Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e shpalli 21 prillin si datë për mbajtjen e votimeve për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat veriore të Kosovës, të banuara kryesisht me serbë. Ky vendim i KQZ-së u kritikua nga Partia Demokratike, përfaqësues të së cilës e kualifikuan atë antiligjor dhe antikushtetues
Të dielën e 21 prillit, qytetarët në Leposaviq, Zveçan, Mitrovicë të Veriut e Zubin-Potok do të votojnë për shkarkimin apo jo të kryetarëve të këtyre komunave.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pasi e bëri verifikimin e nënshkrimeve të mbledhura në peticionet për shkarkimin e kryetarëve, vendosi për këtë datë të mbajtjes së votimit, që u propozua nga sekretariati.
“Duke marrë parasysh kohën e nevojshme për përgatitjet procedurale dhe organizimin në aspektin teknik të këtij procesi, Sekretariati i KQZ-së konsideron se koha më e përshtatshme për organizimin e procesit të votimin mund të jetë data 21 prill, për të cilën nevojitet vendim për caktimin e kësaj date”, propozoi Burim Ahmetaj, kryesues i Sekretariatit të KQZ-së.
Por kundër caktimit të datës dolën përfaqësues të PDK-së. Ilir Gashi, anëtar i kësaj partie në KQZ, tha se vendimi është antiligjor dhe antikushtetues.
“Datën për mbajtjen dhe realizimin e këtij procesi për t’ju marrë mandati katër kryetarëve atje do të duhej të shpallej nga presidentja dhe ne pastaj do të marrim pjesë në organizimin dhe mbarëvajtjen e këtij procesi, siç ka ndodhë çdo herë dhe siç jemi të përkushtuar”, u shpreh Gashi.
Pas mbledhjes, kritikë shprehu edhe anëtari tjetër i PDK-së, Arianit Elshani, që vlerësoi se me këtë vendim KQZ-ja është bërë vegël e pushtetit.
“KQZ-ja nga një institucion i pavarur kushtetues, sot u shndërrua në një agjenci të Presidencës, MAPL-së dhe vegël e pushtetit. Data e votimit do të duhej të caktohej nga presidentja e vendit e assesi nga KQZ-ja. Vendimi i sotëm është në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, Ligjin për Zgjedhjet Lokale, Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe mandatin Kushtetues të KQZ-së”, tha ai.
Ani se PDK-ja abstenoi në votimin për vendimin, atë e votuan të gjithë përfaqësuesit e tjerë, përfshirë edhe ata të Lëvizjes Vetëvendosje.
Anëtarët e këtij subjekti, Sami Kurteshi e Alban Krasniqi, ngritën si shqetësim numrin e nënshkrimeve të pavlefshme në peticionin për nismën e shkarkimit të kryetarëve.
“Një nënshkrim i pavlefshëm mund të ketë edhe pasoja juridike për atë që e vendos aty. Do të thotë unë e inkurajoj sekretariatin që të gjejë mekanizmat dhe format që ata që i kanë vendosë nënshkrimet në mënyrë të rregullt, t’i dërgojmë edhe në prokurori që prokuroria ndoshta të merret me ta”, deklaroi Krasniqi.
Verifikimi i nënshkrimeve të peticionit ka kohë që është përmbyllur, por KOHA ka raportuar se shtyrja e konstatimit të arritjes së numrit të nevojshëm është bërë shkaku i dallimeve se kush duhet ta caktojë datën e votimit.
Vendimi i KQZ-së për caktimin e datës është arsyetuar nga njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu, që tha se ka rrjedhur nga vakumi ligjor.
“Një ligj për referendumin na mungon dhe nuk mund të ketë një zëvendësim tjetër i një organi tjetër, institucioni tjetër kushtetues pra i pavarur siç është KQZ-ja që të merr ingirenca që nuk i takojnë. Por sipas parimit të analogjisë në drejtësi meqë kemi një vakum institucional, nuk kemi ligj për referendumin, analogjikisht me këtë KQZ-ja po i ndërmerr këto vendime dhe mendoj se po bën mirë se nuk ka zgjidhje tjetër dhe duhet ta kompensojë atë vakum”, u shpreh Baraliu.
Që katër kryetarët e komunave të banuara kryesisht me shumicë serbe të shkarkohen, për duhet të votojnë 50 për qind, plus një votues. Pas shkarkimit të tyre, presidentja duhet që brenda 45 ditësh të shpallë zgjedhjet e parakohshme.