Përfaqësues të Bordit të Agjencisë së Akreditimit janë përballur me kritika të deputetëve shkaku i pasaktësive të evidentuara në Raportin e punës për vitin 2021. Në këtë mbledhje është shpërfaqur edhe presioni politik mbi Bordin, meqë Agjencia nuk e ka akredituar Degën e Elektroenergjetikës. Për pasaktësitë, Bordi e ka gjuajtur fajin tek administrata e Agjencisë, ndërkaq në çështjen e akreditimit thanë se nuk do të lëshojnë pe
Anëtarë të Komisionit parlamentar për Arsim kanë kritikuar të martën raportin vjetor të punës së Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC) që ka funksionin e Bordit të Agjencisë së Akreditimit (AKA). Ata kanë përmendur gabime teknike e mospërputhje në shifra.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, ka numëruar disa nga shpërputhjet.
“Thuhet që në vitin 2021 Agjencia realizoi vlerësimin institucional të 11 institucioneve të arsimit të lartë, prej tyre dy ishin universitete publike, kurse nëntë të tjera kolegje private. Këtu është thënë që 11 institucione i janë nënshtruar vlerësimit institucional, ndërsa në faqen 12 të këtij raporti keni thënë që keni kryer nëntë vlerësime për institucione”, ka thënë deputetja Reshitaj.
Më i ashpër në mbledhje ishte deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Koka. Ai e ka quajtur raportin skandaloz dhe i ka propozuar kryetares së KSHC-së, Hasnije Ilazi, që të paraqitet më e përgatitur në komision.
“Koncentrohuni, angazhohuni, mobilizohuni nëse mundeni, përndryshe ne e kemi përshtypjen që kredibiliteti i juaj nuk është në nivelin e duhur. Ky raport është skandaloz”, ka thënë deputeti Koka.
Anëtarë të KSHC-së, të cilët raportuan në komision të martën, për gabimet kanë gjuajtur fajin tek anëtarët paraprakë të Bordit.
“Më lejoni t’ju informoj se ka të dhëna që janë marrë nga bordi i kaluar edhe nga bordi aktual këto shifra, prandaj janë të ndryshme”, ka thënë Krenare Pireva, anëtare e KSHC-së.
Ndërkaq Hasnije Ilazi përgjegjësinë për mospërputhjet ia ka faturuar administratës së agjencisë.
“Duhet ta dimë se përgjegjësitë janë të ndara mes Këshillit dhe Agjencisë. Ne jemi bordi, Agjencia është ana administrative që mbledh të dhënat dhe statistikat e tjera që na japin neve. Ne jemi vendimmarrje dhe jemi politikëbërës në rend të parë. Statistikat janë pjesë administrative”, është arsyetuar ajo.
Krahas kritikave për mospërputhje të shifrave, në mbledhjen e Komisionit parlamentar është shpërfaqur edhe presioni politik mbi Bordin, shkaku i mosakreditimit të Degës së Elektroenergjetikës në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës.
Deputeti Jahja Koka ka thënë se me mosakreditimin e kësaj dege për vitin 2021, sektori i energjisë do t’i ndiejë pasojat në vitet në vijim.
“Ta rrëzoni çerdhen e profesor Rifat Gjotës. Çështjen e energjisë e kemi jetike. A jetoni në Kosovë apo në një planet tjetër? Me një egoizëm, me një prepotencë të çuditshme po veproni”, ka thënë ai.
Deputetit Koka i është kundërpërgjigjur kryetarja e KSHC-së, e cila ka theksuar se nuk do të lëshojnë pe për asnjë program që nuk i plotëson kriteret, ani se e ka pranuar që për Degën e Elektroenergjetikës ka pasur takim edhe me kryeministrin Albin Kurti.
“Sa i përket energjetikës ne kemi pasur një takim para disa muajve edhe me kryeministrin, edhe me kryetarin e komisionit, edhe me ministren, kanë qenë edhe disa deputetë, edhe e kemi diskutuar këtë çështje edhe i kemi thënë kryeministrit: Na e dimë që janë nevojat urgjente, por nuk mundemi me i plotësuar këto nevoja pa cilësi”, ka thënë Hasnije Ilazi.
Në këtë mbledhje Ilazi ka njoftuar se më 30 qershor do të merren vendime për akreditimin e programeve dhe institucioneve të arsimit të lartë për vitin akademik 2022-2023.
Anëtarët e KSHC-së kanë treguar se ka filluar procesi i monitorimit të institucioneve të arsimit të lartë, një komponentë e lënë anash për vite rresht. Po ashtu, edhe për funksionalizimin e Komisionit të Ankesave të AKA-së, i cili ishte jofunksional për më shumë se nëntë muaj.
Ilazi ka treguar se prioritet për Agjencinë dhe Këshillin është rikthimi në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), si dhe në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), prej të cilave ishte përjashtuar pas ndërhyrjes politike të Qeverisë Haradinaj. Prandaj, ajo u ka bërë thirrje deputetëve që ta votojnë sa më shpejt Projektligjin për Agjencinë e Kosovës për Akreditim, i cili garanton autonomi më të gjerë dhe përbën një nga kushtet për rikthim në këta mekanizma evropianë të cilësisë.
Në shtator pritet që zyrtarë të ENQA-s të vizitojnë Agjencinë për të vlerësuar nëse duhet dhënë aprovimi për rikthimin e AKA-s në këtë institucion ndërkombëtar.