LAJMET E MBRËMJES

Blinken: Kosova dhe Bosnja, në qendër të shqetësimeve tona

Pas sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, shprehu shqetësimin për rritjen e tensioneve në Ballkanin Perëndimor. Në margjinat e takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, Blinken ka folur edhe për tensionet në veriun e Kosovës, dhe ka theksuar se Kosova dhe Bosnja kanë qenë në qendër të shqetësimeve prejse e ka marrë mandatin

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë të mërkurën se Ballkani e veçmas Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina, ka qenë në qendër të shqetësimeve kur e ka marrë mandatin dhe ka theksuar vendosmërinë për të mos lejuar një konflikt të ri në rajon.

Qëndrimin e ka shprehur në ditën e dytë të takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel, kur është diskutuar edhe për tensionet në Ballkanin Perëndimor.

Blinken ka theksuar se është duke u punuar që të mos ketë kthim të konflikteve në rajon.

“Kur kam nisur këtë karrierë, në qendër të shqetësimeve tona ka qenë Ballkani. Në qendër të shqetësimit tonë dhe të shqetësimeve të shteteve në mbarë botën, veçmas në zonën transatlantike, ishin Ballkani, Bosnja dhe më pas Kosova. Një gjë që ne nuk duam të ndodhë në të ardhmen është kthimi i konflikteve në Ballkan”, ka thënë sekretari Blinken. “NATO ka luajtur rol kyç që të ndihmojë shtetet e rajonit të bëjnë përparim në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në stabilitetin më të gjerë evropian”.

Blinken ka folur edhe për tensionet në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, që kanë nisur në maj dhe që kanë kulmuar në shtator, pasi një grup paraushtarak serb kreu sulm të armatosur ndaj Policisë së Kosovës. Më 24 shtator grupi i armatosur i serbëve vrau rreshterin Afrim Bunjaku, ndërkaq në përleshjet e armatosura që u zhvilluan gjatë ditës në Banjskë të Zveçanit u vranë edhe tre sulmues serbë.

“Aleanca është përgjigjur me vendosmëri ndaj aktorëve që synojnë të destabilizojnë veriun e Kosovës. Siç e kemi thënë edhe më herët gjatë këtij viti, ne kemi dislokuar trupa shtesë në KFOR. Po ashtu kemi thelluar bashkëpunimin tonë me forcën e udhëhequr nga Bashkimi Evropian në Bosnjë-Hercegovinë. Kjo po ashtu ishte pjesë e rëndësishme e bisedës sonë gjatë këtyre dy ditëve”, ka thënë sekretari amerikan i Shtetit.

Një ditë më parë edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se Aleanca Veriatlantike do të bëjë çfarë është e mundur për të parandaluar përshkallëzimin e konflikteve në Ballkanin Perëndimor pas rritjes së tensioneve të fundit.

E të mërkurën Stoltenberg ka thënë se rastet në veri përbëjnë shqetësim.

“Kemi parë incidente serioze në Kosovë. Vetëm sa e kam vizituar Kosovën. Ne kemi parë në pranverë sulm ndaj NATO-s, 93 ushtarë të NATO-s u lënduan dhe disa prej tyre kanë marrë lëndime që ua ndryshojnë jetën. Është totalisht e papranueshme. Po ashtu e pamë incidentin në Banjskë, ku u vranë njerëz. Është serioze dhe tregon për sfidat me të cilat përballemi në Kosovë”, ka thënë Stoltenberg, në një konferencë për media. “Është me rëndësi të dyja palët të deeskalojnë e të përmbahen nga veprimet që rrisin më tepër tensionet e të frenohen nga çdo retorikë që mund të rrisë tensionet. Ky është mesazhi im dhe ky ishte mesazhi im në takimet në Prishtinë e Beograd”.

Shefi i NATO-s ka thënë se Kosova është një shembull se si NATO e Bashkimi Evropian bashkëpunojnë ngushtë mes vete. Ai ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe ka shprehur besimin se draftstatuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është rruga drejt përparimit në funksion të përmirësimit të raporteve mes të dyja vendeve.

“Mesazhi është që Prishtina e Beogradi duhet të angazhohen në frymë të mirë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Kosova është shembull se si NATO e BE-ja po punojnë ngushtë së bashku. BE-ja është duke drejtuar angazhimin diplomatik e ne jemi prezentë me mijëra trupa në terren”, ka thënë Stoltenberg. “Besoj se propozimi i Asociacionit mund të jetë rruga përpara që të tentohet të gjendet një zgjidhje e të bëhet përparim brenda dialogut”.

Ai ka theksuar se pas tensioneve të fundit është rritur numri i trupave duke arritur në afro 5000.

E, një ditë më parë ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka konfirmuar se vitin e ardhshëm shteti gjerman do të dërgojë 150 trupa shtesë në Kosovë në kuadër të misionit të KFOR-it.

“Në Ballkanin Perëndimor paqja shpesh varet nga një fije. Angazhimi i NATO-s dhe BE-së shkojnë dorë për dorë: Misioni i EUFOR-it ofron siguri në Bosnjë-Hercegovinë, si dhe KFOR-i bën të njëjtën gjë në Kosovë. Gjermania do të kontribuojë me ushtarë shtesë për KFOR-in”, ka thënë Baerbock.

Që nga tensionet në veri dhe sulmi më 24 shtator, KFOR-i është përforcuar me rreth 1000 ushtarë dhe pajisje të rënda ushtarake. Trupat shtesë gjermane pritet të zbarkojnë në Kosovë gjatë muajit prill.