Zijadin Hoxha, në ditën e parë të dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale në Hagë, ka mohuar ta ketë takuar gjatë luftës Sabit Gecin, i cili bashkë me të akuzuarin e rastit, Pjetër Shala, sipas Prokurorisë, kanë ndaluar e keqtrajtuar njerëz në Fabrikën e Metaleve në Kukës, e të cilët janë konsideruar bashkëpunëtorë të armikut.
Hoxha gjatë luftës ka shërbyer si riparues armësh në Fabrikën e Metaleve në Kukës.
“A e njihni një person me emrin Sabit Geci?”, ka pyetur avokati Jean-Louis Gilissen.
“Pas luftës po, pas luftës e kam takuar, diku në vitin 2000. Por, gjatë luftës në atë periudhë nuk e kam takuar asnjëherë as në Fabrikën në Kukës, askund”, është përgjigjur Hoxha.
Ai ka shpjeguar edhe rrethanat që e shtynë t’i bashkohet luftës.
“Kam qenë në vitin 81 i burgosur politik. I kam mbajtur 9 vjet burg në burgjet e Jugosllavisë. Më kanë akuzuar si kundërrevolucionist”, ka theksuar Hoxha.
Deri në prag të luftës ka thënë të ketë jetuar në Gjermani meqë, sipas tij, në vitin 1993 kishte tendenca që të arrestohej sërish.
“Kanë dashtë me më arrestu për të dytën herë UDB-ja jugosllave dhe kam ikë nga vendi im, kam dalë në Gjermani dhe e kam fituar azilin politik në Gjermani dhe në Gjermani kam jetu”, ka bërë të ditur Hoxha.
Dëshmitari Hoxha ka folur edhe se si më 22 ose 23 prill të vitit 1999 ka ardhur në Shqipëri për t’u mobilizuar në UÇK. Nga Gjermania ka thënë se ka ardhur me një shok të tij të quajtur Ekrem Ahmeti.
Hoxha ka treguar se herë pas here në Fabrikën e Metaleve në Kukës e ka parë Bislim Zyrapin, i cili për një kohë ishte udhëheqës i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
“A e njihni një person me emrin Bislim Zyrapi?” ka pyetur avokati i Shalës, Jean-Louis Gilissen.
“E kam pasur komandant”, është përgjigjur Hoxha.
“Pra, ky person ishte në Fabrikën e Metalit në Kukës?”, ka pyetur avokati Gilissen.
“Kohë pas kohe ka qenë aty, pa ndërprerë nuk ka qenë në Kukës, por kohë pas kohe po, sepse ka qenë komandanti kryesor i operacionit ‘Shigjeta’. Ai e ka udhëhequr aksionin komplet”, ka thënë Hoxha.
Dëshmitari është pyetur edhe për disa persona të tjerë, për të cilët ka thënë se kanë rënë dëshmorë, si Salih Saramati, Selver Maçka, Shpend Berisha, Gani Saramti dhe Abdurrahman Gerdellaj.
“(Selver Saramtin) Jo nuk e kam njoftë, as tash nuk e njoh. Faktikisht Salih Saramati ka ra dëshmor. Në dyluftim me forcat serbe është vra. Është dëshmor i kombit. (Selver Maçka )Edhe ai është vra në Gorozhup, është vra nga forcat serbe. Është varrosur në varrezat e Kukësit, është varros maspari. (Shpend Berisha) Edhe ky është dëshmor, është vra në të njëjtën ditë me Selver Maçkën, të gjithë këta janë dëshmorë të kombit. (Abdurrahman Gerdellaj) Në të njëjtën ditë është vra me Selverin dhe me këta të tjerët. (Gani Saramati) Edhe ky është dëshmor i kombit. Edhe ky është vra në Gorozhup. Është plagu faktikisht në Goruzhup dhe ka vdekë në Tiranë”, tha dëshmitari Zijadin Hoxha.
Në aktakuzën e konfirmuar, Pjetër Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
Sipas Prokurorisë Speciale, krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në Fabrikën në Kukës, e që pretendohet se përdorej nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestimit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.