LAJMET E MBRËMJES

SHSKUK-ja kërkon që pacientët të paraqesin ankesa në rast të mosmarrjes së shërbimeve

Pëlqeje KTV Video për të parë video të përzgjedhura nga KOHA
 

Menaxhmenti i SHSKUK-së ka kërkuar llogari nga dy klinika, ajo e Urologjisë dhe e Anestezionit për shkak të dy raportimeve të KOHËS që shpërfaqin raste të operimit pa anesteziolog e dështime të operimeve të planifikuara në momentin e fundit, të cilat më pas realizohen në spitale private. Ky institucion u ka bërë thirrje pacientëve që të ankohen në SHSKUK duke aluduar që kjo gjë të mos bëhet përmes mediave.

Llogari nga dy klinika të SHSKUK-së ka kërkuar menaxhmenti i këtij institucioni për shkak të dy raportimeve të KOHËS. Raportimet që një pacient është operuar pa anesteziolog në një klinikë, e raportimi që një operim ka dështuar në SHSKUK që më pas pacienti të operohej nga mjekët e njëjtë në një spital privat, ka bërë menaxhmentin të kërkojë raporte me shkrime nga të dy klinikat.
“Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës është duke trajtuar rastet e raportuara së fundmi, lidhur me kryerjen e operacionit në Klinikën e Urologjisë, pa anestezion, e po ashtu, mosoperimin e pacientit tjetër dhe dyshimin se i njëjti është kryer në klinikë private. Menaxhmenti i SHSKUK-së, ka kërkuar raport me shkrim nga dy klinikat përkatëse dhe jemi në pritje të këtyre raporteve për të proceduar tutje me rastet”, thuhet në njoftimin e këtij institucioni. 
E këto raportime të KOHËS kanë shtyrë menaxhmentin të kërkojë publikisht nga pacientët që ankesat të drejtohen në SHSKUK duke aluduar që të mos përfshihen mediat. 
“SHSKUK-ja fton të gjithë qytetarët që ka ankesa, apo vështirësi gjatë trajtimit shëndetësorë, në institucionet e ShSKUK-së, t'i drejtohen me shkrim Komisionit të Ankesave të pacientëve në SHSKUK, i cili do të shqyrtojë çdo ankesë dhe shqetësim të qytetarëve”.
Të premten e javës së kaluar KOHA ka raportuar se te një pacient është ndërhyrë pa anesteziolog në Klinikën e Urologjisë, ndërkaq në arsyetimin nga Klinika, është thënë se pati urgjencë dhe se anesteziologu duhej të ishte në një sallë tjetër operimi.