As të mërkurën, kur është mbajtur vazhdimi i 12-të me radhë i seancës konstituive, nuk është arritur që të ecet tutje me votimin e kryetarit të Kuvendit. Deputetë të PDK-së, të LDK-së, të AAK-së, Nismës Socialdemokrate dhe të Listës Serbe nuk morën pjesë në votimin për formimin e Komisionit zgjedhor, i cili do ta mbikëqyrte procesin e votimit të fshehtë për kryetar të Kuvendit. E pas ndërprerjes së punimeve, përfaqësues të të dy taborëve politikë akuzuan njëri-tjetrin për ngërçin
Për të dymbëdhjetën herë radhazi ka dështuar të mërkurën seanca konstituive e Kuvendit.
Sikurse në seancat e mëhershme, deputetë të Partisë Demokratike (PDK), ata të Lidhjes Demokratike (LDK), të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të Nismës Socialdemokrate dhe të Listës Serbe nuk kanë propozuar kandidatët e tyre për formimin e Komisionit zgjedhor, i cili do ta mbikëqyrte procesin e votimit të fshehtë për kryetar të Kuvendit. Ata as nuk kanë marrë pjesë në votimin e tij.
Nga 113 deputetë sa kanë qenë të pranishëm në sallën e Kuvendit të mërkurën, pro formimit të Komisionit kanë votuar 56 ndërsa kundër ka dalë deputeti Veton Berisha.
E atyre deputetëve që nuk kanë marrë pjesë në votim, kryesuesi i seancës e deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Avni Dehari, ua ka cituar aktgjykimin e 2014-tës të Gjykatës Kushtetuese që ua bën të obligueshëm votimin në seancë konstituive të Kuvendit.
“Në bazë të rezultateve, ua kujtoj se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i obligon deputetët që të votojnë për, kundër, të abstenojnë por jo edhe të mos votoni. Në bazë të atyre që kanë votuar, kemi 56 deputetë, 1 kundër dhe asnjë abstenim. Seanca ndërpritet, shihemi më 9 maj në orën 10”, ka thënë Dehari teksa e ka përmbyllur vazhdimin e së mërkurës të seancës konstituive.
Pas kësaj, përfaqësues të partisë fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe ata të subjekteve që në mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë kanë adresuar sërish akuza në adresë të njëri-tjetrit.
Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, ka thënë se Vetëvendosje është duke vazhduar me abuzimin e të drejtës që ia garanton Kushtetuta, si subjekt i parë, për ta propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit.
“Lëvizja Vetëvendosje e ka marrë shtetin peng dhe po e mban konstituimin e institucioneve peng. Ky është një degradim për të cilin asnjë nuk e kemi paramenduar që mund të bëhet ndonjëherë. Ky është edhe dhunim i verdiktit të qytetarëve të Kosovës, sepse pasnesër bëhen tre muaj që i kemi mbajtur zgjedhjet dhe ato zgjedhje e kanë prodhuar këtë përbërje të Kuvendit”, ka theksuar ai.
Krasniqi është shprehur se kandidatja e LVV-së, Albulena Haxhiu, do të vazhdojë të mos zgjidhet për kryeparlamentare.
“E ftoj deputetin Albin Kurti që të na tregojë a e ka më të rëndësishme Albulena Haxhiun a një milion qytetarë që kanë votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit, se pse Albulena Haxhiu është më e rëndësishme për të e për VV-në, se votat që i kanë marrë ata”, ka thënë ai.
E deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se në mungesë të votave për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje nuk mund ta imponojë mënyrën e zhbllokimit të institucioneve.
“Besoj që është e qartë për ju dhe për gjithë qytetarët se kush është bllokuesi dhe kujt i mungon vullneti politik për të bërë zhbllokimin e institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo, pas ndërprerjes së seancës konstituive.
Por deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka akuzuar taborin tjetër politik për refuzimin e bashkëpunimit teksa ka thënë që ndërrimi i emrit të kandidatit kryeparlamentar nuk prodhon zhbllokim për situatën e krijuar.
“Kemi parë që kanë refuzuar, refuzojnë ftesat, refuzojnë bashkëpunimin, refuzojnë zgjidhjet për votim të fshehtë e në anën tjetër dalin e akuzojnë partinë fituese që po e bllokon konstituimin e Kuvendit. Kjo nuk mund të quhet asgjë tjetër pos hipokrizi. Shpresojnë që qytetarët të gjithë po e shohin që kjo bllokadë që po bëhet ka adresë të caktuar dhe po bëhet nga partitë opozitare”, ka thënë ai.
Murati ka thënë po ashtu se pajtohet që votimi i fshehtë nuk është rregulli që aplikohet porse ka shtuar që as situata e krijuar nuk është në rregull.
“Është situatë përjashtuese se nuk është në rregull që të mbahen 12 seanca apo 12 vazhdime të seancave dhe të mos ketë vendimmarrje për këtë çështje. Prandaj jemi detyruar me idenë që të ofrojmë zgjidhje”, ka thënë ai.
E kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shprehur shpresë për zhbllokimin e situatës.
“Krejt jeta jonë është e orientuar te diskutimet kush çka bëri. Ne duhet të kthehemi në punë dhe shpresoj që të gjendet një zgjidhje për ngërçin në Kuvend, të shkojmë ma tutje”, ka thënë ai.
Në katër vazhdimet e fundit të seancës konstituive të Kuvendit, propozimi i LVV-së për Haxhiun kryeparlamentare nuk është nxjerrë në votim, pasi kryesuesi i ka ndërprerë punimet menjëherë pas dështimit që të formohet komisioni për zhvillimin e votimit të fshehtë.