Një subjekt i ri i serbëve të Kosovës, ka marrë miratimin e Komisionit Qendror Zgjedhor duke u regjistruar si partia më e re politike në vend. Demokracia Serbe do të udhëhiqet nga Aleksandar Arsenijeviq, një kritik i Listës Serbe. Në programin e saj, mes tjerash, theksohet se do të luftojë për “ruajtjen e trashëgimisë kulturore, respektimin e dallimeve kulturore dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar të komunitetit serb”
Nga zgjedhjet e ardhshme në fletëvotime do të figurojë edhe një alternativë për serbët e Kosovës.
Kjo pasi që aplikimi i subjektit politik Demokracia Serbe u miratua të mërkurën në mbledhjen e Komisionit Qendror Zgjedhor.
Besnik Buzhala, drejtor i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike tha se subjekti i ri ka dorëzuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm.
“Zyra i rekomandon KQZ-së aprovimin e kërkesës për regjistrimin e Iniciativës Politike si Parti Politike me emrin Srpska Demokratija, e cila pas regjistrimit do të përfshihet në regjistrin e partive të regjistruara dhe do të jetë partia politike me numër rendor 50. Ky është rekomandimi i zyrës, që të regjistrohet si parti politike”, ka thënë Buzhala.
Miratimi u aprovua unanimisht.
KOHA ka kontaktuar me kryetarin e partisë më të re, Aleksandar Arsenijeviq, mirëpo ai nuk ka pranuar që të japë një deklaratë zyrtare.
Për planet e partisë ai ka thënë se do të flasë javën e ardhshme.
E bazuar në programin e partisë, në të cilin ka pasur qasje KOHA, ky subjekt politik “është një organizatë autentike, proaktive socio-politike e serbëve dhe e komuniteteve të tjera që trashëgojnë parimet e lirisë, solidaritetit dhe demokracisë”.
Bazuar në dokument, puna e kësaj organizate politike është e fokusuar kryesisht në 10 komuna me shumicë serbe dhe në komunitetet tjera serbe në Kosovë, me dëshirën për bashkëpunim me subjekte tjera politike në mbarë vendin.
Janë listuar edhe parimet kryesore në program.
“Trashëgojmë parimet socialdemokrate të lirisë, drejtësisë sociale, solidaritetit dhe paqes; luftojmë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, respektimin e dallimeve kulturore dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar të komunitetit serb dhe të gjitha komuniteteve tjera në Kosovë; qëndrojmë për lirinë e mendimit, fjalës dhe shprehjes. Çdo qytetar ka të drejtën e garantuar për të shprehur lirisht mendimin e tij dhe për të mbrojtur pikëpamjet e tij, pa frikë nga sanksionet ligjore dhe politike; luftojmë kundër përzgjedhjes negative, jotransparencës, korrupsionit, nepotizmit dhe dukurive të tjera negative sociale”, thuhet mes tjerash në program.
Kryetari i partisë Arsenijeviq, në skenën publike së pari u shfaq me iniciativën qytetare “Mbijetesa Serbe” dhe shpesh në deklaratat për media ka kritikuar Listën Serbe, duke i cilësuar udhëheqësit e saj si grupim interesi e jo përfaqësues të serbëve.
Ai gjatë qershorit të këtij viti ka vendosur flamuj të pakicave etnike në Kosovë, te objekti i Qeverisë në Prishtinë, duke u thirrur në ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.
Por analistit politik, Artan Muhaxhiri, ka thënë që çdo iniciativë apo parti politike serbe, për të fituar relevancë në këtë komunitet duhet ta ketë bekimin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Iniciativa Demokraci Serbe mund të ketë sukses vetëm nëse është pjesë e një konteksti shumë më të gjerë të ndryshimeve substanciale politike serbe në Kosovë. Pra, pa një marrëveshje më të gjerë, besa edhe me faktorin ndërkombëtar për atë se çfarë do të përfaqësojë në të ardhmen ky subjekt politik, është një pikëpyetje e madhe dhe aktualisht nuk ka ndonjë indikacion të bazuar se si do të formësohet në muajt dhe vitet në vijim”, ka thënë Muhaxhiri.
Klimën politike të serbëve të Kosovës ai nuk e konsideron si demokratike, mirëpo tha se rasti i Banjskës do të ndikojë në ndryshimin e rrethanave për serbët, sidomos ata në veri.
Tash e një kohë te komuniteti serb dominon Lista Serbe e cila udhëheq në të gjitha komunat me shumicë serbe.