LAJMET E MBRËMJES

Në Katedralen “Nëna Terezë”, besimtarët u lutën për paqe në vigjilje të Krishtlindjes

Në ambientet e dekoruara për festa të Katedrales “Nëna Terezë” në Prishtinë besimtarë të shumtë katolikë u mblodhën për meshën e së Dielës së Katërt të Ardhjes, e cila këtë vit qëlloi të jetë në vigjilje të Krishtlindjes. Nga aty u dërguan mesazhe paqeje.

Besimitarët katolikë sonte festojnë Krishtlindjen.

Mesha në Katedralen “Shën Nëna Terezë”, këtë të diel ishte më e veçantë.

Njerëz të shumtë morën pjesë në të Dielën e Katërt të Ardhjes, e cila këtë vit është në vigjilje të Krishtlindjes. Qiriun kësaj radhe e ndezën të moshuarit.

Famullitari i Katedrales, Don Agim Qerkini, tha se mesazhi i kësaj feste është paqja në vendlindje e kudo në botë.

“Krishtlindja është një thirrje që na bëhet të gjithë njerëzve që ne të rilindemi në virtyte e në jetë më të mirë në kuptimin e raporteve me zotin dhe me të afërmit. Prandaj, është një e kremte që na fton në paqe”, ka thënë Don Agim Qerkini.

Katedralja është e mbushur me dekorime që simbolizojnë lindjen e Krishtit e simbole tjera të kësaj feste.

Mesazhe për paqe dhanë edhe besimtarët që morën pjesë në meshë. Ana Gashi tha se për të, kjo është një festë e madhe.

“Krishtlindja është një harmoni familjare e besimit të krishterë, e presim me padurim festa madhështore në familje, ku presim mysafirë, shkojmë mysafirë, urojmë për gëzim familjar me miq me dashamirë me të gjithë”, ka thënë Ana Gashi, besmitare.

E Simon Agustini, pas meshës, tha se pret që të ndalen luftërat dhe konfliktet.

“Gjithë këto luftëra që janë hapur, fronte të luftës. Jezusi është ai princi i paqes i cili me siguri do të kontribuoj në gjetjen e rrugëve të paqes sidomos për popullin e Palestinës”, ka thënë Simon Augustin, besmitar.

Ipeshkvia e Kosovës ka organizuar pritjen solemne, e në mesnatë do të mbahet edhe mesha e Krishtlindjes të cilën do ta udhëheqë Dodë Gjergji.

Të hënën është dita e Krishtlindjes, që është festë zyrtare në Kosovë.