“Nëse deri të premten nuk do të hyjnë në funksion ato pompa të ujit, atëherë nuk kam zgjidhje tjetër… Padia do të jetë për kompaninë. Kompania duhet me dhanë sqarime. Kompania është fajtore që nuk i ka dhënë pompat që i kemi kërkuar”, ka theksuar kryetari i komunës së Zveçanit, Ilir Peci
Banorë të fshatit Zhazh dhe të atij Boletin në Komunën e Zveçanit pritet që të protestojnë të mërkurën, shkaku i telasheve që prej katër muajsh i kanë në furnizimin me ujë të pijshëm.
Për këtë gjendje, kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, i ka fajësuar si ujësjellësin ashtu edhe kompaninë private, e cila e ka fituar tenderin për rregullimin e pompave të ujit në këto fshatra.
E ndaj kësaj kompanie, Peci ka paralajmëruar se do të ngre padi shkaku se nuk i ka kryer si duhet punët për të cilat është kontraktuar.
“Nëse deri të premten nuk do të hyjnë në funksion ato pompa të ujit, atëherë nuk kam zgjidhje tjetër… Padia do të jetë për kompaninë. Kompania duhet me dhanë sqarime. Kompania është fajtore që nuk i ka dhënë pompat që i kemi kërkuar”, ka theksuar Peci në emisionin “60 Minuta” të KTV-së.
“Më kanë telefonuar nga kompania, më janë lutur që të pres deri të premten. Tash e kanë një lloj afati”, ka deklaruar ai, teksa ka thënë që padinë ndaj kompanisë ka synuar që ta ngre qysh të martën.
Peci ka shprehur vërejtje edhe për cilësinë e disa pompave të cilat kompania i ka vendosur.
“Qeveria i ka ndarë mjetet, rreth 45 mijë euro. Qeveria e ka autorizuar ujësjellësin për të hapur tender për rregullimin e pompave të ujit. E ka fituar tenderin një kompani shqiptare. Procedura ka nisur me dy-tre muaj vonesë. Janë ngjitur disa pompa, por pompat e ngjitura nga kjo kompani kanë qenë më të dobëta seç ishin”, ka thënë ai.
Kryetari i Zveçanit ka bërë të ditur se është zhvilluar takim me përfaqësues të ujësjellësit dhe me kompanitë private, por ai ka theksuar se ata janë larguar nga takimi pasi që “e kemi parë se diçka nuk po shkon”.
“Ujësjellësi e kompania e hidhnin fajin te njëri-tjetri, por në fund banorët e pësojnë. Po mbesin pa ujë”, ka shtuar Peci.
Banorët e komunës kanë kërkuar që problemit të tyre me ujin t’u jepet një zgjidhje e shpejt. Tek e ka konsideruar legjitime këtë kërkesë të tyre, ai ka paralajmëruar se do t’u bashkohet banorëve në protestë, në shenjë të përkrahjes.
Peci ka bërë të ditur se investimi i bërë për punën që veçse është dashur të përmbyllet nëpër fshatrat e Zveçanit, e kap shifrën prej 45 mijë eurosh.