LAJMET E MBRËMJES

Cameron ofron mbështetje për sigurinë dhe njohjet e reja të Kosovës

“Jetojmë në një botë me pasiguri të madhe, paqëndrueshmëri të madhe, në një botë me konflikte të mëdha dhe është një kohë kur vendet si Britania duhet t'i mbështesin miqtë tanë, të punojnë ngushtë në aleancat tona të rëndësishme dhe të investojnë në zona që kanë qenë të paqëndrueshme, por që tani po tregojnë shenja të mëdha të stabilitetit dhe progresit. Dhe kjo është arsyeja pse ne jemi këtu dhe kjo është arsyeja pse ne duam të vazhdojmë të punojmë me ju”, ka thënë Cameron gjatë një konference të përbashkët shtypi me ministren e Jashtme, Donika Gërvalla

Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, e ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së paqes dhe të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, teksa e ka bërë zotimin për mbështetje të vazhdueshme të Kosovës.

Cameron, i cili të enjten ka qëndruar në Prishtinë në kuadër të vizitës së tij të parë në Kosovë në cilësinë e kryediplomatit britanik, ka thënë se konfliktet e shumta nëpër botë kanë ndikuar që Britania e Madhe të jetë sa më përkrahëse e miqve të saj.

“Jetojmë në një botë me pasiguri të madhe, paqëndrueshmëri të madhe, në një botë me konflikte të mëdha dhe është një kohë kur vendet si Britania duhet t'i mbështesin miqtë tanë, të punojnë ngushtë në aleancat tona të rëndësishme dhe të investojnë në zona që kanë qenë të paqëndrueshme, por që tani po tregojnë shenja të mëdha të stabilitetit dhe progresit. Dhe kjo është arsyeja pse ne jemi këtu dhe kjo është arsyeja pse ne duam të vazhdojmë të punojmë me ju”, ka thënë Cameron gjatë një konference të përbashkët shtypi me ministren e Jashtme, Donika Gërvalla.

Si një prej çështjeve më me rëndësi për Kosovën, Cameron e ka kualifikuar krijimin e sigurisë për të gjithë qytetarët.

“Mbi të gjitha, më e rëndësishme është që të ndërtohet një shtet ku të gjithë ndihen se kanë të ardhme të sigurt, të gjitha komunitetet”, ka thënë Cameron në Prishtinë.

Krahas aspektit të sigurisë, kryediplomati britanik është zotuar për ta mbështetur Kosovën edhe në rrafshin e politikës së jashtme dhe sigurimit të njohjeve të reja të shtetësisë.

“Jemi përkrahës të mëdhenj të pavarësisë, sovranitetit dhe të së drejtës së Kosovës për t’u njohur nga të tjerët si një vend i plotë, sovran dhe anëtar i familjes së kombeve. Jemi këtu për t'ju mbështetur, për t'ju promovuar, për t'ju ndihmuar në të gjitha mënyrat që mundemi”, ka deklaruar ai.

E ministrja Gërvalla ka kritikuar qasjen e Evropës kundruall rajonit, teksa ka kërkuar që Perëndimi të ketë një strategji të re.

“Recetat e vjetra para sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, për zgjidhje të sfidave dhe konflikteve nuk funksionojnë më. Perëndimi ka qenë gjithnjë i suksesshëm atëherë kur ka pasur qëndrim të qartë dhe të vendosur. Perëndimi ka qenë i fortë politikisht dhe ekonomikisht kur ka vepruar me vendosmëri dhe bazuar në parimet e tij të palëkundshme përballë një Moske agresive dhe jo me kompromise të dobëta dhe joparimore”, ka thënë ajo.

Gërvalla ka bërë të ditur se gjatë takimit të mbajtur para konferencës për media e ka informuar Cameronin mbi sfidat e sigurisë me të cilat Kosova është përballur gjatë vitit të shkuar.

“Duke e njoftuar rreth aktit të agresionit të hapur të vitit që shkoi, e shpreha mirënjohjen e thellë për reagimin e menjëhershëm dhe vendosmërinë e treguar të Mbretërisë së Bashkuar pas sulmit të Serbisë kundër Kosovës më 24 shtator dhe dërgimin e trupave shtesë në një mandat të gjatë duke e vlerësuar këtë si një sinjal të domosdoshëm për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit jo vetëm në Kosovë, por në tërë rajonin”, ka thënë Gërvalla.

