LAJMET E MBRËMJES

Projektligji për KPM-në vlerësohet si sulm ndaj portaleve

Këshilli i Mediave të Shkruara (KMSHK), Asociacioni i Gazetarëve (AGK) dhe organizatat evropiane të specializuara në fushën e mediave kanë kërkuar që Qeveria të tërhiqet nga Projektligji për Komisionin e Pavarur të Mediave, në të cilin parashihet që mediat online të futen nën mbikëqyrjen e tij. Përfaqësues të këtyre organizatave kanë vlerësuar të enjten, nëpërmjet një konference shtypi, se kjo paraqet tentim të Qeverisë për t’i futur mediat nën kontroll shtetëror

Qeveria duhet të tërhiqet nga Projektligji për Komisionin e Pavarur për Media (KPM) pasi që ai përbën sulm dhe tentim për kontroll mbi mediat online, kanë thënë të enjten përfaqësues të Këshillit të Mediave të Shkruara (KMSHK), të Asociacionit të Gazetarëve (AGK) dhe të organizatave evropiane të specializuara në fushën e mediave.

Në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi, pjesëtarët e këtyre organizatave kanë shprehur qëndrimin se Projektligji për KPM-në, i cili është miratuar nga Qeveria gjatë vitit të shkuar, ka kaluar pa konsultime të mirëfillta publike.

Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, ka thënë se qëllimi është që mediat online të vihen nën kontroll.

“Ndryshimet të cilat janë propozuar ne i shohim si një përpjekje të re të Qeverisë aktuale që të sulmojë mediat dhe tendencë për t’i kontrolluar ato, sepse parashihet që KPM-ja t’i kontrollojë, t’i monitorojë dhe t’i ndëshkojë nëse ka nevojë mediat online që kanë përmbajtje të videove, duke e përfshirë edhe nevojën që ato të licencohen në mënyrë të veçantë”, ka thënë Rexha.

Vetërregullimi i portaleve nëpërmjet Këshillit të Mediave të Shkruara është funksional, gjë që reflektohet edhe me vetëdijesimin e qytetarëve për t’u ankuar kundër portaleve, ka thënë Imer Mushkolaj, drejtor ekzekutiv i këtij Këshilli.

“Në Kosovë Komisioni i Pavarur për Media i Rregullon televizionet dhe Radiot dhe operatorët kabllorë, ndërkaq media e shkruar vetërregullohet Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës që është një praktikë e përhapur gjithandej edhe në rajon edhe në Evropë. Qëllimi i Ligjit të KPM-së ose projektligjit të KPM-së që është proceduar në Kuvend është pikërisht dobësimi i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, ndërkohë që qasja në vendet evropiane është fuqizimi i këshillave gjithandej. Pra, jemi duke folur për një qasje të kundërt të Qeverisë kosovare në raport me atë se si është lidhur me këshillat në vende të Evropës”, ka theksuar Mushkolaj.

Sipas shoqërisë civile, obligimi për regjistrim të mediave online si biznese i godet ato që janë të regjistruara si organizata joqeveritare, sikurse edhe mediat e komuniteteve joshumicë.

E Flutura Kusari, eksperte ligjore në fushën e mediave njëherësh përfaqësuese e organizatës ECPMF, ka thënë se arsyetimet e Qeverisë se një direktivë evropiane e parasheh regjistrimin e portaleve janë të paqëndrueshme dhe janë keqinterpretime.

“Ajo çfarë kemi parë me këtë propozim është se iniciativa ligjore e zyrës së kryeministrit është iniciativë për të kontrolluar mediat online nëpërmjet licencimit dhe është sulmi i radhës ndaj lirisë së mediave... Do të dëgjoni në ditët në vijim sidomos arsyetimin nga Qeveria se kinse ligji është i përafruar me direktivën AVMS. Ju ftoj që të mos bini në atë kurth të arsyetimeve e të mos i pranoni për shkak se direktiva nuk parasheh askund që mediat online duhet të licencohen. Është interpretuar gabimisht, nuk është marrë parasysh koteksti vendor”, ka thënë Kusari.

Ajo ka shtuar se me projektligjin për KPM-në rritet edhe rreziku për politizim afatgjatë të këtij Komisioni pasi që më shumë anëtarë të tij mund të zgjidhen nga e njëjta legjislaturë e Kuvendit.

“KPM-ja do t’i ketë 11 anëtarë dhe jo 7, siç i ka aktualisht, dhe anëtarët e KPM-së nuk do të kenë më mandate të përshkallëzuara prej 2, 3 dhe 4 vjetësh, por mandat prej 4 vjetësh me mundësi të rizgjedhjes edhe për një mandat tjetër”, ka thënë ajo.

Projektligji i miratuar nga Qeveria parasheh gjoba deri në 40.000 euro për mediat online.
Aktualisht një pjesë e mediave online vetërregullohen dhe ankesat ndaj tyre i shqyrton një trup me përfaqësues të vetë mediave.

Me këtë projektligj Qeveria synon që këto media t’i fusë nën mbikëqyrjen e KPM-së, anëtarët e së cilës i zgjedh Kuvendi.
Kundër projektligjit kanë dalë me deklaratë të përbashkët edhe Instituti Ndërkombëtar i Shtypit, Federata Evropiane e Gazetarëve, organizata ARTICLE 19, si dhe asociacionet e gazetarëve në rajon.

Në një përgjigje për KOHËN lidhur me çështjen, në Qeveri kanë përsëritur qëndrimin se Projektligji për KPM-në, i kaluar dhjetorin e shkuar, është i bazuar në direktivën e BE-së.

“Projektligji i ri është i mbështetur dhe buron nga direktiva e Bashkimit Evropian. Ai parasheh rregulla të njëjta të veprimit për shërbimet mediale audiovizuele të cilave i nënshtrohen edhe televizionet private dhe publike sot. Për këtë kompetencë ekskluzive ka Komisioni i Pavarur i Mediave, një organ i pavarur kushtetues, jo Qeveria. Ai po ashtu adreson mungesën e transparencës financiare e cila ngrihet si çështje shqetësuese në çdo raport vjetor të Bashkimit Evropian për Vendin”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, teksa nuk i ka komentuar akuzat e dala nga konferenca për shtyp.