuçiqit se a mund apo nuk mund t’i adresohen Gjykatës në Strasburg”, ka thënë zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti.

Kosovarët nuk mund t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut për shkak që shteti ende nuk është anëtar i Këshillit të Evropës.

Edhe Ahmeti: Mund të thirret mbledhje e jashtëzakonshme për anëtarësim në KiE Arbëri Ahmeti: Mund të thirret mbledhje e jashtëzakonshme për anëtarësim në KiE

Për përfaqësues opozitarë, rruga e anëtarësimit nuk do të jetë e gjatë.

“Unë pres që Kosova do të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, pres për dy arsye për shkak që të gjithë janë të vetëdijshëm që shumica e shteteve që janë anëtare aty janë 46 vende anëtare shumica prej tyre nuk i kanë predispozitat kushtetuese dhe ligjore më të mira se na”, ka thënë deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri.

Ekspertë të proceseve integruese shprehën drojën se mund të politizohet edhe integrimi në Këshillin e Evropës, ngjashëm me procesin e liberalizimit të vizave.

“Nëse Këshilli nuk di më t’i dallojë dhe fillon ta ngatërrojë procesin e kritereve me një veprim teknik që duhet të merret nga Komiteti i Ministrave, kjo mundë ta dëmtojë edhe vetë Këshillin. Mos të harrojmë lidhshmërinë me vetë BE-në, ku procesi i liberalizimit të vizave u politizua krejtësisht, një çështje teknike e standardeve filloi të marrë komplet dimension tjetër”, deklaroi Kushtrim Istrefi, këshilltar i jashtëm i MPJD-së për Këshill të Evropës.

Profesori i studimeve të paqes dhe konflikteve, Gëzim Visoka, pret që vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës të vazhdojnë me kushtëzime.

Edhe Komiteti nuk e adresoi rekomandimin e Asamblesë Parlamentare Arbëri Komiteti nuk e adresoi rekomandimin e Asamblesë Parlamentare

“Fatkeqësisht nuk mendoj se Këshilli i Evropës, por edhe vendet armike dhe kundërshtare do të zmbrapsen nga logjika e tyre kushtëzuese, tregtare sa i përket Këshillit të Evropës. Edhe është një logjikë thellësisht e mishërueshme tek rasti i Kosovës që nuk është praktikë e re, por është diçka që ka ndodhur që nga procesi i shtetbërjes, i njohjes edhe tutje”, ka thënë ai.

Në tryezë u vlerësua se rrethanat gjeopolitike, si dhe largimi i Rusisë nga Këshilli i Evropës kanë krijuar momentum të ri nga i cili mund të përfitojë Kosova.