Pas sulmit të grupit të armatosur serb në Banjskë të Zveçanit, në të cilin ka mbetur i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, Britania e Madhe ka shtuar numrin e ushtarëve në kuadër të KFOR-it nga 400 në 600.

Për çështjen e sigurisë Cameron ka biseduar edhe me presidenten Vjosa Osmani. Në njoftimin e Zyrës së Presidentes, të lëshuar pas takimit, është bërë të ditur se Osmani e ka theksuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe në Këshillin e Evropës.

“Presidentja Osmani ritheksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO duke filluar me përfshirjen në Partneritetin për Paqe, si hap i domosdoshëm për të siguruar paqe dhe siguri afatgjate në rajon dhe më gjerë. Ngjashëm, presidentja Osmani potencoi rëndësinë e anëtarësimit në Këshillin e Evropës për fuqizimin dhe avancimin e mëtejmë të të drejtave të njeriut”, është thënë nga Presidenca.

Krahas kësaj, Osmani e ka informuar sekretarin Cameron për “përpjekjet e vazhdueshme destabilizuese të Serbisë, përfshirë aktin e agresionit dhe aktin terrorist kundër Republikës së Kosovës më 24 shtator”.

“Presidentja falënderoi sekretarin Cameron për shtimin e trupave britanike në kuadër të KFOR-it, duke potencuar rëndësinë e bashkëpunimit për sigurinë e kufirit me Serbinë. Në këtë drejtim presidentja foli edhe për grupet terroriste, të mbështetura nga Beogradi, të cilat vazhdojnë të krijojnë frikë dhe intimidim brenda komunitetit serb. Pavarësisht kësaj, presidentja Osmani theksoi se Kosova është shembull në rajon sa u përket të drejtave të komunitetit joshumicë, ndërsa riafirmoi përkushtimin e plotë të Kosovës për ta fuqizuar çdo qytetar, pa dallim”, është thënë në njoftimin nga Presidenca.

Cameron ka mbërritur në Kosovë të mërkurën mbrëma, kur është takuar me kryeministrin Albin Kurti, me ministra të kabinetit qeveritar si dhe me shefen e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, Kurti e ka njoftuar Cameronin për progresin dhe arritjet e Kosovës në aspektin ekonomik, demokratik dhe të sundimit të ligjit.

“Jam këtu për të përforcuar faktin që ne ju mbështesim. Duam që t’ju ndihmojmë në rrafshin e sigurisë, atë të zhvillimit ekonomik, të qeverisjes dhe në të gjitha çështjet me të cilat përballeni. Kemi qenë mbështetës afatgjatë të Kosovës dhe do të vazhdojmë të jemi të tillë”, citohet të ketë thënë Cameron, në fillim të takimit me kryeministrin.

Daçiqi e kritikon Cameronin për deklaratën rreth Kosovës

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, e ka kritikuar të enjten sekretarin e jashtëm britanik, David Cameron, i cili gjatë vizitës në Prishtinë ka ofruar mbështetje për njohje të reja për Kosovën.

Daçiq ka theksuar se kjo deklaratë e Cameronit është “jashtëzakonisht hipokrite” dhe “meriton dënimin më të ashpër”.
“Ai nuk e tha asnjë fjalë për Albin Kurtin [kryeministrin e Kosovës] dhe të ashtuquajturën Kosovë që refuzojnë ta zbatojnë Marrëveshjen e Brukselit për 11 vjet, e cila, ndër të tjera, u nënshkrua dhe u garantua në emër të Bashkimit Evropian nga britanikja Catherine Ashton”, ka thënë Daçiqi për agjencinë serbe të lajmeve, Tanjug. Ai ka shtuar se Serbia “do të vazhdojë të jetë një faktor konstruktiv në dialog”, porse ajo ka të drejtë që “t’i mbrojë interesat e veta kombëtare dhe shtetërore dhe integritetin e vet territorial”.

“Do ta ftoja Cameronin, kur të kthehet në Londër, të dalë jashtë zyrës së tij dhe ta shikojë muralin që shfaq Britaninë me aleatët pas Luftës së Parë Botërore, ku Serbia dhe Belgjika shfaqen si vajza të vogla të varura nga fundet e Britanisë si mbrojtëse e tyre. Është koha, koleg Cameron, ta heqësh atë mural, që është histori, ose të mendosh për deklaratat e tua”, ka theksuar Daçiqi.