LAJMET E MBRËMJES

Hadërgjonaj i quan sajesa të Serbisë materialet e Gjykatës Speciale

Pas përfundimit të dëshmisë së Hadërgjonajt para gjykatës ka dalë deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadriaj, e cila është ballafaquar me dëshminë e Mark Shalës. Prokurori Cezary Michhalzcuck i ka thënë Kadrijajt se Mark Shala ka deklaruar që ajo pati shkuar në Kukës, ku ka drekuar së bashku me Nasim Haradinajn dhe Milaim Zekën, i cili më parë ishte plagosur. Mirëpo, dëshmitarja Kadrijaj ka shtuar se nuk qëndron ajo se çfarë ka thënë Mark Shala

Ish-deputetja e Partisë Demokratike (PDK), Safete Hadërgjonaj, ka thënë të enjten para Dhomave të Specializuara se refuzon t’i lexojë materialet e Gjykatës Speciale në rastin ndaj Pjetër Shalës.

Në ditën e dytë të dëshmisë ajo ka thënë se këto materiale janë sajime të Serbisë me të cilat po shërbehet prokuroria.

“Po ju them edhe sot, materialet e kësaj çështjeje nuk i lexoj, sepse janë sajesa të shërbimit sekret serb dhe nuk dua as t’i lexoj. Zotëri avokat, unë që jam ulur këtu si dëshmitare, jam viktimë e regjimit gjenocidal të Serbisë dhe askush nuk po merret me të drejtat dhe jetën time këtu”, ka thënë ajo.

Sikurse një ditë më parë, Hadërgjonaj ka theksuar se nuk ishte pjesë e UÇK-së dhe kësisoj as infermiere. Ajo ka thënë se nuk ka kurrfarë përvoje mjekësore dhe se nuk di as që ta ofrojë ndihmën e parë.

Edhe i akuzuari në këtë çështje, Pjetër Shala, që në luftë njihej me nofkën “Ujku”, ka theksuar se prania e Hadërgjonajt para gjykatës është pasojë e shpifjes së prokurorisë.

“Vetëm për sqarim të nderuar gjyqtarë, nuk është që ekipi im e ka ftuar, mirëpo e ka involvuar prokuroria me dëshmi të rrejshme. E ne jemi vetëm për një sqarim, ne e kemi ftuar vetëm për t’i sqaruar deklaratat që i ka bërë dikush tjetër dhe jo unë as mbrojtja ime”, ka thënë Shala.

Pas përfundimit të dëshmisë së Hadërgjonajt para gjykatës ka dalë deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadriaj, e cila është ballafaquar me dëshminë e Mark Shalës.

Prokurori Cezary Michhalzcuck i ka thënë Kadrijajt se Mark Shala ka deklaruar që ajo pati shkuar në Kukës, ku ka drekuar së bashku me Nasim Haradinajn dhe Milaim Zekën, i cili më parë ishte plagosur.

“Mark Shala ka dhënë dëshmi, ka thënë në një moment se e dinte që u bombardua në Koshare dhe u plagos Milaim Zeka dhe e çuan për trajtim në Kukës. Pra, Mark Shala e dinte që edhe vetë Milaim Zeka kishte thënë se e çuan në Kukës për trajtim. Mark Shala ka dhënë dëshmi se ju ka parë juve në uzinën mekanike të Kukësit bashkë me Milaim Zekën dhe Nasim Haradinajn, për të cilin ju thatë më herët që e njihnit dhe që po ashtu edhe ai ka qenë në Koshare, keni ngrënë drekë bashkë”, ka thënë prokurori.

Mirëpo dëshmitarja Kadrijaj ka shtuar se nuk qëndron ajo se çfarë ka thënë Mark Shala.

“Ne kemi qenë mjekë të vijave të para të frontit, detyra jonë ka qenë t’ua japim ndihmën e parë aty për aty dhe me pas të tjerët janë marrë dhe nuk kemi pasur informacione se ku janë dërguar. Nuk qëndron ajo. Z. Markun kam mundur ta takoja kudo në Koshare, në Papaj, në Badesh, në Kosovë, por nuk e kam takuar Markun në Kukës. Ndoshta Markun e kam takuar diku tjetër, por jo në Kukës”, ka thënë Kadrijaj.

E pyetur për rolin e Nasim Haradinajt në luftë, Kadrijaj ka thënë se nuk e di.

“E di rolin tim që kam qenë si mjeke, por hierarkinë që ka qenë në Koshare nuk e di”, është përgjigjur ajo.

Seanca ka kaluar në sesion privat për disa pyetje të tjera. Pas hapjes për publikun, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, ka thënë se i akuzuari Pjetër Shala është larguar nga ambienti ku ishte me videolidhje dhe se ka vendosur për një pushim të shkurtër.

Pas pushimit Kadrijaj ka thënë se kurrë nuk ka shkuar në Kukës dhe se nuk ka dëgjuar që aty ka pasur qendër rekrutimi të UÇK-së gjatë viteve 1998-1999. Ajo ka shtuar se asnjëherë nuk ka dëgjuar se ka pasur një qendër rekrutimi të UÇK-së në Kukës më 1999, gjatë kohës sa punonte në Koshare.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përdorur edhe një deklaratë të gazetarit Milaim Zeka, të cilën ai e ka dhënë si dëshmitar i mbrojtjes në çështjen gjyqësore ndaj Sabit Gecit, ka raportuar “Betimi për Drejtësi”.

“E pyesin Milaim Zekën se a i kujtohet se kur është lënduar dhe ai përgjigjet: ‘Besoj se çdo person i kujton disa momente të caktuara në jetën e vet, për shembull, kur arrestohet ose kur lëndohet. Ka qenë 20 maji, 8 e gjysmë e mëngjesit ose 8 e 40 e mëngjesit. Dëshmitare, a ju ndihmon kjo të kujtoni se kur ka ndodhur lëndimi i Milaim Zekës”, e ka pyetur prokurori Michahlzcuck, por përgjigjja e Kadrijajt nuk është dëgjuar qartë.

Përpara kësaj, kjo gjë u kundërshtua nga mbrojtja e Pjetër Shalës duke pretenduar se nuk është rifreskim kujtese që të përdoret deklarata e një dëshmitari tjetër për një kontest tjetër ligjor.

“Nëse duan të dëgjojnë apo të marrin prova prej Milaim Zekës, le të thërrasin Milaimin”, tha mbrojtja e Pjetër Shalës përmes avokatit Mohammed Hedi-Aouini.

E pyetur se a ia ka dhënë ndihmën e parë Milaim Zekës, Time Kadrijaj tha se dikush prej ekipit të mjekëve e ka bërë një gjë të tillë.

“Ka pasur sulme me granata. Kemi qenë një grup i mjekëve dhe dikush prej neve ia ka dhënë ndihmën”, tha Kadrijaj.

Kryetarja e trupit gjykues ka sqaruar se në sesionin privat është diskutuar për disa dokumente që ZPS-ja ka kërkuar që t’i prezantohen dëshmitares në kundërpyetje, porse kjo është kundërshtuar nga mbrojtja e Shalës, pasi këtyre dokumenteve nuk iu dihej autenticiteti.