Deputetët e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave kanë shqyrtuar raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për tenderët e KEK-ut gjatë periudhës 2018-2020. Ata kanë shprehur shqetësimet e tyre për keqmenaxhim, duke ngritur dyshimet për mashtrim. Menaxhmenti i KEK-ut nuk i ka mohuar shkeljet e evidentuara nga ZKA-ja, por ka thënë se kanë marrë detyrën në fund të vitit të kaluar dhe se nuk janë përgjegjës për periudhën e mëhershme
Dyshime për mashtrime në tenderë, në Korporatën Energjetike të Kosovës, kanë ngritur deputetët e Komisionit për Menaxhimin e Financave Publike pas gjetjeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit në këtë korporatë.
Në mbledhjen e mbajtur të martën, në të cilën u shqyrtua raporti i ZKA-së për prokurimin në KEK gjatë viteve 2018-2020, kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami, ka thënë se gjetjet çojnë në dyshime për mashtrim dhe korrupsion.
“Ne saktë nuk e dimë se çka kualifikon ZKA-ja si mashtrim, por nëse në procedurë të tenderimit të hapur refuzohen dy kompani për papërgjegjshmëri, për mungesë të kritereve dhe prapë hyhet në negocim të drejtpërdrejtë me njërën prej këtyre operatorëve që ka qenë i papërgjegjshëm dhe largohen komplet kriteret, nuk e di se si mund të kualifikohet ndryshe përpos mashtrim dhe dyshim për korrupsion”, ka thënë ajo.
Shkeljet e identifikuara nga auditori nuk janë mohuar nga kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi. Por, ai ka thënë se nuk merr përgjegjësi për këto, pasi në krye të KEK-ut ka ardhur në tetor të 2021.
“Qëndron dhe ajo që neglizhenca ka ndikuar që pastaj KEK-u të hyjë në prokurime, të cilat i shkelin rregullat e prokurimit, sepse ka çështje që mund të planifikohen shumë më herët, por kur të vijë çështja në fund, jemi të detyruar të bëjmë transportin e punëtorëve, sigurimin fizik e shumë shërbime të tjera”, ka thënë Krasniqi.
Deputeti Rashit Qalaj, nga PDK-ja, ka thënë se gjetjet janë shqetësuese dhe se procesi i prokurimit është i dyshimtë.
“Kështu nuk kam parë në asnjë institucion deri tani. Nuk po them që KEK-u nuk ka bërë punë të mira, por ne i referohemi këtij raporti me gjetje. Procedurat që janë zhvilluar nga prokurimi për mua janë shumë të dyshimta”, ka theksuar Qalaj.
E raportimi u përcoll me përplasje verbale ndërmjet deputetit të PDK-së, Hajdar Beqa, dhe atyre të Vetëvendosjes.
“Nuk je zëdhënës i KEK-ut. Unë kam informata edhe për skandalet, pikërisht ti, që ke pasur takime edhe për punësimet me kryeshefin”, i ka thënë Beqa deputetit të VV-së, Halit Thaçi, pasi ky i fundit interferoi në fjalën e tij.
Por, Thaçi i ka quajtur shpifje pohimet e Beqës.
“Kjo është shpifje, ti je shpifës”, ka thënë ai.
Në këtë debat është bashkuar edhe deputeti tjetër i VV-së, Eman Rrahmani.
“Pajtohem me ty plotësisht kur thua që nëse vazhdohet në bazë të këtyre gjetjeve të auditorit, në 2022 do të kemi krizë, katastrofë, për shkak se kjo është pasqyrë e qeverisjes PDK-AAK”, ka thënë ai.
Debati vazhdoi mes tyre edhe për fuqinë e votave që kanë këta deputetë.
Ndërkohë gjatë këtij raportimi kryeshefi i KEK-ut ka paralajmëruar se gjatë verës tri njësi të KEK-ut do të jenë në remont.
Ditë më parë Zyra Kombëtare e Auditimit ka nxjerrë raportin “Prokurimi në Korporatën Energjetike të Kosovës (2018-2020).
Në auditim u konkludua se Korporata Energjetike e Kosovës nuk ishte siguruar që fondet dhe burimet e saj ishin përdorur në mënyrën më ekonomike, duke marrë në konsideratë qëllimin dhe lëndën e prokurimit. Gjatë viteve 2018-2020, nëpërmjet prokurimit, KEK-u kishte lidhur 1.060 kontrata me vlerë të përgjithshme prej 181.5 milionë eurosh.
Në raport thuhet se KEK-u nuk ishte siguruar që në aktivitetet e veta të prokurimit t’i trajtojë operatorët ekonomikë në mënyrë të barabartë dhe jodiskriminuese dhe të veprojë në mënyrë transparente.
“Korporata Energjetike e Kosovës kishte zhvilluar disa aktivitete të prokurimit në atë mënyrë që kishte reduktuar apo eliminuar konkurrencën në mes të operatorëve ekonomikë ose kishte diskriminuar në dëm ose në të mirë të një ose më shumë operatorëve ekonomikë. Kjo për shkak se Korporata Energjetike e Kosovës kishte lidhur numër të konsiderueshëm të kontratave të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, duke i arsyetuar me situata të emergjencave ekstreme përderisa rrethanat që i kishin krijuar këto situata u atribuohen neglizhencës ose lëshimeve të saj”, thuhet në të.
Në raport thuhet se aktivitetet e prokurimit janë realizuar kryesisht me negocim të çmimit me ç’rast Korporata Energjetike e Kosovës, përveçqë nuk ka siguruar transparencë në prokurim, në disa raste ka paguar më shtrenjtë për mallrat dhe shërbimet e blera.