LAJMET E MBRËMJES

Dedaj thotë se s’ishte normal kur ka deklaruar se është rrahur nga UÇK-ja

Me plot kundërshtime të deklaratave paraprake ka dëshmuar të hënën në Gjykatën Speciale, Gjergj Dedaj, ish-deputet e ish-ambasador. Ai ka ndryshuar edhe deklaratën kur ka thënë se është rrahur nga pjesëtarët e UÇK-së në Baicë, në vitin 1998 kur së bashku me disa deputetë të legjislaturës së fundit të paraluftës kanë shkuar në zonat e luftës. Për deklaratat rënduese për Thaçin dhe të akuzuarit e tjerë në Speciale, Dedaj ka thënë se ato janë thënë në kohën kur ai s’ka qenë normal

Gjergj Dedaj nuk ka konfirmuar gati asgjë nga ato që vetë ia kishte deklaruar Zyrës së Prokurorit të Specializuar, EULEX-it e UNMIK-ut, për UÇK-në dhe drejtuesit e saj. Në dëshminë e dhënë të hënën para trupit gjykues të Dhomave të Specializuara në Hagë, ku po gjykohen ish-drejtuesit e UÇK-së, Dedaj ka folur për periudhën kur ai si nënkryetar i Kuvendit dhe disa deputetë të dalë nga zgjedhjet e vitit 1998, kishin vizituar zonat luftës. Në përgjigje të pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), ai nuk i mbështeti deklaratat e mëhershme kur kishte thënë se pjesëtarë të UÇK-së e kishin ndaluar dhe rrahur atë.
“90 për qind të deklarimeve që i kam bërë pasluftës s’kam qenë normal dhe në gjendje për të thënë të vërtetën. Jam i gatshëm të ballafaqohem me çdo gjë, sikur që kam qenë i gatshëm kur e kam vendosur në tryezë jetën time për lirinë e Kosovës. Jeta ime, s’ka vlerë dhe sot që jam këtu, jam kufomë s’kam asnjë vlerë”, ka deklaruar Dedaj.
Ai ka deklaruar më herët, edhe publikisht, se si së bashku me gjashtë deputetë - pjesë e një delegacioni që shkoi për të mbledhur informata në zonat e luftës më 1998, janë rrahur në shkollën “Migjeni” në Baicë nga pjesëtarë të UÇK-së. Para kësaj ngjarjeje pati thënë se e kishte parë Rexhep Selimin në veturën që i çoi nga Qirezi në Baicë. E në Baicë, pas rrahjes, pati thënë se e kishte takuar Hashim Thaçin, nga i cili ishte marrë në pyetje. Ai e ka konfirmuar edhe para Gjykatës se e kishte parë Thaçin në Baicë, ku ishte ndaluar, mirëpo e ka mohuar se është marrë në pyetje. Dedaj ka thënë se me Thaçin thjesht zhvilluan bisedë për zhvillimet politike të kohës.

Gjatë dëshmisë, ai ka theksuar se incidenti në Baicë i ka kushtuar shumë në jetë.
“Kjo më vë në pozitë të sikletshme para jush edhe para opinionit se unë kam fëmijë, kam familje, kam nipa, kam mbesa që janë shumë të shqetësuar, gruan e kam lënë të sëmurë në shtëpi në këto raste. Qe 25 vjet ne jemi të sëmurë, sepse çdo ditë unë fyhem, kërcënohem nga individë të caktuar për këtë rast. Çdo ditë, 25 vjet”, është shprehur Dedaj.
Shumica e deklaratave të mëparshme të tij ka thënë se nuk qëndrojnë dhe se nuk pati rrahje, gjak e lëndime, por kacafytje që përfundoi brenda një minute. Më pas thuri lavde për Thaçin, derisa UÇK-në e quajti titanike.
“Jam i përgatitur dhe kam qenë i përgatitur për çdo sakrificë e edhe ta jap jetën time. Mirëpo asnjëherë, asnjëherë dhe asnjëherë ta etiketoj dhe njollos ushtrinë titanike, epike, çlirimtare dhe heroike, që është një prej ushtrive më të pastra nga luftërat botërore, është Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ka deklaruar Dedaj.
Prokurorja e ZPS-së, Deborah Mayer, e ka pyetur Dedajn për një deklaratë paraprake ku kishte thënë se Selimi ishte prezent gjatë rrahjes së deputetëve.
“Prokurori thotë: A ishte Selimi aty? Ti (në deklaratën e dhënë ZPS-së) thua: Selimi ka qenë aty, por unë isha i shokuar. Nuk kisha qenë i rrahur kurrë më parë. Pastaj i pashë shokët e mi të gjakosur”, ka përkujtuar Mayer deklaratën e tij.
Dedaj, si dëshmitari i 33-të ka thënë se Selimi ia kishte kërkuar letërnjoftimet dhe se nuk ishte i sigurt nëse personat që hynë dhe u kacafytën me deputetët ishin pjesëtarë të UÇK-së. Në kacafytje sipas tij, nuk morën pjesë as Thaçi e as Selimi.
“Edhe një herë e shpjegova pasi na i kanë dhënë letërnjoftimet, Rexhep Selimi ka shkuar domethënë nuk e kam parë më. Personat që kanë hyrë aty që për mua ishin huliganë ndoshta edhe qytetarë të atyre zonave kanë qenë të maskuar pa shenja të UÇK-së... Aty as s'ka qenë Sabit Geci, as s'ka qenë Rexhep Selimi, as nuk ka qenë Hashim Thaçi. Këto janë të sigurta nuk i them ndryshe, vetëm të vërtetën. Absolutisht nuk i them ndryshe”, ka theksuar Dedaj.

