Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

BE-ja fton palët për përmbajtje, Kosovës ia kërkon Asociacionin

Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje Kosovës e Serbisë që t’i ulin tensionet dhe të mos i vënë në rrezik të arriturat e deritashme në dialog.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, u shpreh se zhvillimet e fundit në veri mund të sjellin pasoja si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë.

“Ende po i studiojmë përgjigjet nga palët, por tani prioriteti kryesor është që të ulen tensionet në terren. Ditëve të fundit kemi parë rrezikun e madh të një eskalimi, si dhe zhvillime që sjellin në rrezik të gjitha të arriturat deri më tash. Kjo mund të ketë pasoja të mëdha jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për tërë rajonin. U bëjmë thirrje të dyja palëve që të jenë në nivel të përgjegjësisë dhe të gjejnë një zgjidhje evropiane”, tha Stano.

Stano foli edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për themelimin e të cilit tha se është obligim i qartë për Kosovën.

“Sa i përket Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, ky është një obligim i qartë për Kosovën që menjëherë ta themelojë, apo të nisë hapat e menjëhershëm për themelimin e këtij Asociacioni. Ky është një obligim ligjor i Kosovës dhe dështimi që kjo të bëhet, dëmton jo vetëm sundimin e ligjit në Kosovë, por edhe kredibilitetin e saj. Tash, vërtet, u takon të dyja palëve që t’i zbatojnë obligimet që dalin nga marrëveshjet e Brukselit dhe nga dialogu”, tha Stano.

Ndërkohë, Beogradi zyrtar vazhdon t’i mbështesë dorëheqjet e zyrtarëve serbë nga komunat e veriut. Presidenti Aleksandar Vuçiq, ka thënë se serbët në Kosovë do të enë gjithherë mbështetjen e Serbisë.

“Pa lëvizje të nxituara, gjithmonë me popullin tonë për të ardhme më të mirë për fëmijët tanë. Kjo është politika që ne ndjekim dhe që e zbatojmë çdo ditë. Ne vazhdojmë të mbrojmë interesat tona kombëtare, dhe në të njëjtën kohë luftojmë për çdo faktor që mund të sjellë përfitime, të na bëjë më të fortë dhe më të mirë”, tha Vuçiq.

Edhe BE: Asociacioni të themelohet, tensionet në Kosovë mund të përhapen në rajon Arbëri BE: Asociacioni të themelohet, tensionet në Kosovë mund të përhapen në rajon

Në një reagim të shoqërisë civile thuhet se Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja duhen të jenë kategorikë në qëndrimet e tyre dhe kërkojnë kthimin pa asnjë kusht të serbëve në institucionet e Kosovës.

“Tërheqja e tyre nga jeta institucionale minon çdo arritje të dialogut deri më tani, dhe veprimet e një pjese të përfaqësuesve të komunitetit serb të dirigjuara nga Beogradi zhvlerësojnë çdo arritje në dialog. Me këto veprime bien poshtë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani, garantues i zbatimit të së cilave është Bashkimi Evropian”, thuhet nga shoqëria civile.

Tri ditë pas nisjes së krizës në veri ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai, në një postim në Twitter, shkroi se po ndjek me shqetësim të madh ngjarjet në veri dhe bëri thirrje për vetëpërmbajtje e dialog.