LAJMET E MBRËMJES

Arrestohen 6 të dyshuar për dallavere me provimin për patentë shoferë

Një aksion i gjerë i Policisë, i realizuar në Pejë dhe në tri komuna të tjera, ka vënë në pranga 6 të dyshuar për dallavere me provimin për patentë-shoferë. Policia dyshon se ata kanë plotësuar testet në emër të kandidatëve dhe në mënyrë të kundërligjshme i kanë futur në sistem

Gjashtë personave në Pejë, të cilët dyshohet se kundërligjshëm ua kanë mundësuar një numri kandidatësh të pajisen me patentë-shoferë, u janë vënë prangat të martën.

Pas aksionit të Policisë, i cili është realizuar në koordinim me Prokurorin e Shtetit, të arrestuarve u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

“Dyshohet se testet janë plotësuar në emër të kandidatëve nga ana e zyrtarëve të Njësisë së patentë shoferëve në Pejë dhe të njëjtat në mënyrë të kundërligjshme janë futur në sistem nga ana e zyrtarit të IT-së. Po ashtu tre të dyshuar, pronarë të autoshkollave, dyshohet se kanë rekrutuar kandidatë dhe kanë siguruar dokumentacion duke falsifikuar dokumentet e nevojshme me qëllim të futjes së tyre në provim”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Prokurorja e rastit, Valbona Disha-Haxhosaj, ka treguar se aksioni synim ka pasur kapjen e  10 personave dhe është zhvilluar në disa komuna.

“Aksioni është kryer nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit dhe është shtrirë në Pejë, si dhe në komunat përreth si Deçan, Fushë-Kosovë dhe Prishtinë. Janë arrestuar 6 persona, 1 person për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore është liruar dhe 3 persona të tjerë nuk janë hasur në shtëpi, sipas familjarëve, këta persona gjenden diku për pushime”, ka thënë Disha-Haxhosaj.

E, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i cili muaj më parë ka ngritur pretendimet për dallaveret me patentë shoferë, ka deklaruar se janë shkëputur kontratat me autoshkollat dhe zyrtarët, që kanë qenë pjesë e mashtrimeve.

“Ka të arrestuar edhe prej autoshkollave, edhe prej ekzaminerëve. Sipas informatave që kam, edhe drejtori që ka qenë i njësisë këtu të patentë shoferëve në Pejë. Shpresoj që kjo punë të shkojë në fund. Ne si ministri, me disa prej tyre i kemi shkëputur kontratat dhe me vendimet e komisioneve disiplinore janë larguar nga pozitat të cilat i kanë mbajtur”, është shprehur Durmishi.

Sipas prokurores së rastit, këta persona dyshohen se nga viti 2021 e në vazhdim kanë kryer veprën penale të mashtrimit me patentë shoferë.

Gjatë operacionit policor të bastisjes janë sekuestruar si dëshmi 7.800 euro, gjashtë telefona mobilë, si dhe materiale të ndryshme lidhur me testime të kandidatëve.