Ai më tej ka thënë se bashkë me shokët u ndaluan për dy ditë dhe se gjatë asaj kohe e krijoi përshtypjen se UÇK-ja ishte e çrregullt.

E për lëndimet që ka marrë, ka thënë se është rrëzuar në fshat, meqë, siç u shpreh, është njeri urban.

Dedaj, përveç paraluftës ka mbajtur mandat deputeti edhe nga viti 2004 deri më 2007. Më 2018, presidenti Hashim Thaçi e kishte dekretuar ambasador të Kosovës në Maqedoni.

Ndërsa, për shkarkimin e tij nga kjo pozitë ai e fajësoi presidenten Vjosa Osmani, duke thënë se e ka larguar dhunshëm.
“Në 2004 kam fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës - deputet i Kuvendit të Kosovës. Kur është themeluar Këshilli Tranzitor kam qenë anëtar i Këshillit Tranzitor të Kosovës, zëvendësministër në disa dikastere, së fundi zëvendësministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës... Kam qenë ambasador i Republikës së Kosovës që jam larguar dhunshëm, brutalisht dhe politikisht nga e ashtuquajtura presidente Osmani për qëllime politike, sepse në vend timin e ka dërguar burrin e saj dhe në bashkëpunim me ambasadën turke në Shkup më ka larguar nga pozita e ambasadorit”, ka thënë Dedaj kur iu kërkua të prezantohej në Speciale.

Deklarimit të tij i është përgjigjur Bekim Kupina, shef i Zyrës për Komunikim me Publikun në Zyrën e Presidentes.
“Gjergj Dedaj e paska zgjedhur Gjykatën Speciale për të përhapur gënjeshtra lidhur me presidenten Osmani, duke e quajtur me të njëjtat fjalë sikurse Serbia. Presidentja Osmani nuk është ‘e ashtuquajtur’, siç e cilëson Serbia dhe ti Gjergj, por ka më së shumti legjitimitet në historinë e Kosovës. Ti e di këtë, por s'të pëlqen ky fakt. Prandaj sot e bëre atë që di më së miri: gënjeve. Bashkëshorti i saj as nuk ka qenë e as nuk është ambasador, ndaj tij jo që s'e di, por ama të pëlqen gënjeshtra si mjet viktimizimi. Ti je veç një përfitues nga gënjeshtra! Ne ende jemi në pritje të drejtësisë për kërcënimet me jetë që i ke bërë publikisht ndaj presidentes dhe familjes së saj”, ka shkruar Kupina në Facebook.

Dëshmia e Dedajt pritet të vazhdojë edhe të martën me pyetjet e avokatëve të të akuzuarve, që projektohet të jenë mbi gjashtë orë.

Në versionin më pak të redaktuar, në aktakuzën e ZPS-së të publikuar në shkurt të vitit 2023, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Pretendimi i prokurorisë është se ata janë përgjegjës për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj edhe tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999. Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni, shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm lidhur me krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre. Të akuzuarit siç pretendohet në aktakuzë janë përgjegjës personalisht në frikësimin, marrjen në pyetje dhe keqtrajtimin e personave të ndaluar nëpër qendra ndalimi.

Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Thaçi, Veseli, Selimi, Krasniqi kanë deklaruar se UÇK-ja s’e ka pasur hierarki të tillë që Shtabi i Përgjithshëm të kishte kontroll efektiv mbi komandat e zonave operative dhe komandat lokale e as dijeni se cilat janë veprimet të cilat i kryejnë këto komanda.